TIRANE- Partia Demokratike përsëriti sot akuzat se Edi Rama po kërkon të bllokojë referendumin popullor për heqjen e imunitetit, por u shpreh e vendosur se referendumi do bëhet.

 Në një prononcim për shtyp Silvi Bardhi zëdhënësja e PD-së tha se Rama ka angazhuar mediat që kontrollon dhe specialistët e Partisë në një fushatë absurde kundër heqjes së imunitetit nëpërmjet referendumit popullor.

“Me këtë qëndrim z.Rama dhe miliardierët imunitarë të Partisë Socialiste që i bllokojnë për të tretin vit me rradhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe perfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrësesi heqjen e imunitetit sepse janë të tmerruar nga origjina e qindra miliarda lekëve të kupolës së Partisë”- nënvizoi Bardhi.

Në njoftimin për shtyp PD paralajmëroi se Shqipëria nuk do të marrë statusin e vendit kandidat për shkak të bllokimit të Partisë Socialiste.

“Çdo qytetar konstaton se z. Rama dhe zëdhënësit e tij, bllokimin e heqjes së imunitetit dhe të marrjes së statusit të vendit kandidat po e gërshetojnë këto ditë me mbrojtjen fanatike të përditshme të pasurive të miliardierëve në krye të Partisë Socialiste dhe origjinës së këtyre pasurive nga fshehja e taksave, kontrabanda, trafiqet kriminale, ndërtimet pa leje dhe grabitja e pronave”, thekson PD në deklaratë për mediat.
(sg/shqiptarja.com)