Vetëm 7 muaj drejtor! Gjokuta dorëhiqet nga Doganat, kush e zëvendëson

TIRANË - Ka zgjatur vetëm 7 muaj rrugëtimi si drejtor i Arlind Gjokuta që erdhi në krye të Doganave nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Gjokuta është dorëhequr, ndërsa Shqiptarja.com mëson se është zëvendësuar nga Gjon Bardhi, i cili deri dje mbante pozicionin e zëvendësdrejtorit në këtë institucion.

Gjokuta u emërua në detyrë, në fund të marsit në të njëjtën kohë me Enton Duron te Tatimet por ky i fundit u largua në korrik të këtij viti, duke mbajtur pozicionin për vetëm tre muaj.

Vetëm pak ditë pasi erdhi në detyrë, më 3 prill, kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erjon Braçe patën një mbledhje me Duron dhe drejtuesin e ri të Doganave, Arlind Gjokuta i emëruar në të njëjtën kohë me drejtuesin e Tatimeve. Nga sa u mësua në atë kohë, mbledhja ishte me tone të ashpra dhe me piketa të qarta nga kreu i qeverisë për të ndryshuar situatën në Tatime, përmes një reformimi të thellë të të gjithë administratës. Në atë kohë, drejtuesve të rinj ju la një muaj kohë për të treguar rezultatet, që mesa u pa është shtyrë në tre muaj.

Ky vendim përkthehet në mungesë rezultatesh nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Treguesit fiskalë të 9-mujorit, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë reflektonin një mosrealizim prej 4 për qind të planit të të ardhurave nga Doganat që i përgjigjet një shume prej 5 miliardë lekësh.

Gjokuta mori detyrën me një hov të cilin nuk ngurroi ta bënte publik mes një letre publike.

Letra që Gjokuta u drejtoi punonjësve në ditën e parë kur nisi punën në dogana:

Në pamundësi të kohës fizike për të takuar personalisht secilin nga Ju dhe në shenjë të respektit për çdo punonjës të përkushtuar dhe kontributit që jep secili çdo ditë, më lejoni t’Ju drejtohem direkt nëpërmjet e-mailit për të ndarë me ju disa fjalë dhe mendime të miat për punën dhe sfidat tona të përbashkëta.

Thelbin e asaj që do të them e kam përmendur edhe në fjalën e prezantimit, por edhe në takime me disa drejtues të DPD, si dhe me kryetarët e degëve dhe kam kërkuar që të përçohet te çdo punonjës i administratës doganore. Puna që ne bëjmë është e bukur dhe e vështirë në të njëjtën kohë.
E bukur sepse kemi mundësi që duke dhënë ndershmërisht kontributin profesional, çdokush prej nesh të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, krijimin e një ambienti ku zhvillohet e promovohet konkurrenca e ndershme, në forcimin e sigurisë kombëtare etj., etj. Të gjitha këto bëjnë të mundur që të gjithë së bashku të kemi mundësi të ndërtojmë ditë pas dite një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë.

Por kjo punë ka edhe vështirësi, të cilat ju i dini shumë më mirë se unë. Vështirësi me të cilat ndeshemi çdo ditë e të cilat vetëm duke qenë së bashku dhe duke ndarë vizionin, qëllimin dhe objektivat do të mund t’i tejkalojmë, duke bërë të mundur që e bukura të triumfojë mbi të vështirën.
Jam i bindur që të gjithë së bashku do të dimë ta bëjmë këtë, pasi Dogana shqiptare ka shumë profesionistë dhe njerëz të ndershëm e të devotshëm për tu përballur dhe për të qenë në lartësinë e sfidave që i presin.

Fatkeqësisht, në mesin tonë, kemi edhe një pakicë që na nxin faqen e na turpëron. Një mish i huaj që duhet ta nxjerrim sa më parë jashtë vetes e ta flakim aty ku e ka vendin.
Cilido prej jush që e ndien veten të aftë profesionalisht, që ka performancë dhe rezultate në punë, që ka integritetin dhe motivimin e duhur, është aset i vyer i kësaj administrate dhe e ftoj të vijojë pa u shqetësuar punën e të jap kontributin e tij. Ju siguroj mbi të gjitha që do bëjmë përpjekjet maksimale për krijimin e një ambienti motivues, duke nxitur karrierën bazuar në aftësitë dhe performancën e secilit.
Ama, cilido nuk e gjen veten apo do të konstatohet jo në përputhje me ato kritere të përmendura më lartë, duhet të konsideroj seriozisht largimin nga kjo administratë. Ju siguroj që do të jem i pamëshirshëm me cilindo që nuk bën sa më sipër dhe që do evidentohet në shkelje (sot, nesër dhe në të shkuarën).
Hiqni dorë nga dërgimi i miqve, apo i mënyrave të tjera, për të kërkuar favore të ndryshme të pamerituara dhe të paargumentuara. Do të penalizoheni për këtë. Secili ka të drejtën të kërkojë dhe pretendojë dhe kjo nuk do t’i mohohet kurrë. Miku dhe armiku më i mirë që keni karshi meje janë vetëm vetja, karakteri dhe aftësitë tuaja.
Askush të mos ushqejë kot shpresën apo bindjen që kontributet në forca politike të çdo krahu do t’i shërbejnë si mbrojtje ndaj paudhësive dhe shkeljeve.

Cilido është pjesë e Administratës doganore duhet t’i përkulet vetëm ligjit dhe t’i shërbejë me etikë, në mënyrë të drejtë dhe në kohën më të shkurtër të mundshme çdo biznesi dhe qytetari. Trajtimi duhet të jetë i njëjtë dhe i standardizuar për të gjithë. Së bashku me bizneset, qytetarët, organet ligjzbatuese dhe inteligjencën, do të bëjmë të mundur evidentimin e çdo individi të korruptuar brenda Administratës doganore dhe jo vetëm flakjen e tij nga puna, por edhe dërgimin përpara drejtësisë.

Jini të drejtë jo vetëm me biznesin dhe qytetarët, por edhe me kolegët. Ndihmoni dhe mësoni kolegët e rinj. Trajtoni çdo rast me profesionalizëm, të udhëhequr nga ligji, interesi publik, arsyeja dhe fryma pozitive karshi biznesit dhe qytetarit të ndershëm dhe të rregullt. Ndiqni procedurat, protokollet e komunikimit, zbatoni dhe respektoni hierarkinë. Jepni dhe merrni besim nga njerëzit.

Secili nga ne, në çdo moment duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të shprehet qartë dhe shpejt mbi mendimin dhe qëndrimin e tij, duke shmangur “logjikën e heqjes së topit nga vetja” apo sorollatjen e pafund me përgjigje pa përgjigje.

Sa më sipër, nuk janë fjalët rutinë të drejtuesit të radhës, të cilit shumëkush mendon dhe pret t’i kalojë vrulli i fillimit. Sa më sipër, janë ato që unë mendoj dhe do të bëj çmos që për sa kohë do jem në drejtim të kësaj Administrate nuk do të heq kurrë dorë për t’i zbatuar. Merrini seriozisht dhe ndani sa pa qenë vonë drejtimin që do të ndiqni.

Ju kërkoj ndjesë për kohën që Ju mora dhe duke besuar në mirëkuptimin Tuaj jam i bindur që të gjithë që ndajmë dhe besojmë në këto ide, së bashku do të dimë të përballemi me sfidat që na presin.

Faleminderit dhe suksese.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A Bardhi: 31/10/2019 21:12

    suksese Gj Bardhit

    Përgjigju
  • b.prenci: 31/10/2019 16:32

    Suksese ne jete Arlind

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja