Ilir Yzeiri: Athina ose dalja nga burgu i inferioritetit kolektiv

Ilir Yzeiri: Athina ose dalja nga burgu i inferioritetit kolektiv

Takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi, është një tekst që shenjon për herë të parë nivelin më të lartë të ligjërimit publik të shtetarit më të lartë shqiptar të kohës së re. Jo vetëm se ai theu disa klishe dhe rrëzoi disa stereotipe në komunikimin ndërballkanik, por sepse ai e vendosi Shqipërinë dhe shqiptarët në një pozicion të ri komunikacional.

Deri më sot ligjërimi i të gjithë udhëheqësve apo drejtuesve shqiptarë nga periudha e Pavarësisë e këtej ka qenë një monolog që shtillej në salla të mbylluar ose në areale ndërkombëtare ku shqiptarët as nuk njiheshin si shtet serioz dhe as nuk përfilleshin si entitet europian. Vetëm Fan Noli në krye të delgacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920, në fjalimin e tij me rastin e pranimit të Shqipërisë në këtë Lidhje, i pat mahnitur të gjithë dhe sidomos drejtuesit e lartë të asaj Organizate qoftë me anglishten perfekte, qoftë  me argumentet, por dhe me narrativën e shkëlqyer prej historiani të klasit të parë dhe diplomati të madh, atëhere kur paraqiti Shqipërinë si një vend i lashtë me tradita të thella humanizmi, trim, por edhe modern sepse nuk ishte përfshirë kurrë në luftëra fetare.

Për ta kuptuar Shqipërinë ai tha se po u tregoj vetëm këtë gjë : në krye të delegacionit jam unë një prift ortodoks. Si mund të thuhet që ne jemi një vend mysliman kur atë vend e përfaqëson një prift që përfaqëson komunitetitn e tretë fetar në vend. Historia rrodhi shpejt dhe Shqipëria, për fat të keq, nuk pati kohë gjatë Pavarësisë që të konsolidonte një shtet modern e demokratik. Plagët e hapura nga luftërat shoviniste dhe konfliktet e egra me Greqinë e Serbinë apo edhe me planet aneskioniste të Italisë e Austro-Hungarinë deridiku, shënjojnë gjithë historinë e Pavarësisë që nga shpallja shtet më vete e deri të fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare. Edhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e rrezikoi integritetin territorial të Shqipërisë, por, në fund, komunistët ia dolën ta ruajnë atë dhe për ta çuar deri në ekstrem egoizmin dhe lavdinë e tyre, zgjodhën mbylljen e vendit. Tani Shqipëria po futej në periudhën më të errët të komunikimit ndërkombëtar.

Pas fjalimit të Enver Hoxhës në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë në Moskë, liderët e diktaturës ndërtuan ligjërimin e monologut afektiv dhe e ndërprenë në mënyrë tragjike komunikimin me botën. Letërsia politike që prodhohej në Shqipëri në të cilën tregohej vetëm heroizmi dhe triumfi partizan e socialist ishte si një film pa zë që nuk qarkullonte. Ndaj Shqipërisë ishin riaktivizuar me më shumë forcë klishetë e vjetra dhe stereotipitë e njohura si popull gati primitiv dhe i pazhvilluar. Pas viteve ’90 ne iu ekspozuam Perëndimit me anën tonë më të dhimbshme- varfërinë dhe marrëzinë. Krenaria që kishin reklamuar rilindësit dhe komunistët më shumë ishte shkelur me këmbë. Tani ne po paraqiteshim si populli më inferior i rajonit. Inferioriteti kolektiv u bë shenja e një kombi dhe e një popullsie që kishte jetuar me dinjitet në një periudhë të vështirë historike. Ajo që ndodhi më pas me ardhjen e Berishës në pushtet dihet. Dinjiteti ynë u plandos në tokë edhe dy herë të tjera : në fillim me dhunimin e zgjedhjeve të vitit 1996, pastaj me piramidat dhe me rebelimin e armatosur që shpërtheu në vitin 1997. E përfytyroni se çfarë njolle i kishim vënë vetes deri në këtë periudhë. Rënia e diktaturës u shenjua po ashtu edhe nga një dukuri tjetër : emigracioni masiv.

