Imazhi i filmit shqiptar “Nusja edhe shtetrrethimi”, poster i ‘Viennale’-s në Austri

Një nga imazhet e rralla, që ruhen në Arkivin Qendror të Filmit për prodhimin kinematografik, të realizuar para dyzet vitesh, “Nusja edhe shtetrrethimi” me skenar të Helena Kadaresë edhe regji të Kristaq Mitros dhe Ibrahim Muçajt do të shfaqet në “Viennale” të Austrisë.  Drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Iris Elezi rrëfen për “ReportTV” se ky film është përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të filmave evropianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore.

“Pas 41 vjetësh jemi tmerrësisht të lumtur, që filmi “Nusja edhe shtetrrethimi” do të shfaqet në Viennale, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore. Me rastin e 80-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm do të shfaqet filmi, ku janë të ftuar skenaristja Helena Kadare edhe regjisori Kristaq Mitro, por ishte pikërisht një nga imazhet që ruhen në Arkivin e të këtij filmi, që u bë posteri  kryesor i kësaj retrospektive mbarëeuropiane, më të madhes që është bërë ndonjëherë. Nga tetori deri në dhjetor do të shfaqen filmat më të mirë, mes tyre edhe filmi ‘Nusja edhe shtetrrethimi’”, shprehet drejtoresha e AQF-së, Iris Elezi.

Kineastja Elezi teksa e konsideron arritje prezantimin e kinematografisë shqiptare të para viteve ’90 në festivale ndërkombëtare, shton se ata që nuk e vlerësojnë sot filmin shqiptar, e bëjnë këtë pasi nuk e njohin atë si duhet

 “Të gjithë ata që nuk e studiojnë, nga maja e thanës e kanë shumë kollaj të flasin për diçka që nuk e kanë parë nga afër. Vetëm kur ulesh edhe e shikon filmin tre herë mund të japësh një mendim kritik. Në formën se si është shfaqur filmi shqiptar në këto vite tranzicion, me atë cilësi të dobët, kohë edhe pa kohë, pa u vendosur asnjëherë në një kornizim historiko-social-politik. Është shumë kollaj, sidomos nga mendjelehtët e këtij kombi, që të hedhësh poshtë punën që ka bërë Kinostudio “Shqipëria e re”, pavarësisht vështirësive teknologjike që ata kanë hasur”, tha Iris Elezi.

Para tre vitesh Elezi titronte “Nusja edhe shtetrrethimi”, nuk ishte në këtë përgjegjësi që ka sot. Por, sërish ajo mendon se: “Shumë pak që jetojnë nën qiellin shqiptar e njohin filmin shqiptar siç duhet. Janë ulur edhe janë rritur me të. Kur e titron një film, ti zbërthen të gjitha zgjedhjet që janë bërë me të. “Nusja edhe shtetrrethimi” është një nga filmat që ne kemi shtyrë më shumë, sepse dyshja Mitro edhe Muçaj, në dy filmat që kanë bërë, “Nusja edhe shtetrrethimi” edhe “Dimri i madh”,  ia kanë dalë që të tregojnë dhimbjen e një populli, pa u futur shumë në propagandë. Edhe një herë e nënvizoj, tanët nuk e njohin filmin shqiptar. Sikundër çdo gjë tjetër sipërfaqësore në kulturën tonë i hedhin fjalët kollaj. Por unë e di shumë mirë, që vetëm këtë vit mbi 5000 mijë shpirtra të huaj kanë parë retrospektivat tona në Vjenë, Linz dhe Romë. Kur të vijnë 5000 shpirtra shqiptarë, që ta ndjekin filmin, atëherë do të isha gati që t’i dëgjoja ata”, shton më tej Elezi.  

Iris Elezi

Regjisorja ndalet edhe tek disa nga prioritetet e këtij sezoni, si drejtuese e Arkivit të Filmit

“Që në datë katër shtator, prezantuam në Arkivin Qendror të Filmit dy aktivitete të madha, prezantuam dy premiera shqiptare, të një filmi të animuar edhe të një filmi të shkurtër me regji nga Petrit Ruka. Ndërkohë në Mantova të Italisë, në Festivalin e Letërsisë, AQF ka qenë pjesë e grupit të punës dhe disa nga dokumentarët tanë më të rëndësishëm i prezantuam për të gjithë spektatorët italianë edhe shqiptarë. Ndërkohë, këtë javë Festivali Cinema i Ulqinit do të mbyllet me filmin e restauruar të Arkivit, që është “Dorëzimi i Shkodrës”. Fundi i këtij muaj sjell retrospektivën e regjisores austriake Ruth Beckermann, që konsiderohet sot një nga regjisoret më të rëndësishme të dokumentarit në botë. Ndërsa, me Universitetin e Arteve edhe Muzeun Kombëtar do të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi me ta”, vijon më tej kineastja.

Filmi “Nusja edhe shtetrrethimi” do të prezantohet në datë 2 nëntor në Austri. Në këtë film, artistët në role janë: Rajmonda Bulku - Shpresa, Llazi Serbo - kapiten Edgar, Thimi Filipi - xhaxha Jani karrocieri, Sotiraq Bratko - Petriti, Kastriot Çaushi - Fatmiri, Gjergj Lala - Gjergji, Marta Burda - bashkëshortja e xhaxha Janit, për të vijuar edhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti e Vitore Nino. Muzika Kujtim Laro dhe piktor Azis Karalliu.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë