Vettingu ka vendosur të shkarkojë gjyqtarin e tretë të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxhën. Gjyqtari Hoxha nuk justifikonte pasurinë e tij, një pjesë të së cilës, avokati i tij, deklaroi se e ka vënë nga dasmat.

Në seancën dëgjimore të 7 majit, KPK arriti në përfundimin se gjyqtari Hoxha nuk justifkonte pasurinë prej 17 milionë lekësh, ndërsa nga hetimet rezultoi se gjyqtari i Kushtetueses ka një apartament 2+1, 112 m2 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro, ndërsa ka marrë kredi si i pastrehë. 

Sa i përket figurës, KPK arriti në përfundimin se ndaj gjyqtarit Fatmir Hoxha janë depozituar 3 denoncime nga qytetarët. Në seancën dëgjimore, vetë gjyqtari nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati Julian Mërtiri, i cili deklaroi se Fatmir Hoxha e ka blerë apartamentin me kredi dhe një borxh nga kunati, ndërsa një pjesë të parave, që sipas KPK nuk justifikohen, i ka siguruar nga dy dasmat.

Avokati deklaroi se gjyqtarit 275 mijë lekë të reja ia kanë hedhur në dasmë, dhe kjo mund të vërtetohej, sipas tij, me kasetën e dasmës së vitit 2003, të cilat i dorëzoi, por nuk u pranuan si provë nga trupa gjykuese. Report Tv ka mësuar nga sekretaria gjyqësore se aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë 69 ankime që presim shqyrtimin, 10 prej tyre të prapambetura nga 2017, 59 të depozituara në 2018 nga 1 Janari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Bllokohet Gjykata Kushtetuese, Vettingu e lë me dy anëtarë, ikën dhe Fatmir Hoxha

Gjykata Kushtetuese, më e rëndësishmja në sistemin gjyqësor në Shqipëri, rrezikon të mbetet pa asnjë anëtar, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.

Pas shkarkimit të anëtarëve Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj, edhe anëtari Fatmir Hoxha është shkarkuar sot nga KPK, pasi nuk justifikoi pasurinë e tij.
Me largimin e Hoxhës, Gjykata Kushtetuese mbetet më dy anëtarë, Bashkim Deden dhe Gani Dizdarin, të cilët nuk i janë nënshtruar ende Vetingut.

Vitore Tushës, e cila u konfirmua në detyrë, i ka mbarur mandati 9-vjeçar, ndërsa anëtari tjetër, Besnik Imeraj, dha dorëheqjen nga frika e Vetingut. Kjo gjykatë nuk mund të mblidhet më, por mund të mbetet edhe pa asnjë anëtar.