Historia e 13 infermiereve amerikane mund të shpëtojë shumë prej nesh

Historia e 13 infermiereve amerikane mund të shpëtojë shumë prej nesh

Infermieret amerikane tregojnë këpucët e tyre të konsumuara pas shpëtimit nga shqiptarët. Bari janar 1944

Në muzeun Bunk’Art1 është një dhomë me dokumente dhe materiale të çmuara: Copëzat e mbetura nga avioni amerikan që me 8 nëntor 1943 bëri ulje emergjente në liqenët e Belshit me 13 infermiere, po amerikane, dhe pjesë të ekuipazhit në bord. Ruhen në këtë hapsirë muzeale dëshmi dhe histori njerëzore si ajo tragjike e Kostaq Stefës, përkthyesit dhe shoqëruesit beratas që i ndihmoi në rrugën drejt shpëtimit dhe kthimit në Bari të Italisë. Tregohet itinerari dhe peripecitë për të ecur në këmbë mes maleve dhe dimrit të acartë të 1943-shit nga Belshi deri në Karaburun, ku do të vinte anija aleate për t’i marrë; një shpëtim që la pas, në vendin tonë të vogël djegie, hakmarrje të gjermanëve ndaj shqiptarëve që i strehuan, por më e tmerrshmja, hakmarrjen e mëvonshme të shqiptarëve komunistë ndaj përkthyesit Stefa dhe familjes së tij.  Askush nuk del nga ajo dhomë muzeu pa u përlotur dhe pa reflektuar.

Bazuar në këtë ngjarje, gazetarja Rudina Xhunga ka bërë një dokumentar tepër prekës: https://www.youtube.com/watch?v=uqmKyzC7Its. Ndërsa gazetarja flet me dëshmitarë, ndërsa udhëton në gjurmët e fshatrave që strehuan, ushqyen, veshën e mbathën infermieret dhe amerikanët e ekuipazhit bashkë me to,  zbulon dhe tregon me historinë e zemërgjerësisë deri në vetëmohim të shqiptarëve, se si kanë mbetur sot këto shtëpi, këto fshatra, këto zona.

Mes një bukurie të një natyre të mrekullueshme, mes maleve, pyjeve, lumenjve, kanë mbetur të rrënuara ato streha që u bënë mbështetja e një historie gati hollivudiane, por që me realitetin dhe vërtetësinë e saj e kapërcen edhe skenarin më të bukur që mund të kemi parë ndonjëherë nga filmat që kanë bërë historinë e kinematografisë botërore.

E vërteta e 13 infermiereve amerikane dhe e fshatarëve shqiptarë që i ndihmuan të shpëtojnë nga kapja dhe ekzekutimi i gjermanëve, është aq e bukur sa madhështia e saj perceptohet vetëm nëse secili do të mund ta bënte në këmbë atë ecjen prej ditësh të tëra që ato kryen në dimrin e acartë nga Belshi deri në Karaburun, në gjirin e Inglizit, nga ku anija do t’i merrte për t’i kthyer në Bari.

Por nëse do ta bënim në këmbë sot gjithë atë itinerar, do të kuptonim e do të zbulonim se në varfërinë dhe bukurinë e atyre shtëpive të mbetura rrënoja, në ato fshatra të varfër, tek ata njerëz modestë, edhe sot e kësaj dite ruhet, bashkë me histornë e përjetimit të ngjarjes së avionit amerikan, një bukuri njerëzore që është zbehur qyteteve. Aty, fle përkohësisht sekreti i forcës, i besës, i sakrificës, i fjalëmbajtjes shqiptare, që sot nuk dëgjohet, ndjehet, vërehet nga zhurma e fortë që mbulon bashkëjetesën.

Nëse shumë prej nesh sot kërkojnë se si t’i shpëtojnë besës së prerë, intrigave, vulgaritetit, gënjeshtrave, le të bëjnë rrugëtimin që shpëtoi infermieret amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore  në shtyllën kurrizore të Shqipërisë dhe të vlerave më të larta njerëzore. Janë aty! Nuk kanë humbur! Vetëm janë rrënuar... përkohësisht. Ky udhëtim mund të shpëtojë dhe shumë prej nesh.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë