Ilir Yzeiri: Luçia matanë detit na kujton

Ilir Yzeiri: Luçia matanë detit na kujton

Rama dhe Yzeiri në premierën e dokumentarit 'Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik'

Zogj të bukur këndojnë me hare,
Po zemra do më plasë mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe,
Mërzitem në katund, në vetmi.

Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit
Aqsa vetëm pushoj kur bie në gjumë.

Arbëria matanë detit, na kujton,
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron,
Që ne turku na la pa mëmëdhe.

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon

Por fryn era dhe akull më zë,

Se ç’ka qënë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e flë.

Kjo është poezia e famshme e Zef Serembes, një prej poetëve të mëdhenj shqiptarë, të aytre që në jemi mësuar t’i thërrasim arbëreshë për shkak se, pas vdekjes së Skënderbeut, gjatë migrimit të madh në Itali, ata bartën me vete edhe emrin me të cilin thirrej Shqipëria në atë kohë- ARBËRI dhe banorët e saj arbëreshë. Të martën, më 5 nëntor 2024, në kinema « Milenium » u shfaq doklumentari im « Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik » (1479-1552). Po çfarë i lidh këta dy personalitete, poetin tonë të madh Zef Serembe dhe studiuesen e mrekullueshme të historisë së shqiptarëve ose Edit Durhamin e kohëve moderne, Lucia Nadin. I lidh harresa. Strofa e famshme e Sermbes

Arbëria matanë detit, na kujton,
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron,
Që ne turku na la pa mëmëdhe,

shënjon për fat të keq një nga defektet më të mëdha të të mënduarit tonë kolektiv që është amnezia kolektive

Se ç’ka qënë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e flë

Pikërisht në këtë dy vargjet e fundit përmblidhet puna e madhe e me pasion e Luçia Nadinit, venecianes që i ka kushtuar 30 vjet të jetës së saj zbulimit të dokumenteve të historisë së Shqipërisë. Ishte një rastësi fatlume për ne kur Ministria e jashtme e Italisë, më 1994 shpalli konkursin për të sjellë pedagogë për gjuhën italiane në fakultetin e gjuhëve të huaja në Tiranë dhe Luçia Nadin që kishte dy alternative, Moskën dhe Tiranën, zgjodhi kryeqytetin shqiptar. E, në mënyrë që të mësonte diçka për historinë tone, para se të vinte, këtu hyn në arkivat veneciane dhe… nuk del dot. Të mos harrojmë se Arkivi shtetëror i Venecias është vendi më i pasur në botë për dokumentet europiane të Mesjetës sepse, në atë kohë, Medheu ishte në një farë mënyrë qëndra e botës. Nuk ishte zbuluar ende Amerika. Ajo e rimerr edhe njëherë historinë e shqiptarëve duke u nisur nga vendi më i famshëm i Venecias, Pallati Dukal apo Salla e Këshillit të madh.

Aty, në tavanin e saj, krahas pikturës së famshme të Tintoretos, në të djathtë, është një tablo e Veronezes që ka përjetësuar fitoren në rrethimin e parë të Shkodrës ku u shqua Loredani. Që këtu ajo zbret në arkiva, shfleton dhe zbulon dokumentacionin e senatit ku shënoheshin emrat e të ardhurve, mes tyre edhe Barleti e plot të tjerë. Ndërton kështu një narrativë të tërë për historinë e Shqipërisë mesjetare dhe vëren se pas fazës së parë të emigrimit, nis integrimi. Shqiptarët integrohen në Venezia dhe lënë gjurmë kudo. Ndërtojnë Shkollën e Shqiptarëve në sheshin “Shën Maurizio” dhe fasada e saj ruhet ende edhe sot. Ishte një lloj vëllazërie ku mblidheshin shqiptarët për t’u interesuar për varrimet, për të ndihmuar ata që kishin nevojë e për të dhënë kredi sepse kishin edhe një bankë. Pastaj janë rrugët me emrin “Calle degli abanesi” që ruhen edhe sot e më tej kishat e shumta që kanë brenda tyre diçka nga Shkodra e Shqipëria.

Në Moniego ruhet një bust i “Madonës së Bukës” unik dhe që nuk ka asnjë si ai në gjithë Italine¨, që e pat sjellë nga Shkodra prifti shqiptar Alvise Grekolku. Në kishën e San Kassianit ruhet një tablo me skulptura druri të një prej skulptorëve më të mëdhenj të Rilindjes veneciane që është shkodrani Paola Kamsi. Historitë janë të shumta dhe Lucia Nadin i ka shkelur me këmbët e veta vetëm disa nga këto vende ku kanë lënë gjurmë shqiptarët për të mbërritur te figura e Skënderbeut. Ajo është e para që studion kontekstin mbi të cilin u botua vepra e Barletit Historia e Skënderbeut dhe ajo ka zbuluar me fakte se Heroi ynë i madh dhe vepra e tij e shpëtuan Venedikun nga denigrmi dhe lufta që i bënin papati dhe fuqitë e tjera të Europës duke e akuzuar si të padenjë e madje disa herë edhe e kishin shkishëruar. Duke treguar historinë e Skënderbeut si aleat i Venecias, dhe duke risjellë në skenë këtë atlet të Kishtit që ishte mbrojtësi më i madh i Krishtërimit dhe figuara më e madhe ushtarake e kohës, Luçia Nadin e nxjerr në një reliev të ri kryeheroin tonë dhe shpall se ai e kishte futur vendin e tij në lojërat më të mëdha politike europiane të kohës.

Këtë ajo e tregon me disa fakte, por për herë të parë ne shohim dhe kuptojmë se përse frontespici i veprës së Barletit ka ato figura. Ato i zbërthen për herë të parë Luçia Nadin dhe tregon se përmes atij frontespici rrëfehet historia e perandorisë së Romës nga Res Publika të Pernadoria e Krishterë dhe se figurës së Aleksandrit të madh i mbivendoset ajo e Kostandinit e këtyre të dyjave ajo e Skënderbeut. Në një tjetër kishë në Venecia, në atë të San Sebastianit që Nadin thotë se është një lloj Capella Sistine për shqiptarët, në tablonë kryesore në tavanin e kishës është flamuri shqiptar i Skënderbeut. Një tjetër zbulim i madh i saj janë Statutet e Shkodrës vepra monumentale që tregonte se si ishte organizuar jeta në Shqipërinë Mejsetare. Mjaft të kujtojmë, thotë ajo, se ato nisin me fjalën “Liberta”. Luçia Nadin është magjepsur nga historia jonë dhe e shpall me plot gojën se ne ishim pjesë e Europës dhe europianët më të zëshëm.

Po sot përse kemi rënë në gjumë, siç thotë Serembe? Përse jemi përfshirë nga amnezia dhe nuk dimë ta tregojmë veten tonë. Përse institucionet tona akademike nuk arrijnë të tregojnë dhe të zbulojnë dokumentet që flejnë në arkivat e Venecias, Romës, Stambollit apo Vjenës. Për fat të keq ky boshllëk disa herë mbushet me sharlatanët që këtë hapësirë e mbulojnë me idotësitë e narrativës folklorike. Luçia Nadin është një mundësi dhe një shembull që na kujton se këtë radhë Shqipëria këtej detit po harron

Se ç’ka qënë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e flë

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?