Importi i mbetjeve, Kushtetuesja
arsyeton pro-në e Referendumit

Importi i mbetjeve, Kushtetuesja <br />arsyeton pro-në e Referendumit
TIRANË - Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot, vendimin e saj për aprovimin e Referendumit të Importit të Mbetjeve. Në një material të gjatë dhe të detajuar, jepen argumentat juridike që mbështesin kërkesën e nismëtarëve dhe hedhin poshtë, atë të institucioneve të shtetit për mosmbajtjen e tij. 

"Vendimi i Gjjykatës:

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi relatoren e çështjes, Vitore Tusha; mori në shqyrtim kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shqyrtimin, paraprakisht, të kushtetutshmërisë së çështjes së shtruar për referendum të përgjithshëm shfuqizues; pretendimet e përfaqësuesve të grupit nismëtar, që kërkuan deklarimin e kërkesës në pajtim me Kushtetutën; prapësimet e përfaqësuesve të subjekteve të interesuara, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, që kërkuan rrëzimin e kërkesës dhe, pasi e shqyrtoi çështjen në tërësi,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 150, paragrafi 1, 151, paragrafët 2 dhe 3 dhe 152, paragrafi 1 i Kushtetutës, me shumicë votash,

V E N D O S I:

- Pranimin e kërkesës.
- Deklarimin si të pajtueshme me Kushtetutën të kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
- Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Ndër të tjera, në një pjesë të vendimit, thuhet:

B. Lidhur me kushtetutshmërinë e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm shfuqizues të neneve 22, pika 3, dhe 49 të ligjit

14. Kushtetuta, në nenin 150 parashikon të drejtën e popullit, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, për të kërkuar referendumin për shfuqizimin e një ligji. Në referim të nenit 152, pika 1, kushtetutshmëria e çështjeve të shtruara për referendum shqyrtohet, paraprakisht, nga Gjykata Kushtetuese, në një proces gjykimi kushtetues të posaçëm, i cili duhet të përfundojë brenda 60 ditëve nga paraqitja e kërkesës nga KQZ-ja.

15. Gjykata ka theksuar se referendumi është mjeti kushtetues që lidhet me nocionin e sovranitetit të popullit (neni 2/1 i Kushtetutës), që ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij ose në mënyrë të drejtpërdrejtë (neni 2/2). Çështja e përcaktimit të kushteve dhe rasteve në të cilat populli mund ta ushtrojë sovranitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë, merr rëndësi themelore. Parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli nënkupton një koncept demokratik sipas kritereve të një demokracie përfaqësuese, që përmban edhe elemente që mundësojnë ushtrimin direkt të demokracisë kushtetuese. Me këtë kuptohet që populli, të drejtën për të ushtruar funksion ligjvënës, normalisht, nuk e ushtron vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij (shih vendimin nr.31, datë 19.11.2003 të Gjykatës Kushtetuese).

16. Sovraniteti i popullit, i vendosur në kuadrin e një sistemi kushtetues e ligjor, nuk mund të ngatërrohet me pushtetin themelor dhe kërkesa për të ndjekur disa procedura të veçanta, gjatë ushtrimit të tij, është tërësisht në përputhje me sovranitetin popullor. Kushtetuta, në mënyrë të qartë, e ka lidhur ushtrimin e sovranitetit popullor me rregulla të veçanta. Është e vërtetë se në përputhje me nenin 2, pika 1, të Kushtetutës “sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i takon popullit”. Por, ky deklarim nuk nënkupton ushtrimin e sovranitetit nga populli në mënyrë të pakushtëzuar. Çdo nen i Kushtetutës duhet të interpretohet në kontekstin e Kushtetutës si një e tërë dhe jo i izoluar (shih vendimin nr.25, datë 24.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese).

17. Instrumentet e demokracisë direkte konsiderohen jo si pushtet konkurrues i organeve përfaqësuese, por si instrumente që mundësojnë mënjanimin e mungesës së veprimit nga ana e përfaqësuesve, ose balancimin e kësaj mungese. Ato nuk mundësojnë bërjen e ligjeve, funksion i cili i është ngarkuar ekskluzivisht ligjvënësit. Në këtë mënyrë, referendumi paraqitet si mjet për integrimin dhe stimulimin e procesit ligjvënës në parlament, në rastet kur nuk gjen zbatim parimi i përputhjes së vullnetit të shumicës parlamentare me shumicën e popullit në një çështje konkrete. Pra, bëhet fjalë për një instrument që mundëson transmetimin e mendimit të zgjedhësve në drejtim të instancave politike (shih vendimin nr.31, datë 19.11.2003 të Gjykatës Kushtetuese).

18. Kushtetuta, si ligji themelor i shtetit, i detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese, duke i dhënë, në këtë mënyrë, jetë parimit të rëndësishëm të kushtetutshmërisë funksionale. Normat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur vetë Kushtetuta parashikon ndryshe. Ky parim themelor sanksionohet në nenin 4, pika 3 të Kushtetutës, dhe nënkupton se kur rregulli kushtetues parashikohet shprehimisht, ai nuk mund të mënjanohet dhe as të tejkalohet, por duhet të zbatohet drejtpërsëdrejti (shih vendimin nr.29, datë 09.11.2005 të Gjykatës Kushtetuese).

19. Kushtetuta, në nenin 152, pika 1, evidenton elementët përcaktues të kufijve të shqyrtimit të kushtetutshmërisë së kontrollit të çështjes së shtruar për referendum. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë kërkon domosdoshmërisht vlerësimin nëse, në rastin në shqyrtim, janë të pranishme ndalime të atij lloji që parashikon neni 151, paragrafi 2 i Kushtetutës, konkretisht, nëse ligji (ose nene të tij) i kërkuar për t’u hedhur në referendum me qëllim shfuqizimi, është nga ajo kategori ligjesh, për të cilat Kushtetuta nuk lejon, shprehimisht ose në mënyrë të nënkuptuar, ndërmarrjen e një procedure të tillë referendare. Gjykata, në referim të përmbajtjes së nenit 151, pika 2, konstaton se lista e çështjeve, të cilat nuk mund të shtrohen për referendum të përgjithshëm shfuqizues, kufizohet në ato që lidhen me tërësinë territoriale të RSH-së, me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë.

20. Gjykata rithekson se çdo dispozitë e Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese. Kjo, për arsye se të gjitha normat dhe parimet kushtetuese formojnë një sistem harmonik. Natyra e Kushtetutës, koncepti i kushtetutshmërisë, nënkupton që Kushtetuta nuk mund të ketë kontradikta të brendshme. Për pasojë, asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë kontekstit të saj dhe të interpretohet më vete (shih vendimin nr.25, datë 24.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese). Në këtë kuptim, në referim të jurisprudencës kushtetuese, mund të identifikohen edhe ndalime të nënkuptuara, ose, e thënë ndryshe, ekzistenca e kërkesave të tjera kushtetuese të lidhura me ato të nenit 151 të Kushtetutës, të cilat preken nga ligji (nenet) objekt referendumi.

21. Në rastin konkret, Gjykata konstaton se nga analiza e përmbajtjes së ligjit nenet e të cilit kërkohen të shfuqizohen me referendum, rezulton se nene të veçanta të tij bëjnë referencë të drejtpërdrejtë në norma me hierarki të ndryshme normative, si në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për lejet e mjedisit”, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në RSH”, “Për koncesionet”, "Për kundërvajtjet administrative"; në Vendimet e Këshillit të Ministrave: nr. 538, datë 26.5.2009 “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”; nr.99, datë 18.2.2005 “Për miratimin e katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve”; nr.798, datë 29.9.2010 “Për miratimin e rregullores ‘Për administrimin e mbetjeve spitalore’”; nr.806, datë 4.12.2003 “Për miratimin e rregullave e procedurave për importimin e mbetjeve me qëllim përdorimi, përpunimi e riciklimi”; në Rregulloren nr.1, datë 30.3.2007, të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit “Për trajtimin e mbetjeve nga ndërtimi dhe shkatërrimet, që nga krijimi dhe transporti i tyre për asgjësim’; në Udhëzimin nr.6, datë 27.11.2007 të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave “Për miratimin e rregullave, përmbajtjes dhe afateve për përgatitjen e planeve të administrimit të mbetjeve të ngurta’; në Rregulloren nr.4, datë 15.10.2003 të Ministrit të Mjedisit “Për kërkimin, shqyrtimin dhe miratimin e lejeve të eksportimit dhe të transitimit të mbetjeve”, apo në “Marrëveshjen Evropiane për Transportimin Ndërkombëtar të Mallrave të Rrezikshme”.

22. Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe nenet 22, pika 3, dhe 49 objekt referendumi, nuk i përkasin ndonjërës prej kategorive të ligjeve për të cilat ndalimi për t’iu nënshtruar referendumit është absolut dhe as ndalimeve të nënkuptuara, të cilat mund të shërbenin si arsye bindëse për të vlerësuar se ekziston lidhje e drejtpërdrejtë me to.

23. Në këtë kuptim, Gjykata i vlerëson si të pabazuara prapësimet e subjektit të interesuar, Kuvendit të Shqipërisë, se nenet objekt referendumi kufizojnë të drejta dhe liri themelore (dinjitetin njerëzor, lirinë ekonomike), lidhen me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit dhe cenojnë parimin e i ligjshmërisë.

24. Subjektet e interesuara, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, kanë prapësuar se, në rast shfuqizimi me referendum të neneve 22, pika 3, dhe 49, ligji nuk plotëson kriterin e vetëmjaftueshmërisë, në referim të nenit 126, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Sipas tyre, kuadri ligjor, i cili do të mbetej i cunguar, do të lejonte importin e mbetjeve, por pa ofruar garancitë administrative dhe procedurale të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, që përbën edhe qëllimin e ligjit.

25. Gjykata, duke i vlerësuar edhe këto pretendime nën dritën e parashikimeve kushtetuese që përcaktojnë kufijtë e shqyrtimit të kushtetutshmërisë së çështjes së shtruar për referendum të përgjithshëm shfuqizues, parashikuar nga neni 151, pika 2 e Kushtetutës, arrin në përfundimin se argumentet e parashtruara nga përfaqësuesit e subjekteve të interesuara, në mbështetje të prapësimeve lidhur me mungesën e vetëmjaftueshmërisë së ligjit pas shfuqizimit të neneve 22, pika 3, dhe 49, nuk janë bindëse për të provuar cenimin e ndalimeve kushtetuese.

26. Po ashtu, përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, ka pretenduar se shfuqizimi i neneve 22, pika 3, dhe 49 të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare që burojnë nga neni 6 i MSA-së për përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, konkretisht me Direktivën 2008/98/KE të Bashkimit Evropian, Rregulloren 1013/2006 “Për transferimin e mbetjeve” dhe me kërkesat e nenit 108 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

27. Nisur nga natyra dhe karakteristikat e gjykimit kushtetues konkret, Gjykata vlerëson se objekt i tij është shqyrtimi, paraprakisht, i kushtetutshmërisë së kërkesës për referendum të përgjithshëm shfuqizues dhe jo pajtueshmëria e neneve, objekt i referendumit, me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.

28. Për sa i përket kërkesës së parashikuar nga neni 151, pika 3 e Kushtetutës, Gjykata konstaton se kërkesa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së çështjes së shtruar për referendum nuk është paraqitur më parë në harkun kohor të tri viteve, për rrjedhojë, nuk ekziston ndonjë pengesë e karakterit kohor në këtë drejtim.
29. Në përfundim të analizës së mësipërme, Gjykata vlerëson se në përmbajtjen e kërkesës nuk konstatohen pengesa kushtetuese.

PËR KËTO ARSYE, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 150, paragrafi 1, 151, paragrafët 2 dhe 3 dhe 152, paragrafi 1 i Kushtetutës, me shumicë votash vendosi, pranimin e kërkesës".


PDF/ Vendimi i Gjykates Kushtetuese 

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Tempulli 3/ Detajet nga operacioni antidrogë në Tiranë, sekuestrohet 3.5 kg kokainë, kanabis e heroinë! 10 në kërkim

Tempulli 3/ Detajet nga operacioni antidrogë në Tiranë, sekuestrohet 3.5 kg kokainë, kanabis e heroinë! 10 në kërkim