Ilir Yzeiri: Delirantë dhe delinkuentë

Ilir Yzeiri: Delirantë dhe delinkuentë

Sali Berisha

Deliri është një çrregullim i vetëdijes që, në disa raste, karakterizohet edhe nga simptoma e konfuzionit, çorientimit, zemërimit dhe nga gjendje halucinante. Ndërsa delinkuent në gjuhët neolatine është ai që kryen një vepër kriminale të parashikuar nga ligji. Sot skena më e rëndësishme e jetës publike shqiptare është e pushtuar nga një delirant dhe nga disa delinkuentë. Sali Berisha, në një gjendje deliri dhe konfuzioni, përpiqet ta kthejë statusin e tij si një i dyshuar për favorizim të korrupsionit për përfitim të dhëndrrit të tij, në një shfaqje patetike me britma për përmbysje, me monologje autoreferenciale ku ai e projekton veten herë si kryeministër i ardhshëm e herë si luftëtar që do të udhëheqë turmat. Rolet janë të ndara.

Në mbrëmje, në amfiteatrin e konceptuar si heroi i burgosur dhe trimat që e shohin lart, po shfaqet një nga risitë e papara më herët në asnjë vend tjetër. Edhe Lula, presidenti i Brazilit, para se të rraseshe në burg, mbante tubime me mbështetësit e tij, por në asnjë rast nuk ka ndodhur që nga arresti shtëpiak, pra nga ballkoni i katit të tetë, të dalësh çdo mbrëmje dhe të bësh monologje ashtu në delir duke recituar një tekst që nuk ka asnjë efekt mbi askënd. Fjalimet politike janë ose konstatime ose analiza apo kundërshti dhe, në raste fushatash elektorale, janë edhe premtime, thirrje për t’u mobilizuar për në qendrat e votimit e kështu me radhë.

Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një politikan i lartë si Sali Berisha, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar i partisë më të madhe opozitare PD-së, të pësojë turbullira dhe çrregullime të tilla sociopsikike sa ta kthejë rrugicën dhe shtëpinë e tij në një kompleks spitalor dhe vetë të shfaqet si një i lënduar të cilit, për hir të asaj që i ka rënë në kokë, e tolerojnë të gjithë. Shfaqjet e Berishës në majë të pallatit dhe fjalimet e tij të përnatshme janë të paklasifikueshme si tekste ligjërimore sepse nuk kryejnë asnjë funskion. Në ligjërim e në komunikim të folurit është një akt.

Marrja e fjalës në publik është po ashtu një veprim i cili i mundëson atij që merr fjalën para një auditori politik që ose të thotë një të vërtetë që të tjerët nuk e dinë, ose të nxisë ata që e dëgjojnë për një veprim të mundshëm dhe ose të jetë një mënyrë për të zbavitur ata që e dëgjojnë duke u recituar atyre ose duke u treguar atyre tekste që të bëjnë të qeshësh, të argëtohesh ose edhe të mendohesh në rastet kur monologu mund të jetë mbi filozofinë. Në rastin tonë, i hetuari nga SPAK për favorizim të dhëndrrit të tij në aferën « Partizani » artikulon vetëm gjendjen e tij të paqetë, gjithë ankth e urrejtje dhe, me qenë se është në delir, i përzien keq ato që thotë dhe ata pak njerëz që e dëgjojnë largohen duke mbajtur mend vetëm fatin e tij atje në majë të pallatit dhe asgjë tjetër.

Sa zbardh dita, dhjetë apo dymbëdhjetë delinkuentët e tij nisen drejt Parlamentit ose zyrave të Kuvendit dhe bëjnë atë që tani nuk ka më asnjë vlerë që të tregohet. Ligjet miratohen pa debate, qeveria punon si në vaj sepse delinkuentët e kanë përjashtuar fjalën nga qarkullimi demokratik. Ai që rri në majë të pallatit dhe reciton çdo natë e përdor fjalën si një i sëmurë delirant. Delinkuentët përdorin duart se mendjen e kanë harruar te rrugica dhe u ka rënë pas kur ngrejnë kokën e shohin lart nga kati i tetë. Tani, ka njeri të besojë se ne jemi një vend normal….

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 08/02/2024 14:27

    Z.ILIR YZEIRI JENI SHUME I SAKTE NE TE GJITHA SHKRIMET E JUAJA....RESPEKTE

    Përgjigju
    • Tuku: 08/02/2024 16:01

      Hallal mendjen dhe penen, z. Yzeiri.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore