Imzot George Frendo është emëruar nga Papa Francesku, arkipershkv i Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë – Durrësit.

Kreu i ri i kishës Katolike, Imzot George Frendo pason Imzot Rrok Mirditën, i cili ndërroi jetë në dhjetorin e vitit të shkuar në moshën 76-vjeçare.

“U desh të kalonin më shume se 11 muaj për të gjetur një ipeshkv të ri. Premtoj se do jem një epror i mirë sepse jam i sinqertë. I lutem Zotit të më bëjë të fortë dhe të drejtë për të shërbyër në këtë detyrë”, ka deklaruar imzot Frendo për gazetën zyrtare të Vatikanit.

Deri më tani ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore dhe Administratori dioqezan i Selisë së Tiranë-Durrësit, pas ndarjes nga jeta të Arqipeshkvit Imzot Rrok Mirdita.

Imzot George Frendo ka shërbyer në Shqipëri prej vitit 1997. Ai është 70 vjeç dhe ka lindur në Maltë.

Marrja e detyrës nga Frendo do të bëhet në një ceremoni të posaçme me 3 dhjetor, e hapur për të gjithë të interesuarit.
 
Një ditë përpara ceremonisë, me 2 dhjetor do të organizohet një drekë bamirësie për të varfrit me moton: Bariu dëgjoftë zërin e deleve.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com