Kur lexon librin « The decline and rise of democracy » të autorit Davide Stasavage, botuar në vitin 2021 dhe i pranuar si një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë për demokracinë, e kupton se ato pak elita që kemi ne dhe që përpiqen të trajtojnë problemet e demokracisë shqiptare nga pikëpamja teorike, në shumë raste, janë viktima të një teksti të mësuar keq dhe të praktikuar në laboratore tavolinash të ngeshme ku tirren lloqe në ajër të ndotur nga tymi i lloj-lloj naivitetesh.
Autori i këtij libri është ekonomist, sot dekan i Fakultetit të Shkencave politike në New York dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të SHBA-së. Ai është ndër të parët që ka pranuar nocionin e demokracisë së hershme dhe të demokracisë moderne dhe ndër të parët që lindjen e demokracisë nuk e lidh vetëm me Greqinë e lashtë, por me një traditë mijëravjeçare që ka në thelb marrëdhëniet ekonomike midis një komuniteti dhe atij që i drejton. Këtë libër, qendra e studimeve që unë drejtoj e ka përkthyer dhe në bashkëpunim edhe me Universitetin « Mesdhetar » do ta botojë së shpejti.
E bëra këtë parantezë sepse, disa herë, debatet që hapen për demokracinë në Shqipëri nuk ndërtohen mbi referenca, por mbi impresione dhe « inate demokratike » nga ato që e ka çuar ndonjë koleg deri në thirrjen që, për të mos votuar më Edi Ramën apo Berishën, bë thirrje të votojmë Arian Galdinin, sepse kështu shëndoshim demokracinë.
Përtej këtyre banaliteteve, nëse e hedhim vështrimin në vitet ’90, atëherë kur diktatura komuniste në këtë vend u shemb dhe në vend të saj u ndërtua një sistem politik me disa parti, do të duhet të pyesim nëse pas kësaj ngjarjeje ndërtuam demkracinë apo ndonjë sistem tjetër.
Na është thenë se demokracia mbështetet mbi tri ose katër shtylla kryesore: liria e mendimit dhe e fjalës, organizimi shoqëror shumëpartiak, zgjedhjet e lira dhe periodike, sistemi gjyqësor i pavarur, media e lirë dhe e pavarur, etj. Pastaj brenda tyre, e drejta e pronës private, inisiativa e lirë ekonomike, e mund të ketë edhe plot të tjera, të cilat gjenden në Kushtetutën e çdo vendi që synon të zhvillohet përmes demokracisë.
Pas rënies së Murit të Berlinit, vendet e ish-Lindjes Komuniste u përballën edhe me probleme të tjera dhe ndër to, më i madhi ishte ringjallja e nacionalizmit dhe disa herë ridimensionimi i kufijve që ishin lëvizur pas Luftës së Dytë Botërore. Masakrat e serbëve në Ballkan, shkërmoqja e ish-Jugosllavisë, ndarja e Çekisë me Sllovakinë, bashkimi i dy Gjermanive ishin shfaqja e butë e Europës që doli nga Lufta e Ftohtë, ndërsa ajo që po ndodh në Ukrainë sot dhe rishfaqja e agresionit të paparashikueshëm rus tregon se vendet që dolën nga diktaturat komuniste dhe ato që bënin pjesë në kampin sovjetik, nuk u përfshinë në ndërtimin e demokracisë, por nisën të realizonin ambiciet e lëna në mes të shteteve nacionale.
Në gjithë këtë vorbull, shqiptarët kanë qenë ndoshta më të fituarit. Si asnjëherë më parë faktori shqiptar në Ballkan është bërë dominant dhe fitorja e Pavarësisë së Kossovës falë Aleancës Perëndimore me SHBA-në në ballë dhe falë UÇK-së, është një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së shqiptarëve që i dha fund njëherë e mirë ëndrrës së rilindësve dhe gjithë patriotëve që kishin luftuar për çështjen shqiptare.
Mirëpo, ky zhvillim progresiv i shqiptarëve u ndesh me dhunën më të egër antidemokratike që ishte parë aq sa ndonjë herë ia kaloi edhe asaj komuniste. Njeriu që iu kundërvu kësaj prirjeje është ai që ka zaptuar edhe sot selinë e PD-së, Sali Berisha. Ky njeri që iu ngjit zhvillimve demokratike, duke qenë në krye të shtetit shqiptar shkatërroi jo vetëm idealin demokratik të shqiptarëve, por e deformoi modelin në mënyrë të tillë që sot është e vështirë të ringrihet. Shkatërroi sistemin e zjgedhjeve në vitin 1996, masakroi lirinë e medieve duke djegur redaksinë e gazetës « Koha Jonë », shkatërroi pronën private duke nxitur migrimin e brendshëm përmes rrëmbimit të tokave e trojeve, shkatërroi inisitivën e lirë përmes nxitjes së firmave piramidale dhe pastaj shkaktoi një nga përplasjet civile më të mëdha të historisë së shqiptarëve me mbi 3000 të vdekur në vitin 1997. Shqipëria u dogj dhe arkivat u shkatërruan. Biri i tij shpirtëror Ilir Meta vijoi të njëjtën masakër dhe në kohën që ai ishte kyeministër u vodh edhe Thesari i Shtetit.
