Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, ka shprehur bindjen se Këshilli i Mandateve do të mblidhet në një moment të caktuar për imunitetin e Belinda Ballukut.
Komentet Malaj i bëri në emisionin ‘Frontline nga Marsela Karapanço’ në Report TV, ku tha se PS do të veprojë gjithmonë brenda të gjitha standardeve dhe në përputhje me interesat e qytetarëve, pa shkelur ligjin ose rregulloren.
Ai tha se qeveria nuk është bërë aspak pengesë për punën e SPAK, teksa shtoi se kërkesa e SPAK për pezullimin nga detyra të Ballukut dhe mos-marrja e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, është shkelje e kompetencave të një pushteti nga një pushtet tjetër.
“Rama njoftoi që do të kishte ndryshime në legjislacion dhe nuk ka një urgjencë për të ndërhyrë dhe për të bërë mbledhjen. Pse? Po blihet kohë përballë kërkesës së SPAK që kërkon imunitetin e Ballukut? Cila është arsyeja reale e mos-mbajtjes së kësaj mbledhjeje?”, pyeti gazetarja.
“Në fakt ishte një mos-vendim i Gjykatës Kushtetuese. Kjo situatë ka lindur që në momentin që ne si PS, ose më saktë Këshilli i Ministrave dhe kryeministri çuan në Kushtetuese një çështje që në gjykimin tonë, por edhe nga eksperienca ndërkombëtare, është një rast ku cënohet njëri pushtet nga tjetri. Çështja u dërgua në Kushtetuese dhe nuk u mor një vendim. Për mos-marrjen vendim pati ato efekte që ne i dimë. Dhe duke qenë që ne po ndjekim të gjitha rrugët ligjore duke u besuar të gjitha institucioneve sipas hierarkisë së tyre, të njëjtën gjë po vazhdojmë të bëjmë dhe të njëjtën gjë do të bëjmë. Pra nuk ka asnjë aludim për asgjë tjetër.
E para të gjitha këto institucione që ju përmendët, përfshirë SPAK, është i lirë dhe vazhdon punën e tij i pacënuar nga askush, jo më nga ne si parti që e kemi mbështetur gjithmonë. Prandaj të gjitha proceset e tjera vazhdojnë. Ndërkohë edhe Këshilli i Mandateve do të vijë një moment që do të mblidhet brenda afateve të caktuara. Unë jam i sigurt se nuk shoh asnjë problem në trajtimin e rastit nga ana jonë, sepse ne nuk i marrim rastet me individët. Çështjet janë shumë të ndara. Të siguroj për një gjë, që ashtu siç është bërë edhe më parë, edhe tani e në vijim PS do të veprojë brenda të gjitha standardeve, ashtu siç është në interes të të gjithë atyre qytetarëve që na kanë votuar dhe pa shkelur asnjë moment ligjin apo rregulloren”, tha mes të tjerash Malaj.
Kujtojmë se kryeministri Rama deklaroi gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim për çështjen ‘Balluku’ se mazhoranca do të ndërhynte në legjislacion, në mënyrë që sipas tij, gjykatat të mos kenë mundësi të marrin peng Ekzekutivin.
Analisti Plator Nesturi është shprehur se Kuvendi ka detyrimin për të mbledhur Këshillin e Mandateve, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Komentet Nesturi i bëri në emisionin ‘Frontline nga Marsela Karapanço’ në Report TV, ku tha se përderisa SPAK nuk e ka tërhequr kërkesën për imunitetin e Ballukut, atëherë Kuvendi është i detyruar të marrë një vendim.
“Institucionet veprojnë përmes shkresave. Shkresa është e dorëzuar dhe thjeshtë presin që të zbatohet gjithë procedura ligjore sa i përket një kërkese të caktuar. Nuk ka sesi të kërkosh një gjë të cilën ti e ke kërkuar. Nëse kjo do të jetë se po presim, absolutisht asnjëherë kjo nuk mund të ndodhë. Edhe një shkresë që shkon nga një institucion tjetër, jo më SPAK, e ka për detyrë që të kthejë përgjigje dhe të zbatojë ligjin sipas procedurave që është kërkesa përkatëse.
