Nëntë të dënuarit në procesin e konsideruar Imamët e vetëshpallur nën akuzë për terrorizëm e rekrutim luftëtarësh pritet që të mërkurën të dalin sërish para gjykatës. Në orën 10:30 të së mërkurës Apeli i Krimeve të Rënda do të vendosë për Imamët nëse do të lërë në fuqi dënimet e dhëna nga shkalla e parë apo të pranojë kërkesat e tyre për pafajësi.

Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton sërish këta të dënuar dhe për vazhdim të aktivitetit të tyre rekrutues nga qelitë e paraburgimit ku ata ndodhen. Burime nga krimet e rënda sqaruan se disa nga imamët e vetëshpallur kanë mbajtur lidhje me rrjetin e tyre jashtë duke komunikuar në biseda telefonike.

Tre nga 9 të dënuarit nga Gjykata e Krimeve të Rënda për dërgimin e besimtarëve musliman pranë organizatës terroriste ISIS, nga burgu komunikojnë me telefon me bashkëpunëtoret e tyre që ndodhen në Siri, Irak e Turqi.

Mësohet se njësia e antiterrorit të policisë së shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, kanë siguruar një material voluminoz përgjimi, që provon se nga burgu disa nga 9 të dënuarit komunikojnë me shtetas shqiptar dhe të huaj që dyshohet se janë pjesë e ISIS-it në Siri,Irak e Turqi.

Nga kabinat e burgut
Sipas akuzës, telefonatat janë bërë nga kabinat e paraburgimit dhe burgjeve ku 9 të dënuarit janë izoluar, me numra të shteteve si Siria, Iraku dhe Turqia.
Disa nga këto biseda, thonë burimet janë transkiptuar ku të dënuarit komunikojnë dhe interesohen për gjendjen e shqiptarëve që ndodhen atje dhe suksesin e ushtarëve të ISIS-it kundër ushtarëve të regjimit të Bashar-Al-Asadit.

Mësohet se nga burgu, të dënuarit komunikonin edhe me 4 të arrestuarit e ditëve të fundit, Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani.

Burimet thonë se komunikimet më të shpeshta me të dënuarit i mbante mjeku i Malësisë së Madhe Protopapa, që dyshohet si bashkëpunëtor i disa shtetasve nga Kosova dhe Maqedonia për të kryer akte terroriste në Shqipëri.

Librat e takimeve
Në shumicën e rasteve, mësohet se bisedat e të dënuarve me shtetasit shqiptar dhe të huaj është bërë në gjuhën arabe dhe që po pritet zbardhja dhe përkthimii tyre për të parë nëse ka ndonjë bisedë me vlerë për hetimin e nisur për sulme terroriste në Shqipëri.

Nga ana tjetër, prokurorët mësohet se kanë kërkuar sekuestrimi e librave të takimeve të 9 të dënuarve që kanë zhvilluar brenda institucioneve të paraburgimit në Tiranë.

Veprim ky për të zbardhur takimet e mundshme me personat e tjerë jashtë rrethit familjar, për shkak të dyshimeve se edhe pse të dënuar dhe të izoluar në burg, ata vazhdojnë kontaktet me besimtar të tjerë, me të cilët komunikojnë për ti ofruar ndihmë myslimanëve në luftën e Sirisë dhe Irakut për krijimin e një shteti islamik.

Disa nga bisedat e përgjuara rezultojnë të kenë çuar dhe në arrestimet e 4 të dyshuarve 1 javë më parë në Shkodër të konsideruar si celula e ISIS dhe persona që po përgatisnin atentatin në stadiumin “Loro Boriçi” ku do të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael.
(er.nu/shqiptarja.com)