Ilir Gjoni: Shqipëria ka rrjedhje
të informacioneve sekrete

Ilir Gjoni: Shqipëria ka rrjedhje <br />të informacioneve sekrete
TIRANE- Numri dy i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni për "Shqiptarja.com" tha se NATO ka qënë e shqetësuar për rrjedhjen e informacioneve sekrete nga Shqipëria. Ai flet për ligjet dhe qëndrimin e Berishës ndaj institucioneve Kushtetuese.

Në komisionin e sigurisë kanë ardhur shumë ligje nga mazhoranca. Cili nga ligjet ka qenë rrezik për cënimin e sigurisë kombëtare?
Indirekt mund të them si moment deciziv është miratimi i buxhetit e diskutimet që bëhen gjatë procesit të marrjes në shqyrtim të tij. Në pikpamjen tonë si opozitë, buxheti që i alokohet institucioneve të sigurisë në mos cënon sigurinë kombëtare të paktën, s'ndikon pozitivisht në forcimin e fuqizimin e saj.

Ka raste konkrete...?
Mjafton të përmend rastin e SHISH ku fondet e alokuara janë minimale e aspak të mjaftueshme për një funksionim normal në përmbushje të detyrave kushtetuese, apo Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga deklarimi bombastik i 2% të GDP, sot jemi në nivelin e 1.1%. Kjo mbështetje e mangët, e denoncuar ashpër nga opozita, ndikon ndjeshëm në sigurinë kombëtare. FS kanë 49 objektiva force. Secili prej tyre ka një kosto financiare. Afati i përmbushjes së tyre është viti 2018. Me fondet e alokuara ato s'munden kurrsesi të realizohen. Shihni rastin më të fundit sa i përket menaxhimit të emergjencës natyrore se çfarë boshllëqesh e mungesë kapacitetesh skandaloze kanë strukturat e sigurisë dhe të mendosh se në kuadrin e NATO edhe vendi ynë është pjesë e një sërë komitetesh e bordesh të planifikimit teknik, që punojnë direkt nën drejtimin e Komitetit të Lartë për Emergjencat Civile.

Po ligje të tjera që kanë cënuar integritetin...?
Në legjislaturën e kaluar Kuvendi me propozimin e maxhorancës ka bërë një nga krimet më të rënda që mund ti bëhet shtetit shqiptar, ka hequr me ligj kufijtë shtetërore përmes miratimit të ligjit nr 9861 date 24.1.2008 "Per Kontrollin dhe Mbikqyrjen e Kufirit Shteteror". Me shfuqizimin e Ligjit 8771 të vitit 2001 në tërësi e në mënyrë të veçantë shfuqizimin e nenit 3 të tij, Shqipëria ka humbur vijen ndarëse të ujrave territoriale, koordinatat e të cilës përcaktoheshin nga ky nen. Me përcaktimin e dhënë kufiri shtetëror përcaktohet me marrëveshje të cilat ratifikohen nga Kuvendi apo traktatet dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera.

Që do të thotë...?
Një përkufizim i tillë i rrezikshem shtron disa pyetje: a.deri në momentin që s'kemi nënshkruar e për rrjedhoje s'kemi ratifikuar marrëveshje me Greqinë e Malin e Zi, a ka kufij detarë Republika e Shqipërisë me këto vende? b.për sa kohë me Greqinë ende s'kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje dypalëshe për kufirin tokësor, a është i vlefshëm Protokolli i Firencës(1925) për sa kohë që neni 3 i ligjit kërkon traktat dypalesh apo shumëpalësh e jo Protokoll?

Po ligji për SHISH...?
Rast skandaloz e me pasoja ishte dhe tentativa për të shkarkuar kreun e SHISH vetëm për të kënaqur epshet politike të Kryeministrit, tentativë e cila u hodh poshtë falë rezistencës së opozitës e pjekurisë politike të disa deputetëve të maxhorancës.

