TIRANE - Ministria e Shëndetësisë është e vendosur të luftojë çdo lloj forme korrupsioni në shëndetësi. Në një dalje publike kreu i dikasterit të bluzave të bardha, Ilir Beqaj, ka denoncuar me emra konkretë mjekë të kryeqytetit që japin receta klienteliste duke i adresuar drejt një medikamneti të caktuar apo farmaacie të caktuar. 

"Kemi një mjek me emrin E.N, punon te poliklinika numër 4. Në 55% të recetave të lëshuara, ka dhënë vetëm alternativën më të shtrenjtë, pra më shumë se gjysma e pacientëve që shkojnë, nëse kishim gjithë Tiranën, 1/3 ka marrë më të shtrenjtën, tek ky mjek, më shumë se gjysma ka marrë më të shtrenjtën. Dyshimi për të shtrenjtën bëhet më i theksuar, nëse shikojmë se në cilën farmaci ekzekutohen këto receta me rimbursim. Dhe na rezulton se sasia e gjithë recetave që lëshon ky mjek, në 94% të rasteve, përfundojnë vetëm te farmacia NEK. Pra, E.N, jo vetëm që përshkruan barin më shtrenjtë, por çuditërisht të gjithë këta, në një zonë urbane të qytetit të Tiranës, përfundojnë te farmacia NEK.

Marrim një mjek tjetër. Ky është mjeku I.E. Në 5.5% të rasteve ka dhënë barin më të shtrenjtë. Pra, ai kishte 55%, ky ka 5%. Pra, brenda Tiranës, po mjekë të ASHR-së Tiranë, në dy poliklinika të ndryshme, e kanë raportin alternativë më e shtrenjtë apo jo, 1 me 10 me njëri-tjetrin. Pastaj fillojmë bëjmë një tjetër analizë të fenomenit. Ky është mjeku I.I në poliklinikën nr. 1. Edhe ky e ka bollshëm përshkrimin e më të shtrenjtit, por ama ka një gjë, recetat e tij janë të shpërndara në 70 farmaci të Tiranës. Pra, ka një shpërndarje normale, pra një qytetar merr alternativën më të shtrenjtë, por shkon gjithandej. Shikoni se ç’ndodh me një tjetër. Ky është mjeku B.T në Shkozë, 80% e recetave të tij përfundojnë tek farmacia Geni & Lori. Shkoza ka 10 farmaci, por njëra prej tyre, Geni & Lori merr 4/5 e recetave që rimbursohen", - u shpreh Beqaj.

Ndërsa drejtori i Fondit të Sigurmit Shëndetësor shkoi edhe më tej kur deklaroi që jo në pak raste në këtë aferë korruptive janë përfshirë edhe vetë pacientët, ndaj të cilëve ata kaanë bërë kallëzime. 

"Vetëm në këtë periudhë dy mujore, ne kemi të penalizuar më shumë se 300 mjek, vetëm ne Tiranë për shkelje dhe mos respektim të proçedurave dhe rregullave qe ato i mësojnë që në bankat e shkollës", u shpreh Beci.
 
Denoncimet janë bërë përpara mjekëve të shërbimit parësort të kryeqytetit, ku janë monitoruar të gjitha recetat me rimbursim të lëshuar gjatë tremujorit të fundit. 

Ministri Beqaj u shpreh i vendosur që kontrollet të shtrihen në të gjithë vendin për të luftuar këtë fenomen mjadft të përhapur.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)