Kupa e Botës 2026 ka sjellë jo vetëm emocione në fushë, por edhe diskutime interesante rreth historisë dhe simboleve që mbajnë kombëtaret në fanellat e tyre. Një nga pyetjet që ka rikthyer debatet mes tifozëve është se përse Uruguai mban katër yje mbi stemën e tij, kur ka fituar vetëm dy Kupa Bote?
Çështja u bë edhe më e dukshme pas rastit të Egjiptit, i cili u detyrua të hiqte yjet që përfaqësonin titujt kontinentalë nga fanella e përdorur në Botëror, pasi rregulloret e FIFA-s nuk lejojnë shfaqjen e tyre në këtë kompeticion.
Ndryshe nga shumë kombëtare të tjera, katër yjet e Uruguait kanë një histori të veçantë. Dy prej tyre përfaqësojnë triumfet në Kupën e Botës të viteve 1930 dhe 1950, titujt e vetëm botërorë të fituar nga “Celeste”.
Megjithatë, dy yjet e tjerë lidhen me sukseset olimpike të viteve 1924 dhe 1928. Në atë periudhë, turneu olimpik i futbollit organizohej nga FIFA dhe konsiderohej si kompeticioni më prestigjioz ndërkombëtar i futbollit, para krijimit të Kupës së Botës.
Uruguai triumfoi në të dyja edicionet, duke fituar medaljet e arta olimpike në Paris 1924 dhe Amsterdam 1928. Për shkak të statusit që kishin këto turne në atë kohë, FIFA i njeh ato si arritje me vlerë botërore dhe i ka lejuar federatës uruguaiane që t’i përfaqësojë me yje në fanellë.
Kështu, ndonëse Uruguai ka ngritur vetëm dy herë trofeun e Kupës së Botës, ai mban katër yje falë dy titujve olimpikë që konsiderohen pararendës të kampionateve botërore moderne.
Suksesi i jashtëzakonshëm i turneve olimpike të futbollit në vitet 1920 ishte një nga arsyet kryesore që shtyu FIFA-n të krijonte Kupën e Botës në vitin 1930. Pikërisht në atë vit, Uruguai organizoi dhe fitoi edicionin e parë të Botërorit, duke vulosur vendin e tij në historinë e futbollit.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente










