1747910628_artanlame1750x3752.jpg

Publicisti, politikani i njohur e historiani Artan Lame është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare!

Lame ndërroi jetë ditën e sotme në një spital në Mynih të Gjermanisë pas një ndërhyrje të vështirë në zemër.

Kolegë, miq e të afërm kanë shprehur ngushëllimet për familjen Lame.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët.

Reagimi i ministrit Taulant Balla:

Lamtumirë miku dhe shoku im i mirë Artan Lame.

Mimi Kodheli:

Lamtumirë Tan Lame. Jam pa fjalë dhe zemërthyer

Niko Peleshi:

Një humbje e madhe largimi nga jeta i Artan Lames. Një mik i mirë, një njeri me vlera dhe një kolonjar që e mbajti gjithmonë lart peshën e krenarisë dhe përulësisë së vendlindjes së tij.

Me ikjen e tij, Shqipëria humbi një intelektual, një shërbëtor të përkushtuar të shtetit dhe një historian të palodhur që e deshi të shkuarën jo thjesht për ta rrëfyer, por për ta kuptuar dhe për ta ndriçuar të ardhmen.

Artani ishte një mendje e kthjellët dhe një zë i veçantë i së vërtetës. Një misionar i historisë dhe besnik i trashëgimisë sonë kulturore. Humbja e tij prek të gjithë ata që besojnë në idealet e dijes, të shtetit dhe të dashurisë për vendin. 

Mungesa e tij do të ndihet në çdo tryezë ku diskutohet me mendje e me zemër për të ardhmen e këtij vendi.
Une humba një mik të dashur!

Reagimi i deputetit Vullnet Sinaj:

Gjatë detyrës si drejtor i ALUIZNI-t dhe më tej i Kadastrës, Artan Lame trajtoi problemin delikat ose më mirë të them, një nga plagët e vjetra të shoqërisë shqiptare, çështjen e pronës.

Me qetësinë dhe dashamirësinë e tij u investua për të zgjidhur mjaft probleme të trashëguara, pa pretenduar se mund t’u jepte rrugë të gjithave.

Unë mbaj mend nga ai, dëshirën për t’ia dalë, vullnetin për reforma dhe fjalën e mirë në çdo komunikim.

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve për humbjen e parakohshme të të dashurit të tyre.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Artan Lames.

“Trishtim. Humbëm Artan Lamen, drejtuesin dhe studiuesin e pasionuar, që kuriozitetin, dijet dhe talentin e tij i vuri në shërbim të ndryshimit, por edhe të rrëfimit bukur të thelbit e tharmit të pandryshueshëm të Shqipërisë.

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të shumtë!
Paç Paqen e pasosur, Tan!”

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj ka ngushëlluar bashkëshorten e Lames dhe familjen e tij, ndërsa shprehet i pikëlluar për lajmin e hidhur.

“I pikëlluar nga lajmi i ndarjes nga jeta i Artan Lames, një mik i vyer që do t’u mungojë shumë të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Tani ishte një qytetar i angazhuar, një profesionist i jashtëzakonshëm, dhe mbi të gjitha, një njeri me shpirt të madh.

Ai i dha shumë Tiranës dhe Shqipërisë – si publicist, koleksionist, nënkryetar i Bashkisë, si mendje e lirë dhe kritike, gjithmonë në shërbim të qytetit dhe të së mirës së përbashkët. Ngushëllime bashkëshortes Mirela, fëmijëve Lisia dhe Arbis, familjes dhe miqve për këtë humbje të rëndë!”, shkruan kryetari i Bashkisë në rrjetet sociale.