Arka e shtetit ka mbledhur 340.5 miliardë lekë ose rreth 3.5 miliard euro në pesë muajit e parë të vitit, duke u rritur me 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, madje duke tejkaluar edhe planin e Ministrisë së Financave për këtë periudhë me afro 17 miliardë lekë
Kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave në janar-maj 2026, e ka pasur TVSH-ja e lidhur ngushtë me konsumin e çmimet e larta dhe tatimi i pagave.
Më konkretisht në 5-muaj u mblodhën nga tatimi mbi të ardhurat personale 40.2 miliardë lekë, afro 5.5 miliardë lekë më shumë se plani për pesë mujorin 2026. Rol në këtë rritje ka dhënë jo vetëm rritja e pagave si në shtet edhe në privat, por edhe formalizimi i tregu apo plotësimi i DIVA dhe pagimi i detyrimeve që rridhnin pas saj.
Si rezultat i pagave më të larta dhe goditjes së nëndeklarimit të tyre, janë rritur edhe kontributet për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat kapën vlerën e 82.9 miliardë lekë gjatë kësaj periudhe ose 9.4 miliardë lekë më shumë se vjet.
Më pas vijnë të ardhurat nga TVSH-ja, prej së cilës u mblodhën 35.8 miliardë lekë, ose 5.3 miliardë lekë mbi planin e bërë më këtë periudhë. Ndikim në rritjen e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar ka dhënë shtimi i konsumit por njëkohësisht edhe rritja e çmimeve ndikuar nga lufta në Lindjen e Mesme, pasi çmimet më të larta sjellin më shumë TVSH në arkën e shtetit, sepse 20% TVSH-ja llogaritet si përqindje mbi çmimin.
Ndërsa të ardhurat doganore arritën në 95.2 miliardë lekë, edhe pse në rritje me 2.5 miliardë lekë krahasuar me janar-majin e vitit 2025, nuk është arritur të realizohet plotësisht plani i periudhës.
Sa i takon shpenzimeve, në fund të majit ato rezultuan rreth 286.8 miliardë lekë ose 17.5 miliardë lekë më pak se plani i Ministrisë. Referuar të dhënave të ministrisë në këtë 5 mujor janë tejkaluar shpenzimet kapitale të planifikuara (shpenzimet për investime), por probleme janë hasur tek shpenzimet korrente ku përfshihen pagat, sigurime, shërbimet publike dhe pagesat e interesave të borxhit.
Komente










