Kryetari i LSI në një intervistë për emisionin "Fakt" ka nënvizuar faktin se ende nuk është përcaktuar për koalicionin ndërkohë që shprehet për marrëdhëniet me Berishën, Ramën dhe sa mundësi ka që të bëhet kryeministër.

E përjashtoni sërish mundësinë e aleancës përtej grupit të qeverisë apo jo?

Unë besoj se kjo do përjashtonte votën. Por për sa i takon çështjes së koalicionit për të ardhmen, mendoj se ne jemi në një koalicion i cili funksionon në mënyrë të qëndrueshme, i cili ka edhe mjaft sfida për të përballuar dhe i cili natyrisht në fund të periudhës 4 vjeçare bën dhe bilancin e tij. Ndaj çdo përpjekje për të më motivuar mua sot për të kaluar në qëndrime që i takojnë një kohe e një momenti tjetër politik janë të pasuksesshme.

Po për KQZ...?

Ne jemi në një komunikim shumë konstruktiv me përfaqësuesit kryesorë të Partisë Demokratike edhe për këtë çështje. Ne do të kontribuojmë në mënyrë shumë konstruktive që KQZ-ja e ardhshme të jetë sa më profesionale dhe me një integritet sa më të lartë.

Votuat Presidentin, keni marrë garanci nga Berisha se Prokurori i Përgjithshëm do të propozohet nga LSI?

LSI asnjëherë nuk ka bërë kushtëzime të tilla sepse këto do të ishin kushtëzime të paprincipta. Për këtë çështje ka dy aktorë të rëndësishëm, që janë Presidenti dhe Parlamenti.

A do të japë LSI votat për një Prokuror të Përgjithshëm të propozuar nga Presidenti pa u konsultuar me ju?

Çështja më e rëndësishme nuk është thjesht konsultimi por çështja më e rëndësishme është integriteti i personit që do propozohet, besueshmëria që ky person do mund t'i japë pavarësinë e munguar dhe profesionalizimin e domosdoshëm këtij institucioni por njëkohësisht edhe besueshmërinë që nuk do të jetë palë e askujt për interesa politike.

A keni biseduar me presidentin për këto kritere që duhet të plotësojë sipas jush Prokurori i Përgjithshëm?

Jo nuk kam biseduar sepse unë nuk kam asnjë arsye që të marr iniciativa të tilla, të cilat nuk janë të miat.

Por keni votat përcaktuese zoti Meta.?

Natyrisht çështja e votës ka të bëjë me momentin kur çështjet vihen në diskutim, pra vihen në rendin e ditës.

Si bllokues i tentativës së z.Berisha për të drejtuar SHISH, keni pasur informacione për këtë lëvizje dhe a është konsultuar edhe me ju Berisha apo Presidenti?

Në momentin kur u mor një iniciativë për ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ, unë kam qenë në detyrën e ministrit të Jashtëm dhe për arsye dhe të pozicionit që kam pasur, kam qenë në dijeni të detyrimeve që ka pasur Shqipëria që pas anëtarësimit në NATO, për një periudhë 3-vjeçare në mos gaboj, të mos kishte ndërrime në disa pozicione të caktuara të drejtimit ku hynte dhe ky funksion. Ky zëvendësim nuk ka qenë i papritur, edhe për arsye të kohës tepër të gjatë në një funksion të caktuar por edhe për arsye të tjera. Kështu që kjo ka qenë një kompetencë apo një marrëdhënie mes Kryeministrit dhe Presidentit dhe këtë ata e kanë përmbushur përgjegjësinë e tyre.

Kur jeni takuar për herë të fundit me Kryeministrin Berisha?

Në mos gaboj para 10 ditësh. Takim normal. Shkëmbime mendimesh.

A keni folur për koalicion të mundshëm z. Meta?

Mendoj se z.Berisha është gjithashtu shumë i qartë në raport me LSI, dhe mendoj që ky është një raport që ka qenë tepër korrekt.

Cili është gjykimi apo perceptimi juaj mbi korrektësinë e Sali Berishës në raport me marrëveshjet?

Unë mendoj se ai ka qenë personalisht tepër korrekt dhe deri tani personi më korrekt në politikën shqiptare që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj.
Çfarë ju bën të jeni jo i prerë për koalicion në të ardhmen?

