Bulevardi i bllokuar. Flamuj që valëviten si në finale kupe. Dhe në mes, maratonisti legjendar i tranzicionit: shoku Sali. Çdo katër vjet në “kilometrin e fundit”. Çdo katër vjet gati për të hyrë triumfator në histori që rastësisht e ka shkruar vetë.
Sot premton votë të lirë. Ai që në ’96 na dha zgjedhje aq “të lira” sa vota vraponte vetë drejt kutisë së duhur. Premton fundin e korrupsionit. Ai që ka qenë në pushtet mjaftueshëm sa për ta parë korrupsionin të rritet, maturohet e të bëhet me nipër e mbesa.
Shoku Sali, ish-komunisti 25-vjeçar, që një mëngjes u zgjua antikomunist me butonin “ON”. Dje lavdëronte Ramiz Alinë si arkitekt të demokracisë, sot flet për luftë epike kundër komunizmit. Biografia? Elastike. Parimet? Me telekomandë.
1997? Një keqkuptim kombëtar. Piramidat “ishin mrekulli financiare”. Depot e armëve? Një kurs i përshpejtuar për demokraci praktike. Katër mijë të vrarë? Statistikë e keqinterpretuar nga armiqtë.
1998? Azemi u kthye nga rival në relike brenda natës. Tabuti si podium. Lotët si kapital politik. Regji dramatike që edhe Hollivudi do ta kishte zili.
2005? Rikthimi i madh. Me maskë të re, por me kast të vjetër. Nafta, tenderat, koncesionet – gjithçka për “zhvillimin”. Gërdeci shpërtheu, 21 Janari krisi. Por në universin e shokut Sali, përgjegjësia është specie e zhdukur. Fajin e kanë gjithmonë të tjerët: opozita, ambasadat, moti, ndoshta edhe graviteti.
Dhe sot sërish në bulevard, me mikrofonin si shkop magjik. Premton të shpëtojë Shqipërinë… nga Shqipëria që ndërtoi vetë. Premton shtet ligjor pasi e përdori shtetin si zyrë personale. Premton demokraci si të ishte shpikja e tij e fundit.
Kilometri i fundit vazhdon. Vrapon prej 36 vitesh dhe çuditërisht është gjithmonë “pak para finishit”. Ndoshta sepse gara nuk është për të mbërritur diku. Është për të mos zbritur kurrë nga pista. Dhe shoku Sali, si çdo hero i vetëshpallur, lufton trimërisht… kundër kujtesës. Por kujtesa, për fat të keq për të, nuk lodhet.
Komente