Këtë e di SPAK se për çfarë i duhet imuniteti, nuk e dimë ne. Ne dimë që është bërë një kërkesë, që ka një dosje me 16 mijë faqe, që gjatë kësaj kohe mund të kenë vijuar hetimet, mund të ketë edhe gjëra të tjera, këtë ne nuk e dimë. Kjo është çështje e SPAK dhe ne thjeshtë mund të hamendësojmë. Në një formë apo në një formë tjetër, ky është një element që ka të bëjë me drejtësinë. Drejtësia kërkon një çështje të caktuar. Nëse do të ishin të kënaqur thjeshtë me pezullimin, atëherë mund të kishin të drejtën e tyre të bënin tërheqjen e kërkesës.
Përderisa nuk e kanë bërë tërheqjen e kërkesës, atëherë je i detyruar të bësh procedurën dhe procedura është që ti ta kalosh në komisionin përkatës, në Parlament dhe aty pastaj ti merr vendim. Kjo është detyra e Parlamentit. Por që ta nënvlerësosh apo ta shmangësh, kjo realisht për mua... Këtu kemi të bëjmë me vendim politik. Sepse Parlamenti vendim politik do marri”, tha mes të tjerash Nesturi.
Nesturi vijoi më tej duke thënë se Kuvendi ka dy mundësi, t’i hapë rrugë drejtësisë për Ballukun, ose të bëhet barrierë. Sipas Nesturit, nëse do të bëhet barrierë, atëherë mazhoranca do të merrte kosto politike, por edhe kosto në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
“Vendimi politik është pikërisht që t’i hapë rrugë drejtësisë, apo të bëhet barrierë. Nëse Parlamenti do të bëhet barrierë, atëherë realisht që ka një kosto politike. Kosto politike dhë ndiqet nga faktori ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar dhe gjithë procedurat e Shqipërisë që ka që me çështjen e integrimit, që me marrëdhëniet dhe të tjerat, padyshim që pësojnë një krisje që nuk i vlen as Shqipërisë dhe as ne si qytetarë të këtij vendi”, shtoi Nesturi.
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese (ku nuk u mor një vendim) ku mbeti në fuqi pezullimi i Belinda Ballukut nga detyra, është prova e fundit që kryeministri Edi Rama nuk e kontrollon drejtësinë.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Frontline nga Marsela Karapanço’ në Report TV, ku tha se të gjithë zv.kryeministrat, ministrat dhe deputetët e Ramës që kanë qenë nuk hetim, nuk i kanë shpëtuar dot masave të sigurisë nga SPAK, GJKKO dhe të gjitha gjykatat e tjera.
Sipas Spahiut, 2 janë mundësitë, që ose Rama nuk e kontrollon drejtësinë, ose Rama i urren të gjithë njerëzit e vet dhe kërkon t’i fusë në burg. Kjo e fundit sipas Spahiut nuk qëndron.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mendoj se është prova e fundit, që për herë të parë është një lajm i mirë për Shqipërinë, sepse na provoi të gjithëve, publikisht dhe zyrtarisht, se partia në pushtet dhe kryeministri Edi Rama kanë zero influencë në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, në Prokurorinë Speciale, në Gjykatën Speciale dhe në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat në vend. Çdo zv.kryeministër i Edi Ramës, çdo ministër i Ramës, çdo deputet i Ramës nuk i ka shpëtuar dot procedimit penal apo masave të sigurimit nga SPAK, GJKKO, Gjykata e Apelit, nga Gjykata e Lartë e deri në Gjykatën Kushtetuese, në 13 vite ka provuar që Rama ose i urren të gjithë këta, pra ose është kundër gjithë njerëzve të tij, ose ka zero influencë. Dhe kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente











