Filozofët dhe politologët thonë se e ardhmja e demokracisë ndeshet me vështirësitë në përfaqësim dhe me globalizmin. Te vështirësitë në përfaqësim ata përmendin sidomos « qeverinë e gjyqtarëve » dhe transformimin e lidhjeve përfaqësuese. Kur flasin për « qeverinë e gjyqtarëve » ata thonë se forcmi i pushtetit gjyqësor në dëm të atij legjislativ ka bërë që të lindë rreziku nga « qeveria e gjyqtarëve » dhe vendi i diskutimeve të zhvendoset nga Parlamenti në Gjykatën e Lartë dhe se diskutimet juridike marrin më shumë peshë se ato politike dhe se pushteti i fundit për të vendosur u jepet gjyqtarëve të emëruar dhe jo të zgjedhurve (shih Benoit Mercier, André Duamel, DEMOKRACIA, THEMELET, HISTORIA DHE ZBATIMI I SAJ, botim i Qendrës « Shqipëria Europiane »Tiranë 2003, f. 136).
Ky shqetësim vjen nga shtete me demokraci të konsoliduar si Kanadaja në këtë rast sepse atij vendi i referohet ky shembull. Po në Shqipëri çfarë po ndodh? Ndalimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Erion Veliaj në mënyrë flagrante dhe vendimi për ta mbajtur në burg sipas një hetimi që ka nisur mbi një kallëzim anonim, ka shtruar shumë pikëpytje mbi atë që u shpall me bujë si një nga arritjet më të mëdha në reformin e sistemit të drejtësisë dhe që ishte ndërtimi i një strukture të posaçme që do të luftonte korrupsionin, krimin e organizuar dhe terrorizmin, me emrin SPAK. Kësaj strukture iu dha edhe një kompetencë e jashtëzakonshme. Ajo, këtej e tutje, do të kishte edhe strukturën e saj të hetimit e të ndalimit me emrin BKH Byroja Kombëtare e Hetimit që ishte dhe është një lloj policie e fshehtë e që komandohet nga prokurorët e SPAK.
Ashtu siç kanë vënë re më parë edhe analistë të tjerë, kjo reformë kaq e thellë kryhet në ato raste kur vendi kalon në gjendje të jashtëzakonshme, sepse kjo strukturë nxjerr nga funksioni sistemin aktual të hetimit, ndalimit dhe të dhënies drejtësi. Është hera e dytë që Shqipëria vë në funksion struktura të tilla të posaçme. Në vitin 1945, komunistët, sapo morën pushtetin, ndërtuan Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale, detyra e së cilës ishte hetimi, ndjekja dhe gjykimi i bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, ose ata që me zhargonin komunist u quajtën kriminelë të luftës. Të gjithë e dimë se si përfundoi ajo lloj gjykate dhe se si u vranë e u burgosën të fajshëm e të pafajshëm.

Mirëpo një gjë ishte e qartë në atë kohë. Komunistët, edhe nën nxitjen e vendeve të tjera që kishin vuajtur nga krimet e nazifashizmit, e ndërtuan atë gjykatë me një objekt të caktuar, pavarësisht se mentaliteti dhe ideologjia komuniste vijoi praktikat gjakatare të dënimeve që përdornin edhe ato regjime që ajo pretendonte se i kishte mundur. Në vitin 2017, kur në Shqipëri filloi të flitej për reformën e thellë që duhej bërë në sistemin e drejtësisë, gjithë opinioni kishte parasysh se ky sistem ishte shkatërruar nga regjimi autoritar i Sali Berishës dhe se vendi ndodhej vërtetë në një gjendje të jashtëzakonshme, sepse sistemi i drejtësisë kishte falimentuar dhe vendi nga viti 1990 e deri në vitin 2017 kishte kaluar në kriza të rënda që kishin ardhur për shkak të veprimtarisë kriminale të qeverisë demokratike. Kështu, për shkak të qeverisjes së keqe të PD-së,Shqipëria kaloi në rebelim të armatosur dhe si asnjëherë tjetër, për shkak të humbjes tragjike të kursimeve në firmat piramidale, rebelimi i armatosur solli vrasjen e 3500 shqiptarëve. Mijëra të tjerë morën arratinë. Arkitekti i kësaj masakre ishte Sali Berisha që nuk u hetua asnjëherë për këtë krim shtetëror.
Ai erdhi përsëri në pushtet dhe gjatë dy mandateve të tjera 2005-2013, i shkaktoi vendit edhe dy tragjedi të tjera, Gërdecin dhe vrasjet e 21 janarit. Ndërsa akuzat e për korrupsion e minim të demokracisë iu bënë nga SHBA-të dhe Britania e Madhe të cilat e kanë shpallur dhe vazhdojnë ta quajnë non grata. Ndaj, ringritja e sistemit të drejtësisë mendohej se do të ishte një mundësi që shqiptarët të merrnin një përgjigje për drejtësinë e munguar, që kryearkitekti i këtyre masakrave të paktën të hetohej, dhe shqiptarët, më në fund, të shihnin se përse u prodhuan tre tragjedi mbi kurriz të tyre. Në vend të kësaj SPAK dhe simboli i saj Altin Dumani e drejtoi goditjen ndaj figurave të PS-së dhe e zëvendësoi gjithë këtë investim të jashtëzakonshme me një shfaqje banale e mediokre të një prokurorie provinciale. Kana kaluar pesë vjet dhe deri tani kjo strukturë që udhëhiqet nga Altin Dumani nuk ka sjellë asnjë shpresë për shqiptarët.
Hetimet e saj nuk kanë çuar para drejtësisë krimin e organizuar, por kanë çuar në dyert e gjykatave eksponentë të partisë socialiste duke shkatërruar kështu jo vetëm imazhin e drejtësisë së re, por duke u shfaqur si një organizatë që nuk udhëhiqet nga hetimi i krimit por nga pasionet politike. Shqipëria nuk ka përse të vazhdojë ta quajë veten si një vend në gjendje të jashtëzakonshme. Ndryshimi i gjeopolitikës dhe era e transformimeve të thella që po përfshin globin duhet të na bëjë të mendojmë se punët tona mund t’i zgjidhim vetë duke respektuar vetëm vullnetin e të zgjedhurve dhe jo duke ndërtuar struktura të posaçme si ato që ndërtuan komunistët pas mbarimit të luftës së dytë botërore.
SI.E./Shqiptarja.comKomente


Qartë dhe saktë zoti Yzeiri!Respekt
PërgjigjuShumë e drejtë...,ku është Shteti i së Drejtës?!..pse duhet të ketë Mbivendosje eksekutorësh?!Bravo Z.Yzeiri!
Përgjigjuna honshitmutttt
Përgjigjute lumt dora
Përgjigju