TIRANË - Armët e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu që u ekspozuan për dy muaj në Muzeun Historik në Tiranë nisen sot drejt Vjenës, për t’u ekspozuar në Muzeun Kunsthistorisches në Vjenë. Për herë të parë pas 500 vjetësh, armët e Skënderbeut qëndruan në vendin tonë për afro 2 muaj në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Armët e Skënderbeut u vizituan nga rreth 1 milionë e 700 mijë vizitorë. Këtë fakt e pohon drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, i cili theksoi se "Nga dita e përurimit, numri i vizitorëve erdhi në rritje, sidomos në datat 26-30 nëntor. Më datën 28 nëntor muzeu qëndroi i hapur 24 orë dhe numri i vizitorëve arriti në rreth 400 mijë vetë”.

Malltezi më tej shton se impresionuese kanë qënë vizitat në masë të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora, duke vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që mundësoi ruajtjen 24 orë të armëve të Skënderbeut.

Specialisti i Muzeut Historik të Artit në Vjenë do të bëjë çmontimin e armëve nga ekspozita për t’u larguar më pas në ekspozitën e tyre të përhershme në Muzeun Kunsthistorisches.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)