E deshi me shpirt këtë popull dhe u desht prej tij. Ndau me të hallet e mundimet, gëzimet e hidhërimet; hyri thellë në psikologjinë e tij. Njihte shqipen në mënyrë të përkryer, çka i dha sukses në kërkime; u pranua në kuvendet e malësorëve e në gjykimin e problemeve të tyre. Në jo pak raste, në kuvendet popullore, F. B. Nopçën e caktonin pleqnues për zgjidhjen e ndonjë çështje të ngatërruar, për konflikte e mendimi i tij, mbështetur në kanunin e Lekë Dukagjinit, pranohej menjëherë e ngatërresa merrte fund, si paqtim i pakundërshtueshëm.
Nopçës ia kërkoi këtë metodika e kërkimeve, po dhe shpirti i tij romantik e i shqetësuar, dashamirës e human. F. Nopça, siç vërejnë me të drejtë disa dijetarë, bashkëkohës të tij, qe një mendje e jashtëzakonshme, me dituri të gjëra; derdhte energji vërshuese në kërkime...
GËNJESHTËR, NOPÇA NUK U PËRKTHYE NGA TË BURGOSURIT...
Sipas burimeve që kemi mundur të konsultojmë, Nopça ka shkruar së paku 25 studime ku ka ndriçuar probleme të ndryshme në lëmë të albanistikës (kuptohet: këtu është fjala vetëm për shkrimet e profilit shoqëror); këto u kushtohen kryesisht temave e dukurive në fushë të etnologjisë e paleoetnologjisë.
Ndër këto studime bëjnë pjesë tri monografi sinteza të përmasave të mëdha, të tria tërësisht etnologji: "Shqipëria: ndërtimet, veshjet, orenditë e Shqipërisë Veriore", botuar më 1925; dy të tjerat, siç duket, në pikat më kryesore i kish mbaruar që më 1913 e ka shtuar pjesë edhe më vonë, por i mbetën dorëshkrime deri në çastin kur i dha fund jetës.
Këto dorëshkrime nuk njiheshin deri tani vonë, me gjithë një shënim, jo të qartë, në letrën dërguar N. Joklit dhe këto i përmend dhe A. Baldacci më 1933. Dorwshrimet u zbuluan nga E. Çabej e A. Kostallari më 1963, në Arkivin e Joklit në Bibliotekën kombëtare të Vjenës e u prunë në Shqipëri.
Nuk është e vërtetë se veprën "Pikëpamja fetare, doket e zakonet" i paska zbuluar dikush tjetër e i paska përkthyer, duke qenë në atë kohë në burg. Këto pohime janë të turpshme e amorale. Njëra mban titullin: "Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe ligji i dokeve (kanuni)" që shkon mbi 600 faqe të daktilografuara, ndërsa tjetra mban titullin: "Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet".
Siç e vërejmë, këtu te ne kjo e fundit nuk ka ardhë e plotë; mungojnë rreth 60 faqe të fillimit, ndoshta diçka dhe nga fundi. Edhe në veprën "Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë" (1929), në pjesën e gjeografisë bëhet fjalë dhe për jo pak dukuri etnologjike, që nuk mund të konsiderohen thjesht si ornamente; ato janë të inkuadruara aty në përkim me një koncept antropo-gjeografik, sipas të cilit mjedisi gjeografik e njeriu në bashkësinë shoqërore krahinore, janë të pandarë midis tyre; në studime, ata plotësojnë e shpjegojnë njëri-tjetrin.
RRËNJËT SHQIPTARE, BËRI ZBULIME DERI NË VISET E NISHIT
Vepra udhëpërshkrim "Nga Shala e Kelmendit" (Sarajevë, 1910) në brendi është kryesisht etnologji. Nga Nopcsa kemi dorëshkrim dhe ditarët itinerarë të eksplorimeve të tij e disa shkrime të tjera. Ka lënë dhe një vëllim me poezi (dorëshkrim) kushtuar Shqiptarëve e jetës së tij në Shqipëri.
Doemos, shkroi vepra me shumë vlerë shkencore në fushë të gjeologjisë shqiptare, siç është ajo e "Gjeografisë dhe e gjeologjisë së Shqipërisë së Veriut" (1929) e disa të tjera, me shumë vlerë. Siç del nga brendia e veprave të tij, Nopça i filloi kërkimet për etnokulturën në Shqipëri, duke u mbështetur në teori etnologjike të caktuara.
Ishte nën ndikimin e teorisë antropogjeografike të F. Racel-it, po ashtu ndjekës i shkollës gjermane kulturore-historike me përfaqësues kryesor F. Grebner. Në kërkimet e tij, për sa ia lejonin mundësitë, zbatoi principet e teorisë së "arealeve kulturore", të "rrathëve kulturorë". Jo më kot zgjodhi si objekt studimi Shqipërinë Veriperëndimore. E thekson dhe vetë Nopça se këtu ishte e pranishme një etnokulturë arkaike, e ruajtur më së miri. Ai shprehet qartë se në vështrim etnologjik ka për qëllim atë trevë kulturore, të përcaktuar mirë, dhe jo më tej....
