Rama kërkoi nga Kryeministri që të bëjë transparencë të plotë për përgjimet e kryera nga funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që të lejojë kontrollet parlamentare në këtë dikaster. "Është personalisht Ministri i Mbrojtjes që ka urdhëruar në shkurt të vitit 2011 blerjen e një pajisjeje me vlerë 1.586.000 euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë. Kjo pajisje në fakt kushton vetëm 400.000 euro dhe blerja e përdorimi i saj nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Edhe thjesht nga ana e abuzimit me vlerën kjo është një vepër e mirëfilltë penale. Por, përtej abuzimit me vlerën si abuzim me Kushtetutën dhe me ligjin është përsëri vepër e mirëfilltë penale. Për faktin se, përmes vënies në përdorim të paligjshëm të kësaj pajisjeje është përgjuar e vazhdon të përgjohet opozita, kjo është akoma më keq, është një atentat ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në Shtetet e Bashkuara është rrëzuar 30 vjet më parë një President për përgjimin e paligjshëm të opozitës. Në botën demokratike kjo as që mund të parafytyrohet. Në Shqipëri kjo është absolutisht e ndaluar me ligj. Por, faktikisht është bërë dhe bëhet përditë, madje duke futur nën përgjim edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve aleate të Shqipërisë në NATO nëpërmjet një njësie përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë."
Kryesocialisti përsëriti se ai dhe PS nuk është kundër heqjes së imunitetit por kërkoi që kjo të bëhet përmes një procesi transparent që ndryshimet në Kushtetutë të jenë të studiuara dhe jo arnime. "Ne nuk do të pranojmë që kufizimi i nevojshëm i imunitetit, të kthehet në kufizim lirie për këdoqoftë që sot ka imunitet për shkak të detyrës. E, posaçërisht për të gjithë ata që për shkak të detyrës ndaj publikut dhe ndaj Kushtetutës u ka rënë barra në këto kushte të jenë në kundërshti me qeverinë", tha ai.
Rama foli edhe për Reformën Elektorale. “Zgjedhjet nuk i fiton Kodi Zgjedhor”, theksoi ai. “Ne do i fitojmë zgjedhjet se do fitojmë më shumë vota”. Atyre që e akuzojnë se me marrëveshjen e arritur PS nuk ka fituar asgjë, Rama u kujtoi se “KQZ, një nga prioritetet tona për reformën, do të ndryshojë në shtator dhe jo në shkurt, dhe Arben Ristani nuk do të jetë më në krye të KQZ-së”. “Çdo komisioner do të marrë përsipër përballjen me Kodin Penal”, tha ai, duke nënvizuar se më parë dënimi për ta ishte vetëm gjoba. Sipas Ramës, listat e zgjedhësve “nuk do të jenë më monopol i manipulimeve në Ministrinë e Brendshme por do të jenë në dispozicion të opozitës”.
“Në këto kushte nuk ka absolutisht vend për asnjë nga deklarimet dhe qëndrimet tërësisht nihiliste mbi këtë reformë por ka vend për të vepruar në funksion të paktit se zgjedhjet nuk i fiton Kodi Zgjedhor dhe nuk i vjedh Kodi Zgjedhor. Ne na takon që mbi këtë bazë të përmirësuar ligjore të vazhdojmë të organizohemi më së miri në mënyrë që implementimi të jetë sa më në përputhje me ligjin”, tha Rama.
Gjatë fjalës së kryesocialisti u ndal edhe te marrëdhëniet me aleatët, të acaruara kohët e fundit pasi “mbeti pa adresuar çështja e sistemit zgjedhor”. Rama përsëriti se “kemi qenë dhe jemi për rishikim të sistemit por e kemi thënë se nuk do të kushtëzojmë Kodin për Sistemin”.
Duke iu referuar aleteve të PS, Rama nënvizoi se tani “është koha për një proces bashkërendimi energjisë me aleatët tanë”. “Çdo forcë politike - shtoi ai - që është e gatshme të bashkohet me ne mbi këtë program është e mirëpritur. Besoj se dyert janë të hapur për të gjithë aleatët e sotëm dhe aleatët potencialë. Mundësitë e bashkëpunimit janë aty pavarësisht se sistemi ka mbetur i pandryshuar. PS është e vetëdijshme për kontributin e aleatëve të saj në këtë periudhë të vështirë. Jemi plotësisht të hapur t’i dëgjojmë dhe të gjejmë rrugët e një bashkëpunimi që i vendos të gjithë në pozita sa më të favorshme”.
(im/shqiptarja.com)