Përgjegjshmëria, respekti ndaj institucioneve, sepse raportet apo koalicionet s'kanë të bëjnë thjesht me korrektësinë e individëve apo qoftë e të liderëve. Këto janë raporte në radhë të parë midis forcave politike ndaj dhe unë nuk mund të zëvendësoj forumet e LSI përveçse gjithashtu e kohës që mbetet ende për të funksionuar në koalicionin për të cilin ne kemi rënë dakord dhe i cili ka ende mjaft sfida.

Krijimi i FRD dhe AK ju ka venë në një presion për të qenë sërisht në koalicion me mazhorancën aktuale?

Ajo që ndihemi tepër të bindur është që pesha e LSI vjen vazhdimisht në rritje dhe se rezultati ynë do të jetë akoma më i mirë dhe më i qëndrueshëm se sa i zgjedhjeve të fundit vendore.

A jeni i bindur që LSI më vitin 2013 do jetë përsëri përcaktuese?

Më e rëndësishmja për ne është që LSI të rris mbështetjen e saj elektorale dhe ndikimin pozitiv për të ardhmen që përfshin dhe ndikimin në qeverisjen e ardhshme.

Në rast se qeverisja e re ndërtohet nga një aleancë pa pasur nevojën e LSI, a mund të themi se Meta ka dështuar politikisht?

Nuk besoj se të jesh në opozitë do të thotë se ke dështuar dhe se të jesh në qeveri patjetër do të thotë se je i suksesshëm. Natyrisht rezultati është shumë i rëndësishëm por pa dyshim që një LSI me 15 apo me 20 deputetë dhe në opozitë do të ishte më e suksesshme sesa një LSI me 5 apo 6 deputetë dhe në qeveri.

Z. Rama ka deklaruar se në rast se s'fiton zgjedhjet, dorëhiqet. Po ju..?

Natyrisht në rast se LSI nuk do të arrijë një rezultat më të mirë dhe unë do të më duhet të rishoh vetveten.

Ka kohë LSI deri në 2013-ën të mendojë për ndryshime ministrash?

Nuk mendoj se ndërrimi është qëllim në vetvete. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të pasur në konsideratë këtë gjë.

LSI merr apo nuk merr mandat pa Dritan Priftin?

LSI ka treguar rritje dhe do tregojë rritje edhe pas zgjedhjeve të vitit 2013 në të gjithë Shqipërinë.

Ku do të kandidojë z. Meta në 2013-ën, në Tiranë apo në Berat?
Unë kandidoj kudo. Kjo është një çështje që do tu takojë forumeve të LSI-së, studimeve që do të bëhen.

A qëndroni idesë apo dëshirës për të qenë sërish kryeministër i këtij vendi?

Kjo është një çështje tjetër. Nuk është një çështje dëshire, nuk është një çështje kurioziteti. Kjo është çështje përgjegjësie dhe mundësie. Është një çështje, e cila nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë asnjëherë një sfidë personale as për mua, por mendoj as për të tjerët.

Ka një perceptim se ju dhe zoti Rama keni mosmarrëveshje për një arsye të vetme, që është për qenë sërish kryeministër për ju dhe kryeministër për herë të parë për zotin Rama...?
Po unë e kam konsumuar këtë çështje që përpara 12 vjetësh në kuptimin e të provuarit të kësaj përgjegjësie dhe në këtë drejtim shpesh jam paragjykuar më pas sikur ky ka qenë i vetmi qëllim i gjithë angazhimit tim politik. Por, koha ka treguar që unë jam shumë fleksibël e shumë i përgjegjshëm për të kushtëzuar me sfida personale procese politike që në fund fare nuk i nënshtrohen thjesht dëshirave të individëve por duhet t'i nënshtrohen votës së qytetarëve dhe zgjidhjes që kërkojnë këta të fundit.

Si e shikoni Tiranën pa Edi Ramën?

z.Rama mendoj që ka prodhuar më shumë politikë gjatë këtij viti pa qenë në krye të Bashkisë së Tiranës.

A është e vërtetë që z. Rama është i gatshëm të ofrojë 5 vende për emrat nga LSI në listat e PS? A do të pranoni ...?

Këto janë spekulime kafenesh, të rëndomta. Kjo është një çështje që do të marrë përgjigjen e saj në kohën e duhur. Qëllimi i LSI-së ka qenë dhe mbetet gjithmonë që të marrë votat që i takojnë dhe mandatet që i takojnë.

Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)