Dy ambasadorët më të fuqishëm në Shqipëri, ndër më të unifikuarit që ka pasur ndonjëherë SHBA-ja dhe BE-ja në Tiranë, do të largohen nga vendi ynë së bashku.  Donald Lu dhe Romana Vlahutin janë në ditët e tyre të fundit në Shqipëri, pasi ju ka përfunduar mandati njëkohësisht.

Roli i tyre ka qenë tejet i fortë, kryesisht gjatë miratimit të reformës në drejtësi, duke u bërë garantë të zhbllokimit të këtij procesi, e duke ushtruar presion që çadra e opozitës të mbyllej dhe që Kushtetuta e re në 22 korrik 2016 të mos merrte asnjë votë kundër.

Pas këtij momenti, Donald Lu u angazhua fort në kërkim të ‘peshqve’ të mëdhenj, por asnjëherë nuk u kënaq me rezultatet. Romana Vlahutin ndoqi me vëmendje procesin tonë negociator me Brukselin, por herë pas herë u akuza nga PD se ishte emisare e Edi Ramës.

Këto akuza për njëanshmëri ndaj ambasadores, bënë që kroatja të distancohej nga selia blu, me përjashtim të rasteve kur ishte e detyruar të shoqëronte zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Donald Lu është caktuar nga Senati Amerikan për të vijuar detyrën e tij diplomatike në Kirgistan, dhe ende nuk dihet i përzgjedhuri i ri i Shtëpisë së Bardhë për në vendin tonë. Ndërkohë Vlahutin do të zëvendësohet nga Luigi Soreca, një italian që punon prej vitesh në rangje të larta në Bruksel dhe ka qenë i angazhuar me Shqipërinë gjatë procesit të liberalizimit të vizave.

Luigi Soreca është Drejtor i Sigurisë në Komisionin Evropian. Ai është njohës i mirë i çështje të sigurisë, i legjislacionit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda, dhe ka punuar me EUROPOL dhe CEPOL.

Veç liberalizimit të vizave me Shqipërinë ai ka udhëhequr këtë proces edhe me Marokun, Tunizinë apo me Federatën Ruse. Ai ishte përgjegjës për menaxhimin e Qasjes Globale ndaj Migrimit dhe Lëvizshmërisë si dhe për të tjera aspekte ndërkombëtare të migracionit. Si njohës i mirë i ligjit, ai vjen në Shqipëri në momentin e duhur, pasi sapo ka nisur zbatimi i Reformës në Drejtësi.

Ambasadori i ri i BE në Shqipëri, Luigi Soreca