Mos u mashtroni: ajo që pamë dje dhe shohim vazhdimisht në bllokimin e ekraneve kur del Lexhenda nuk është opozitë, nuk është krizë dhe nuk është “revoltë popullore”. Është media shqiptare duke bërë atë që di të bëjë më mirë: riciklimin e krimit politik për të mbajtur veten gjallë.

Pa kamerat, mikrofonët dhe “breaking news”-et, Lexhenda do të ishte thjesht një relike e viteve ’90. Me median, ai shndërrohet në “lajm kombëtar”, në “kërcënim”, në “zhvillim dramatik”. Kjo nuk është informim. Kjo është larje politike në cikël të plotë.

Në Shqipëri, krimi politik nuk hetohet. Transmetohet. Nuk analizohet. Normalizohet. Nuk dënohet. Riciklohet.

Media e ka kthyer të kaluarën kriminale në kontent. Sa më e errët historia, aq më i madh ekrani. Sa më i rëndë bilanci i gjakut, aq më i butë trajtimi mediatik. Gërdeci, 21 janari, ’97, ’96 — të gjitha reduktohen në “opinion”, “qëndrim”, “debat”.

Kjo nuk është harresë. Kjo është amnisti mediatike e qëllimshme.

Pse media e mban gjallë të vdekurin politik? Sepse media shqiptare nuk ka luksin të prodhojë të re. Sepse gazetaria kushton. Sepse hetimi rrezikon. Sepse qytetaria kërkon standarde.

Ndërsa Lexhenda është i lirë, i gatshëm dhe i sigurt. Nuk kërkon pyetje. Nuk kërkon ballafaqim. Nuk kërkon përgjegjësi. Ai flet, shan, kërcënon — dhe media mbush oraret.

Në këtë marrëdhënie, media nuk është viktimë e politikës. Është partneri i saj më besnik.

Ndërsa ekranet ziejnë nga fytyra të konsumuara, qytetari real zhduket. Mendimi i pavarur nuk ftohet. Alternativa e re injorohet. Çdo zë jashtë rrethit të vjetër ose heshtet, ose përqeshet, ose etiketohet si “i parëndësishëm”.

Media nuk i trembet ekstremizmit. Media i trembet normalitetit. Sepse normaliteti kërkon etikë. Dhe etika është armiku më i madh i këtij modeli.

Ndërsa Lexhenda është bërë si ata që hedhin fishekzjarrë natë pẽr natě në 1-2 të natës, Lexhenda hedh fishekzjarre para Kryeministrisë pë “rrëzimin” e 1035-të të Ramës në këto 13 vjet.

Bllokohen rrugët, irritohen njerëzit, shkatërrohen nervat për këto festa, ndërsa televizionet transmetojnë live, pa kontekst, pa kundërpyetje, pa asnjë filtër. Qytetarët mallkojnë nëpër makina. Mediat numërojnë klikimet.

Ky është misioni editorial i medias : zhurmë, jo kuptim. Pa këtë media, krimi politik do të ishte i vdekur. Pa këtë media, e shkuara nuk do të shitej si e ardhme. Pa këtë media, politika shqiptare do të detyrohej të ndryshonte.

Por kjo media nuk do ndryshim. Sepse ndryshimi do ta nxirrte jashtë loje. Prandaj ajo lan, lustron dhe riciklon. Prandaj bllokon ekranet. Prandaj e quan “lajm”.

Derisa kjo lavatriçe të prishet, Shqipëria do të mbetet peng jo vetëm i politikës së vjetër por i medias që jeton duke e mbajtur atë gjallë./Tema