Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ish-kryeprokurorja sqaron se menjëherë pas përfundimit të mandantin të saj në Prokurorinë e Përgjithshme, ka çuar një kërkesë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me qëllim për t’i propozuar Presidentit Bujar Nishani, emërimin e saj në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Ina Rama thekson në deklaratën e shpërndarë për media, se nuk ka asnjë qëllim për t’u përfshirë në politikë, por veçse të vazhdojë rrugën në profesionin e saj si pjesë e sistemit gjyqësor.
“Pas përfundimit të ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në mesin e muajit janar, kam paraqitur zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin tim si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Për këtë kërkesë gjithashtu kam bërë me dije zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës, Z. Bujar Nishani. Kjo kërkesë është mbështetur në garancitë që jep neni 7 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, për Prokurorin e Përgjithshëm që mbaron mandatin e tij kushtetues dhe në faktin që para kësaj detyre, kam ushtruar funksionet e gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Neni 7/1.3 i ligjit parashikon se “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.
Përtej të drejtave që jep ligji i mësipërm, kjo kërkesë mbështetet në vullnetin tim për të vazhduar dhe ndjekur profesionin tim, brenda sistemit gjyqësor, pjesë përbërëse e të cilit kam qenë që nga fillesa e karrierës time. Këto fakte tregojnë qartë për mungesën e interesit tim për t’u përfshirë në ndonjë projekt politik dhe për ekzistencën e plotë të dëshirës sime për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë. Për më tepër mbetem në pritje që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim lidhur me kërkesën që kam paraqitur”, thekson Ina Rama duke përgënjeshtruar deklaratën e Partisë Demokratike.
Nëpërmjet Laura Vorpsit, zëdhënëses së partisë, PD tha sot se kishte informacione nga burime brenda Partisë Socialiste, se Rama do të kandidonte Ina Ramën, e cila sipas PD “e mbrojti atë si avokate në hetimin si kryeorganizatori i puçit të 21 Janarit”, për deputete në zgjedhjet paralamentare.
Reagimi i Partisë Demokratike erdhi pas prezantimit nga lideri i opozitës Edi Rama, të ish-kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi si kandidat për Fierin në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)