Avokati Alban Duraj, komentoi vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila sot i rrëzoi presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’.

Avokati i Ilir Metës Kujtim Cakrani tha se Meta nuk mund të lërë garanci pasurore në këmbim të lirisë sepse nuk ka pasuri, por ai u tregua i gatshëm të ofrojë pronat e veta për ta liruar.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, lidhur me këtë Duraj tha se garancia pasurore nuk është kusht për lirimin. Ai tha se pasuritë që Meta ka zotëruar më parë kanë qenë në emrin e ish-gruas së tij Monika Kryemadhi.

‘Kur bëhet fjalë për puna për lehtësimin e masës së sigurimit personal, është e mundur që të dalë garantë, pra është një nga kushtet por s’është vendimtare. Pra, nuk është se garancia pasurore luan rol të rëndësishëm në lirinë e një personi. Nëse do të kishte rënie të akuzës, pra Prokuroria mund të hiqte disa nga akuzat që ka depozituar në gjykatë për gjykim paraprak, atëherë kjo është një nga kriteret ose kushtet që e mundëson masën e zvendësimit të masës së sigurimit personal.

Besoj se sa kohë avokati i tij është shprehur në këtë formë, ai e di se zoti Meta nuk ka pasuri, pra nuk i ka në emrin e vet por i ka pasur në emrin e Kryemadhit. Kryemadhi mund të kishte qenë personi që ka bërë deklarimet pranë ILDKPI sipas edhe asaj që ka deklaruar zoti Meta, ndoshta edhe për shkak të divorcit, ia ka kaluar pasurinë Kryemadhit’, tha ai.

Avokati Duraj theksoi gjithashtu se Prokuroria mund të vendosë ndryshimin e akuzës në rast se fakti penal nuk provohet.

‘Sot u bë seanca për zvendësimin e masës së sigurisë personal për Ilir Metën dhe sipas avokatit, i cili u shpreh në mbyllje se kjo kërkesë u bë me argumentin se kishte qëndruar gati pesë muaj pa u zhvilluar seanca paraprake. Seanca paraprake në gjykatë për të gjithë qytetarët që nuk kanë një proces të qartë ligjor, pra përgatitja e seancës paraprake, është verifikimi i të gjitha procedurave që Prokuroria ka ndërmarrë lidhur me hetimet, lidhur me shkeljet kërkesat që kanë pasur palët që janë nën cilësinë e të pandehurit, provat që ata kanë paraqitur. Prokuroria gjithashtu mund të vendosë, nëse nuk provohet fakti penal mund të vendos edhe ndryshimin e akuzës’, tha ai.