Asnjëherë më parë shqiptarët nuk ishin larguar nga vendi si pas viteve ’90. Greqia ishte destinacioni i parë dhe Italia po ashtu. Tragjeditë, poshtërimet dhe dhuna që kanë përjetuar bashkëpatriotët tanë në këtë periudhë ende nuk e kemi treguar ashtu si duhet. Por plaga më e rëndë ka qenë inferioriteti. Emigrantët tanë, për shkak të marrëzive që prodhonte vendi i tyre, shiheshin si qytetarë të dorës së dytë apo të tretë. Pikërisht këtu futet në lojë Edi Rama. Qysh me ardhjen në krye të shtetit shqiptar ai u përpoq që të ridimensiononte dhe të pastronte imazhin e shqiptarit dhe të Shqipërisë. Në politikë dhe në sociologji ka një maksimë : imazhi i atij që drejton ndikon në mënyrë të pakthyeshme në imazhin e vendit apo të grupit shoqëror që ai përfaqëson. Edi Rama hyri në skenën politike shqiptare me një formim intelektual e kulturor europian. Në anën e tij politike ka ndikuar narrativa romantike shqiptare, por edhe ajo realiste e Nolit apo e Konicës. Ka lënë gjurmë të thella interesi i tij dhe ambiacia europiane. Bëni një krahasim me Vuçiçin dhe Micotaqisin.

Presidenti serb ka në formimin e tij narrativën serbomadhe, mitet dhe legjendat vrasëse të tekstit serb. Ai e sheh veten si përfaqësues i një konteksti historik e kulturor në qendër të të cilit është Serbia e madhe, miti i ndërtuar nga narrativa fetare dhe luftërat për të fituar mbi imagjinatën e një populli që ende mendon se është viktimë e vitit 1389. Micotaqisi po ashtu. Narrativat e megaliidhesë, vorioepirit, Heladhës dhe fantazma e Greqisë që u gjymtua në Konstandinopojë, Vorioepiri vijojnë të shërbejnë si kontekst i frymëzimit të padukshëm politik të tij. Edi Rama e njeh këtë dhe e ka kuptuar atë nga teksti që kanë lënë trashëgim në kulturën e tij autorët e mëdhenj të Rilindjes dhe Pavarësisë. Por në formimine tij ashtu si në atë të elitave më të mira shqiptare është kultura dhe letërsia europiane e amerikane. Me këtë qasje europiane dhe me formimin intelektual e kulturor të një niveli të admirueshëm ai e ngriti përfaqësimin e Shqipërisë në Europë e më tej në një nivel të panjohur më parë. Theu klishenë e Francës që nuk e vlerëson Shqipërinë. Organizoi Samite europianë në mes të Tiranës. Është i ftuari më i zgjedhur nga të gjitha kancelaritë perëndimore. Një mik i madh i SHBA-ve. Me këtë reputacion dhe me këtë famë ai, në të njëjtën kohë, e ridimensionoi edhe portretin e shqiptarëve në botë.

Ai në këto kohë luftoi dhe ia arriti që ta vrasë inferioritëin tonë kolektiv. Fjalimi i tij në Athinë në takimin madhështor me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë atje mund të lexohet në disa anë. Askush nuk e përmend, por ai takim ishte një festë. Sot ne po jetojmë në kohën e manifestimeve të dhunshme. Kampuset univeristare amerikane dhe europiane janë kthyer në vatra protestash të mëdha kundër luftës dhe po artikulojnë edhe slogane anti-Izrael të padëgjuara më parë. Klima e urrjetjes dhe e luftës po bëhet e frikshme në Europë e në botë.

Kryeministri shqiptar mbledh në Athinë bashkëpatriotët e tij dhe shpalos platformën e paqes e të së ardhmes. Në asnjë resht të fjalës së tij nuk kishte as revansh dhe as dhunë. Por shumë dinjitet. Tani, Edi Rama ka të gjithë të drejtën që t’i kujtojë Greqisë se historia nuk harrohet. Në qoftë se deri tani të parët tanë kanë bërë monolog me veten dhe kanë numëruar fantazmat e fitoreve apo të humbjeve, tani shqiptarët kanë dinjitetin që t’u tregojnë grekëve por edhe të tjerëve të vërteta historike ashtu siç janë. Sepse tani shqiptarët e shpërthyen burgun e inferioritetit kolektiv. Vitaliteti që kanë treguar emigrantët shqiptarë kudo në botë, puna dhe talenti i tyre për t’u integruar e për të arritur suksesin, meriton edhe një mirënjohje dhe një vlerësim real.

Sot shqiptarët kanë një kryeministër që i përfaqëson me dinjitet dhe i siguron ata se nuk janë inferiorë ndaj askujt.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gazetarua: 14/05/2024 00:22

    Artikull interesant. Po vecoj paragrafin mbylles: “Sot shqiptarët kanë një kryeministër që i përfaqëson me dinjitet dhe i siguron ata se nuk janë inferiorë ndaj askujt.”

    Përgjigju
    • Delua: 14/05/2024 07:43

      Ahahahaah

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje