Ina Balla prej kohësh është në luftë me sëmundjen e kancerit të gjirit. Ajo i është nënshtruar disa terapive dhe sot ndodhet në një situatë të mirë shëndetësore. 36-vjeçarja thotë se ka besim që do t’ia dalë më sëmundjen e rëndë.

"Tani ndjehem pak më mirë, terapinë e gjashtë e kam nesër, jam më mirë nga gjendja shpirtërore",- shprehet Ina.

Por Ina është një grua e cila është përballur e vetme me sëmundjen por edhe duke rritur dy vajzat e saj në kushte shumë të vështira ekonomike. Ajo është dhunuar nga bashkëshorti i saj, në sy të të dy vajzave prandaj u detyrua që ta ndante atë. Prej 5 vitesh bashkëshorti i saj nuk e ka ndihmuar dhe sot ajo nuk ka asnjë kontakt me të.

"Arsyet kanë qenë se pinte shumë dhe kishte dhunë në familje kjo ishte arsyeja që e ndava s'doja t'i stresoja vajzat. Më dhunonte, më shikonin vajzat kur vinte i pirë e më rrihte. Tani jam në jetën time me vajzat e mia. Vajza e madhe e ka përjetuar më keq",- thotë ajo për Report TV.

Ajo thotë se ka vetëm një qëllim. T’ia dalë me sëmundjen vetëm për dy vajzat e saj.

"E vetmja gjë që dua është të rrisë vajzat e mia, të përballojë sëmundjen",- shprehet Ina Balla.

Pas apelit në Report TV Spitali Onkologjik i ka bërë të gjitha analizat falas për Inën. Gjithashtu shumë qytetarë e kanë ndihmuar atë në mënyrë financiare. Por ilaçet e shtrenjta dhe shpenzimet që ka për dy vajzat e vendosin atë në një situatë të vështirë financiare. Prandaj Report TV edhe njëherë u bën apel të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë për një nënë, e cila lufton për të jetuar në mënyrë që të rrisë dy vajzat e saj.

Numrat e llogarisë në Tirana Bank ku mund të kontribuoni financiarisht për kurimin e nënës së dy fëmijëve, Ina Balla
 
Lekë

AL70206110040000100574353001
 
Euro
AL16206110040000100574353003
 
Dollarë
AL43206110040000100574353002 

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)