Pasi analizon furkat shqiptare sipas dëshmive të terrenit dhe atyre të shkruara, duke i parë në vështrim krahasues, u drejtohet dhe dëshmive muzeore e për këtë shkruan: "Si e tregojnë ekzemplarët që ruhen në Muzeun Etnologjik të Beogradit, furkat e viseve të Nishit dhe të Vranjës, të banuara dikur prej Shqiptarëve, pastaj ato të krahinës së Trebinjës (Hercegovinë) janë në përkim të plotë me furkat shqiptare. Përhapja e këtyre shkon deri atje ku arrin tipi i shtëpisë shqiptare (krahaso për këtë J. Cvijiq). Kjo na provon mjaft mirë që ndër vise të Nishit dhe të Vranjës Shqiptarët janë shuar prej Serbëve ndër këto pesëdhjetë vitet e fundit" (1925).
KONTRIBUTET E NOPÇAS PËR GJUHËN SHQIPE
Në hulumtimet e tij Nopça i jep rëndësi dhe anës gjuhësore të elementit a dukurisë etnologjike, zanafillës së fjalëve a frazeologjive me të cilat emërtohen objektet a dukuritë. Në këtë gjë mbështetet në teorinë e përpunuar nga dijetari R. Meringer për "Fjalët e sendet", lidhje e gjuhës me gurrën nga rrjedh e me karakteristikat e çdo dukurie. Siç e thotë dhe vetë Nopça, për anën e etimologjisë ka pasë ndihmën e orientalistit e albanologut të shquar N. Jokli.
Në analizat e tij ju drejtohet, drejtëpërdrejt a me nëntekst, etnologëve mendimtarë të mëdhenj, pavarësisht nga shkolla që përfaqësojnë. Pra, nuk është krejt zbatues formal i një teorie të caktuar. Duke analizuar karakteristikat, problemet e zgjidhjet me mençuri të problemeve praktike në raste të veçanta, gjejmë referime të W. Vundt-it, përpunues i principeve të shkollës etno-psikologjike.
Kështu, Nopcsa shkruan: "Krahasimet e mëposhtme (është fjala për ballafaqime të strukturës së fiseve te Romakët, te Gjermanët e vjetër dhe në Malësorët e Shqipërisë Veriore) mbështeten në "Psikologjia e popujve" të W. Vundt-it, duke pasur si bazë teorinë e "idesë elementare" për shpikje e krijime paralele të popujve, të A. Bastian-it, shënon: "Ideja e zbatuar në ndërtimin e vatrës së veçantë në vendin ku ndizet pisha ndriçuese, është pjellë e mendjes së popujve, sipas vështrimit të A. Bastian-it".
Siç e kemi thënë edhe më parë, Nopça iu përmbajt teorisë kulturore-historike në etnologji e në këtë vështrim kërkoi burimin gjenetik të çdo objekti, të çdo elementi kulturor. Por mendja zhbiruese e Nopçës nuk lejon përcaktime gjenetike të paarsyetuara. Mjaft objekte a dukuri që merr në analizë, i ndjek në vijë krahasuese për aq sa japin dëshmitë arsyetuese e pastaj i len o si hipoteza që duan plotësime ose si probleme të pazgjidhura, në lidhje me gjenezën e tyre.
Duke folur për unakun, thotë se ende nuk është i argumentuar arkeologjikisht që të hedhim dritë rreth origjinës së tij dhe shton: "Unë jam i mendjes se është ende herët për të dhënë një përfundim të prerë". Pasi diskuton gjerë e gjatë, në bazë dëshmish, për origjinën e vegjës shqiptare horizontale shton: "Këtë detyrë interesante po ua le ta zgjidhin ata që do të vinë pas meje".
Nganjëherë, pasi njihet me të dhëna të reja, e korigjon veten për ato që ka thënë me lajthitje në shkrime të tij të mëparshme. Në lidhje me një shtroje të madhe sofrabez që vihej nën tryezë gjatë ngrënies, thekson: "Ky nuk është, ashtu si kam menduar më parë, një zakon ballkanik perëndimor, por më tepër është i huajtur prej Lindjes".
KRITIKAT, PSE NUK EKSPLOROI EDHE SHQIPËRINE E MESME E TË JUGUT
Disa personalitete të shkencës albanistike e kanë vlerësuar lart kontributin e dhënë nga Nopça në etnologjinë shqiptare e të tillë kanë qenë: A. Baldaçi, N. Jokl-i, M. Lambertz-o, M.E. Durham, E.Çabej, A.Buda e të tjerë. Po ndaj tij ka pasë dhe kritika. Pra si duhet kuptuar Nopça nga këto punime shkencore të tij? Dihet se në dijen shkencore nuk ka një kufi përtej të cilit nuk mund të kalohet.