Ka akuza se NATO s'ka preferuar më që të kalojë informacione sekrete përmes institucioneve tona, sa të vërteta janë dhe sa e cënojne integritetin e Shqipërise në sytë e ndërkombëtarëve?
Ka pasur disa momente të rrjedhjes së informacionit dhe sidomos rasti i humbjes së lap topit në Misionin tonë diplomatik në Nju Jork që kanë shqetësuar strukturat e specializuara të NATO-s. Ka pasur dhe grupe kontrolli për të parë menaxhimin e informacionit të klasifikuar. Kuptohet që këto s'ndikojnë pozitivisht në reputacionin e vendit dhe është detyrë imperative e qeverisë që të rrisë nivelin e sigurisë së informacionit të klasifikuar, sidomos atij që ka të bëjë me NATO.

Kryeministri deklaroi dhënien e shtetësisë për të gjithë ata të huaj që investojnë në Shqipëri 100 mijë euro. Komenti juaj?
Kryeministri ka një inflacion idesh që shpesh janë kthyer në objekt batutash e humori. Edhe për këtë të fundit thonë që Saliu pasi e ndriti me Shqipëria 1 euro tani ka kaluar në Shqipëria 100 mijë euro. Por kjo deklaratë e kryeministrit duhet marrë seriozisht pasi mbart në vetvete disa rrisqe e kërcënime serioze për sigurinë e vendit. Potencialisht kushdo që ka qëllime të mbrapshta, kriminale apo terroriste mund të përfitojë lehtësisht nga kjo "dhuratë" e Berishës, duke e kthyer vendin tonë në një platformë sulmi apo veprimtarish kriminale në dëm të interesave të vetë shqiptarëve, por dhe të vendeve të tjera. Për fat Kushtetuta parashikon që ligji për shtetësinë miratohet me 3/5 e ne si opozitë s'mund kurrësesi të pranojmë një propozim të tillë donkishotesk.

Do ndikonte ndryshim i tillë në procesin zgjedhor?
Ka një dyshim të bazuar se kjo nismë tentohet edhe për t'u mundësuar personave që mund të kenë përfituar abuzivisht biznese e prona në Shqipëri e për t'jua lehtësuar veprimtarinë abuzive. Sa për procesin zgjedhor s'mund të them diçka konkrete, por mundësia e abuzimit me të ekziston. Për më tepër po të kihet parasysh se ka një mungesë koherence në deklarimet e zyrtarëve të lartë të shtetit sa i përket numrit të personave që kanë përftuar pasaporta biometrike përmes alterimit të identiteteve. Nëse Teliti në një seancë dëgjimore në Komision vjet deklaroi se numri i personave të identifikuar është 500, në një informacion që i kam kërkuar Ministrisë së Brendshme sivjet, bëhet fjalë për 249?

Përpara kemi zgjedhjen e Presidentit, dhe me radhë emërimet e kreut të SHISH, Prokurorit të Përgjithshëm. Nëse zgjidhet një president jokonsensual, si e mendoni fatin e institucioneve?
Në gjykimin tim ka vetëm një përgjigje për pyetjen tuaj dhe ajo është e lidhur me zgjedhjet e përgjithshme dhe përmbysjen e këtij regjimi që ka akaparuar çdo pushtet. Mesazhet e opozitës dhe të ndërkombëtarëve kanë qënë të qarta, larg duart nga këto institucione.

Vlerësimi juaj për qëndrimin e ndërkombëtarëve e ecurinë e procesit të zbardhjes së përgjegjësve të vrasjes së katër demonstruesve më 21 janar?
Për mua, partnerët tanë ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se drejtësia duhet të vihet në vend. Kjo është thënë jo vetëmn përmes deklaratave të pëshkallëzuara, por dhe me veprime e ndihmë konkrete siç qe rasti i kontributit të FBI për identifikimin e armës të njërit prej vrasësve. Personalisht mendoj, se këto ishin vrasje politike me qëllim. Urdhëruesit janë ish Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri si majat e zinxhirit të komandimit të Gardës. Të shpresojmë se drejtësia do vihet në vend, pasi fatkeqësisht, dhe siç e kemi parë shpesh këto kohët e fundit, sistemi i drejtësisë është pothuajse tërësisht i kapur e nën thundrën e Sali Berishës.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore