Mjekët endokrinologë po përballen së fundmi me një fluks të shtuar pacientësh me sëmundjen e diabetit. Çdo vit, regjistrohen deri në 7500 raste të reja dhe ajo që është më shqetësuese, është shpërthimi i kësaj sëmundjeje tek fëmijët, sidomos që pas pandemisë së COVID-19.

“Në 2021 kemi rritje shumë të madhe të rasteve. COVID, ka çuar edhe në shpërthim të diabetit tek persona që nuk e kishin më parë”, tha eksperti i ISHP, Alban Ylli.

Një nga efektet më të forta anësore të diabetit, është prekja e shikimit. Sipas mjekut Toti, nga 85 mijë diabetikë, 40% e tyre kanë probleme me shikimin dhe qindra janë verbuar.

“Vlerësojmë rreth 1 mijë persona që kanë dëmtime të rënda të shikimit deri në verbëri. Rreth 30 mijë persona që kanë Retinopati diabetike, pavarësisht se shumica nuk janë të ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtij problemi”, tha Ylli.

Për të shmangur retinopatinë diabetike mjekët bëjnë thirrje për depistim të hershëm dhe mbajtjen në kontroll të sëmundjes.

“Parandalimi ka të bëje qoftë me mënyrën e jetesës, por edhe parandalimin e komplikacioneve sicc është edhe Renopatia diabetike”, tha Toti.

Për të mbajtur nën kontroll sëmundjen, diabetikët duhet të respektojnë dhe dietë ushqimore por edhe konsumim i ilaçeve të nevojshme, që shumë qytetarë po i përdorin së fundmi abuzivisht, edhe për t’u dobësuar. Së fundmi nëpërmjet Tik Tokut, disa përdorues kanë kthyer viral një trend ku sugjerohet injektimi i ilaçit Ozempik, për dobësim pa stërvitje. Mjeku Endokrinolog Florian Toti thotë se në Shqipëri ky medikamentet nuk është i regjistruar, por shumë vajza e shugurojnë nga jashtë vendit.

“Ozempic në Shqipëri nuk ka ekzistuar i riregjistruar. Një pjesë e kanë siguruar nga jashtë, një pjesë tjetër e njerëzve më kanë thënë që e kanë siguruar në Shqipëri. Se ku dhe se si nuk është pjesa ime. Një pjesë e pacientëve kur kanë ndërprerë kurën e kanë rifituar peshën fatkeqësisht’, tha mjeku Florian Toti.

Për të ulur kostot e trajtimit të diabetit, nga fillimi i muajit mars përveç fëmijëve, fishat e diabetit falas do të rimbursohen edhe për moshat mbi 65 vjeç.  Për Retinopatinë diabetike dhe rëndësinë menazhimit të kësaj sëmundje që është gjithnjë edhe në rritje, Instituti i për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare ka zhvilluar edhe një studim.