Dihet gjithashtu se sa e vështirë dhe e mundimshme është të kalosh në shtigje fare të pashkelura nga dija shkencore. Ai që kalon i pari në këto shtigje gjithsesi ka merita të mëdha, aq më tepër kur zbulimet janë me vlera të theksuara. Natyrisht, jo çdo gjë do t'i qëndrojë kohës. Nopcsa kundrohet sot, në fillim të shekullit XXI për atë që ka hulumtuar në fillim të shek. XX.
Është kritikuar sepse nuk e shtrini eksplorimin e tij dhe në Shqipërinë e Mesme e atë të Jugut. Duhet ditur se ai niset nga një princip i caktuar. Mandej dhe eksplorimi praktik nuk mund të bëhej ndryshe. Aq më tepër, një rrugë e tillë arsyetohet kur të njëjtin areal gjeografik e kulturor e ka eksploruar e studiuar në vështrim të tre disiplinave të ndryshme: gjeologji, gjeografi dhe etnologji.
Praktikisht përhapja e gjerë në eksplorim do ta çonte në një hulumtim të përciptë. Për më tepër, duke u nisur nga një areal kulturor i ngushtë, në analizë e në krahasime është shtrirë në mbarë trojet shqiptare, për sa e kanë lejuar mundësitë e objektit dhe dëshmitë e kohës. Pra i ka vështruar dukuritë në etnokulturë dhe në shtrirjen e tyre mbarëshqiptare.
MALËSORËT, KTHIM MBRAPA NË KUSHTET E SUNDIMIT OSMANË
Autori i bëri eksplorimet në Malësinë e Veriut në një periudhë kryengritjesh, luftrash, në rrymën e një rrëmuje të vërtetë e të një çrregullimi të plotë të jetës shoqërore. Në këto rrethana çdo gjë ishte egërsuar, ishte kthyer prapësht; ishin gjallëruar institucione tepër arkaike të dala prej mode shumë kohë më parë.
Kjo gjë ka krijuar te Nopça e te eksplorues të tjerë të huaj, përshtypjen e një jetese e të një organizimi shoqëror më arkaik nga ç'ishte në të vërtetë. Popullsia e këtyre malësive nuk ishte nomade; ata kishin fshatra me banesa të qëndrueshme, merreshin me bujqësi, kishin pemë e vreshta në pronat e tyre, kishte kanale ujitëse, mullinj me ujë, derstila e me radhë; këto dokumentohen qartë së paku që nga shek. XV e këtej. Shtegtimet stinore të bagëtive, që në Malësinë e Madhe i kishin me shumicë, nuk është argument bindës për t'u vënë emrin "popullsi nomade".
Edhe organizimin në fise e paraqiti më arkaik nga ç'ishte. Vetë fjala "fis" përdoret ende me kuptime jo shumë mirëfilltësore. Për më tepër përdoret dhe me kuptime të një bashkësie territoriale po që për interesa mbrojtjeje, ekonomike, pronësore janë bërë si vëllezër, madje kanë njëjtësuar kështu dhe zanafillën e mbiemrat, pa qenë të tilla në origjinë.
Edhe në kujtesën popullore, në gojëdhëna, tregohet për dy, tre e më shumë shtresa popullate të të njëjtit "fis", me prejardhje krejt të ndryshme. Megjithatë, në tërë këtë "fis" zbatohet me rreptësi kodi i ekzogamisë, po kështu dhe detyrime e të drejta të tjera të "fisit", tamam sikur ata të rridhnin nga një trung stërgjyshor i përbashkët. Kjo dukuri vihet re në Hot, në Kastrat, në Kelmend, në Mirditë etj.
Pra elementë të lidhjeve fisnore ka pasur, por në shkallën e mbijetojave; këto kanë qenë përshtatur e kushtëzuar nga një jetë shoqërore në rreth të mbyllur. Edhe Nopça disa herë në shkrimet e tij priret nga kjo ide... Nopça u kundërvihet disa autorëve të huaj që me tendencë donin ta paraqisnin popullin shqiptar si një bashkësi shoqërore primitive, të ndarë në fise dhe të paaftë për qytetërim e për një shtet të pavarur.
MARK TIRTA: I DETYROHEMI BARON NOPÇËS, NA SHPËTOI NGA NDIKIMET PASURINË E MADHE TË ETNOKULTURËS
Ne i detyrohemi Nopçës për nxjerrjen në dritë të shkencës të një dokumentacioni të shumtë etnologjik, i mbledhur me imtësi, i sistemuar e i interpretuar me akribi shkencore. Kështu shpëton nga zhdukja prej rrymave të reja të jetës një pasuri të madhe të etnokulturës, të lashtë e me vlerë.