Shqiptarët mendjelehtë ia dhanë edhe njëherë të drejtën për të qeverisur dhe këtë radhë ai shënoi rekorde të tjera kriminale si Gërdeci dhe vrasjet në Bulevard.
Kjo është historia e pasdiktaturës komuniste në Shqipëri. Dhe duam apo nuk duam ne reformat e para demokratike nisin në këtë vend kur në pushtet erdhi Edi Rama.
Vetëm nën qeverisjen e tij u bënë përpjekje që të respektohen e drejta e votës, që zgjedhjet të jenë normale, media e lirë dhe inisiativa ekonomike të respektojë lirinë e tregut.
Edi Rama është një personazh shumë i fortë politik dhe Shqipëria nën drejtimin e tij ka ndërruar faqe krejtësisht. Treguesit janë të shumtë, ashtu siç jo të paktë janë edhe ata që e kritikojnë apo e anatemojnë nga mëngjesi në darkë. Mirëpo, faktet janë kokëforta dhe i japin të drejtë atij. E para dhe më e rëndësishmja është reforma në drejtësi dhe ndarja me krimin. Pushteti i ndërtuar në Shqipëri pas rënies së diktaturës parakupttonte që udhëheqësi, pra Berisha dhe shpura e tij në këtë rast, kishin edhe policinë edhe prokurorinë edhe gjykatën e tyre. Sot një gjë e tillë nuk ndodh.
Reformat e thella ekonomike që i kanë hapur rrugën dinamizmit dhe bumit të ndërtimeve në vend janë produkt i kësaj klime të biznesit që është krijuar këtu.
Megjithëse Edi Rama në tri mandate, dy i kaloi duke menaxhuar tërmetin katastrofik dhe pandeminë globale, ai dhe mazhoranca që përfaqëson ia kanë dalë që të prodhojnë sukses. Edhe tani kur gjithë Europa është futur në krizë për shkak të luftës në Ukrainë, luftë që ka sjellë krizën e rëndë të energjisë, Shqipëria e ka menaxhuar në mënyrë optimale atë.
Sot Shqipëria është bërë një vend tërheqës për të huajt dhe të gjithë vënë re se hapat që janë bërë janë impresionues.
Në anën tjetër janë të gjithë ata që nuk e durojnë protagonizmin e Ramës për dymijë e një arsye. Të gjithë janë në të drejtën e tyre sepse në fund të fundit kjo është edhe një nga liritë që tani e gëzojmë me tepri : të themi çfarë të duam e si të duam, madje të arrijmë deri atje sa të bëjmë thirrje që për të mos votuar Ramën të votojmë me shumicë edhe mikun tim Arian Galdini. Ndërkaq, demokracia nuk preket nëse të gjitha ato që unë përmenda në fillim nuk shkelen. Nëse Edi Rama dhe socialistët janë më të votuarit sot, kjo nuk është defekt i demokracisë shqiptare, kjo është ajo që ndodh tani. Në zgjedhjet e fundit diferenca mes opozitës dhe pozitës u ngushtua mjaft. Nëse në lojë nuk do të ishte futur përsëri Sali Berisha dhe Meta, nuk është çudi që ajo diferencë të ruhej e opozita ta kalonte. Mirëpo, prania e Berishës dhe Metës si vjedhës të opozitarizmit nuk dëmton Ramën, por na bën të presim derisa opozita të shëndoshet vetë, jo me doktorët që e helmojnë.
Nje furcim i mrekullueshem per pushtetin e sotem.Z.Yzeiri,demokraci pa prone te kethyer tek ish pronaret nuk eshte demokraci.Ligjerimi i prones te grabitur,edhe nga kjo qeveri,nuk eshte demokraci por ,demotakercita.Shume parti,llafe me bollek pa bereqet(sic ndodh perdite ne medja e rruge)nuk eshte demokraci por anarshi.Mungesa edrejtesise,ku te"fortet" e partive dhe te rruges bejne ligjin,nuk eshte demokraci por maskarallek.Ne Shqiperi,nuk ka ne keto 32-vite asnje element demokratik.Keto qeverisje jane shume me te keqia se DIKTATURA qe e permbysem.Z.Yzeiri,eshte koha per reflektim e jo per mbreterim.Eshte detyre e cdo qeverie te sjell ndryshime ne progres dhe jo ne regres.A keni nje pergjigje Ju z.Yzeiri,se pse vazhdojne te largohen shqiptaret nga vendi i tyre dhe hemoragjia ka 32-vjet qe nuk shterret.Qeveria e ketyre 9-viteve ka bere perpjekie dhe permiresime ne vend por jo aq sa tu jape shprese shqiptareve.Kjo qeveri "mbreteron" se perpara ka vene alternativen Sali-Ilir e kompani qe vetem e renuan kete vend me qeverisjet e tyre.Jepini Qezarit ate qe i takon Qezarit.Jepi Edit aq sa i takon per punen e bere por gjithsesi ,koha e tij ka mbaruar PS-ja ka vajza e djem te afte e te talentuar per ta drejtuar vendin,ashtu si dhe forcat e tjera politike.Edhe uje i paster po ndenji shume ne shishe fillon e ze ere te piste.
Përgjigju