Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, raportoi sot para Kuvendit për veprimtarinë e institucionit që drejton, gjatë vitin 2024. Në thelb, Metani vlerësoi se efektiviteti dhe cilësia e sistemit të drejtësisë nuk janë në nivelin që i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Fillimisht ai solli disa të dhëna statistikore që pasqyrojnë një pjesë të veprimtarisë së ILD-së gjatë vitit 2024.
“Gjatë vitit 2024, ILD kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, ka trajtuar 1374 ankesa. 54 prej tyre kanë përfunduar me hetim disiplinor. Gjatë vitit 2024, ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, konkretisht, janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, me masa që varjojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale. Veç ankesave dhe procedimeve disiplinore, ILD ka kryer edhe 6 inspektime tematike, të cilat kanë përfunduar me 54 rekomandime, prej të cilave 9 lidhen me marrjen e masave për nxjerrje aktesh, 29 me ndërmarrjen e masave administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për procedura të mëtejshme verifikuese. Për të gjitha vendimmarrjet e trajtimit të ankesave nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit që shkoi, ka pasur vetëm 89 ankime pranë KLP ose KLGJ, sipas rastit. Asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk është cenuar”,- tha Metani.
Më pas, Metani renditi në mënyrë të përmbledhur problematikat më të rënda të sistemit të drejtësisë. Fokusin e pati të stërzgjatja e kohës së gjykimit të çështjeve, problem që sipas Metanit ndikon në cilësinë e gjykimit dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
“Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar. Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë. Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe. Nga ana tjetër, në të gjitha ato raste ku ILD, në kuadër të verifikimit dhe hetimit disiplinor ka konstatuar se vonesat apo zvarritjet kanë tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke demonstruar neglizhencë të magjistratit në përmbushje të detyrës, për shkaqe të palidhura me arsye jashtë kontrollit të magjistratit, ka paraqitur kërkesat për procedimin disiplinor pranë këshillave përkatës. Në total, gjatë veprimtarisë së vet, në rastet e vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë",- tha Metani.
Mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, përfshirë sistemet e regjistrimit audio të seancave, sistemet e menaxhimit të çështjeve, arkiva, qarkullimi i dokumentacionit procedural dhe administrativ, apo sisteme teknologjie që mbulojnë procese të veçanta të punës së gjykatës apo prokurorisë, sipas Metanit ndikojnë drejtpërdrejt, në cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit apo zhvillimit të procesit të hetimit penal.
Metani pa të arsyeshme që në fund të raportimit të tij të qartësojë në mënyrë shteruese përgjegjësitë dhe rolin e ILD-së në sistemin e drejtësisë.
"Sot po përballemi me një paqartësi mbi rolin dhe funksionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që nuk rrjedh vetëm nga qytetarët, të cilët nëpërmjet ankesave të paraqitura në ILD pretendojnë zgjidhje të mosmarrëveshjeve gjyqësore, ndërhyrje në procese gjyqësore, apo ndikim në vendimmarrje gjyqësore, por haset edhe në kuadër të pretendimeve të shumta nga rrethe të tjera publike, ku përfshihen aktorët politikë, media apo dhe vetë organet të tjera publike. Ky fenomen kërkon një adresim në aspektin sistemik. Një rëndësi thelbësore në garantimin e një sistemi cilësor drejtësie ka edhe Gjykata e Lartë, si organi më i lartë në piramidën e hierarkisë gjyqësore, jo vetëm nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve, por dhe në sigurimin e shmangies së divergjencave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Për këtë arsye, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar një vëmendje të veçantë nga ana e Gjykatës së Lartë, për të ushtruar rolin e saj njehsues, në vendosjen e standardeve dhe praktikave të qëndrueshme. Njëkohësisht besoj, se procesi i edukimit ligjor të publikut, përbën një parakusht të domosdoshëm për konsolidimin e besimit në drejtësi. Një publik i informuar, i ndërgjegjshëm dhe aktiv është partneri më i vlefshëm i institucioneve të drejtësisë. Këtu një rol thelbësor duhet të luajë edhe Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, në kuadër të Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut. Nëse qytetarët nuk e kuptojnë rolin e institucioneve të drejtësisë, magjistratëve, kufijtë e kompetencave të institucioneve dhe mekanizmat e ankimit, sistemi i drejtësisë rrezikon të perceptohet si i mbyllur dhe i pakuptueshëm",- tha Metani.
Ngarkesa e jashtëzakonshme e punës dhe numri i lartë i çështjeve gjyqësore, mbetet një ndër sfidat më serioze, që cenon cilësinë dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, si dhe të drejtat e shtetasve shqiptarë në kuadër të një procesi të rregullt ligjor.
"Në këtë drejtim, kërkohet angazhimi i përbashkët i të gjithë organeve publike, si Kuvendi, Këshillat, Prokurori i Përgjithshëm, gjykata apo dhe zyrat e prokurorive për hartimin e masave konkrete për reduktimin e backlog-ut; rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e organikave, shtimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës. Njëkohësisht, vetë gjykatat dhe zyrat e prokurorisë duhet të hartojnë sisteme të prioritizimit të çështjeve, për të siguruar një trajtim më të shpejtë dhe të drejtë të dosjeve gjyqësore",- tha Metani.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, tha nga foltorja e Kuvendit se institucioni që drejton ka kërkuar informacione dhe ka nisur verifikimet e nevojshme për arrestimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan, pasi debatit për provat që ky i fundit pati me prokurorin Gjergji Ceka, gjatë një seance gjyqësore.
“ILD ka filluar verifikim e rastit për të cilin do bëhet dhe një njoftim publik”,- tha Metani.
Kreu i ILD-së, Artur Metani, teksa ishte duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend, ka deklaruar se për rastin e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, duhet të pritur fundi i hetimit penal.
Metani tha se në fundt të procesit penal, do të vlerësohet nga ILD nëse ka fakte për të filluar një procedurë disiplinore ndaj Irana Gjokës,
“Ky fakt ka natyrë penale e tha edhe prokurori i përgjithshëm, kemi të bëjmë me një hetim dhe vetëm në përfundim të hetimit penal, ILD do vlerësojë mbi përgjegjesinë disiplinore dhe administrative të magjistrates Gjoka. Ligji për statusin e hetimit disiplinor, i jep përparsi procesit penal në krahasim me të njëjtën procedurë disiplinore që mund të zhvillohet pë të njëjtat fakte. ILD në fund të procesit penal, do të vlerësojë nëse ka fakte për të filluar një procedurë disiplinore”, tha Metani.
Komente