Një pjesë të madhe të atyre trashëgimive etnologjike që u mblodhën me aq kujdes nga Nopça, pas mesit të këtij shekulli nuk mund t'i takoje më gjëkundi; ishin fshirë bashkë me pleqtë që i përjetonin e i tregonin; ishin zhdukur bashkë me atë mënyrë jetese në një rreth të mbyllur...
Nopça është i pari dhe i vetmi deri më sot që i studioi në mënyrë tërësore e në vijë krahasuese tërë trashëgimitë etnologjike të trevës veriperëndimore të Shqipërisë. Ai ka meritën që i pari vërejti lidhjet gjenetike të xhubletës me veshjen e figurinës terrakotë të kohës së bronzit, zbuluar në Bosnje, po kështu me veshje të disa figurave femra kreto-mikenase, gjë që e kanë mbështetur më vonë dhe etnologë të tjerë të mirënjohur, ndër ta dhe Rr. Zojzi e A. Gjergji.
Nopça qe nismëtar që vërejti në veshjet shqiptare vazhdimësi të petkut me emrin "dalmatika" të Ilirëve, të një fustani ilir., etj.... Hyjni të mitologjisë shqiptare që kanë të bëjnë me shtërngatat e rrufenë i shpjegon me origjinë nga hyjni trako-ilire, gjë, që, sadoqë në mënyrë të pavarur, ky mendim përkon me tezat e disa dijetarëve të tjerë të mëvonshëm të mitologjisë së Ballkanit si M. Arnaudov, M. Eliade etj.
Është zbulues i mjaft gjurmëve kulturore të dëshmuara në Mesjetë e në lashtësi, si realizime teknologjike, rrugë të vjetra, qendra urbane të zhdukura në malësitë shqiptare, mjekime popullore shumë të komplikuara, deri në operacione të hapjes së suksesshme të kafkës e pastrimin në cipën e trurit, të bëra nga malësori shqiptar analfabet. Pra bëhet shërim me operacion e pastrime në anë të trurit.
Tregoi kushtet e ruajtjes, po dhe të rigjallërimit të dukurive kulturore tepër arkaike. Ai thekson herë pas here se me pushtimin Osman pati një rikthim prapa në kulturë, ringjallje të institucioneve të vjetra, një "egërsim" të jetës shoqërore. Zbuloi elementë të lashtë civilizimi në gjirin e këtyre shoqërive malësore, çka tregon për tradita zhvillimi mjaft të hershme e që më vonë u mënjanuan për shkaqe historike të caktuara.
Të drejtën dokësore (ligjin) të këtyre malësorëve, duke e krahasuar me ligje të vjetra të popujve ballkanikë, të Romës së vjetër apo të Europës mesjetare, në disa elementë e shpjegoi jo më të vjetër se Mesjeta e Hershme; në formësimin e tij më të plotë e mendoi si të shk. XIII... Arsyetoi kushtet komplekse të këtij evolucioni, të deformimit dhe të ruajtjes së tij.
Nopça dha mendime me vlerë për ndarjen krahinore etnologjike të popullit shqiptar. Përmes elementëve kulturorë sqaroi dhe probleme të shtrirjes etnike të popullit shqiptar deri nga mesi i shek. XIX, duke vënë në dukje përzëniet me forcë të Shqiptarëve nga trojet e tyre, proçeset asimiluese, po kështu vërejti dhe enklavat sllave në trojet e vjetra të Shqiptarëve.
Si përfundim, Nopça dha një kontribut të rëndësishëm në të shpalosurit në dritën e shkencës të pasurisë së madhe e të lashtësisë së kulturës etnologjike shqiptare dhe në studimin e institucioneve të shoqërisë malësore të veriut shqiptar, duke bërë dhe përgjithësime mbarëshqiptare. Ai e vlerësoi në mënyrë të veçantë këtë kulturë duke e cilësuar si pikë të Arkimedit në shpjegimin e dukurive të këtij lloji në Ballkan e në Europë.
Nopça është bir i denjë i kombit hungarez, po në linjën e prejardhjes dhe i kombit austriak. Njerëzit e mëdhenj, si e kanë thënë të urtët, nuk u përkasin vetëm popujve të tyre. Nopça i përket edhe kombit shqiptar, të cilin e deshi me zemër dhe që i kushtoi pjesën më të mirë e më energjike të jetës së tij si eksplorues i malësive, si krijues, si shkencëtar. Ai do të jetë një zë i fuqishëm për progres, për miqësi e vëllazërim midis tre popujve tanë, hungarez, austriak e shqiptar.
(Shkrimi i akademikut, prof.Dr. Mark Tirta, botohet me shkurtime. Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë.)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)