Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës ngre shqetësimet për gjendjen e industrisë së filmit në vend. Ajo theksoi se buxheti i ulët për financimin e projekteve, mungesa e infrastrukturës moderne dhe largimi i profesionistëve po pengojnë zhvillimin e sektorit.
Zhupa kërkoi konsultim të gjerë për përgatitjen e një ligji për kinematografinë dhe më shumë mbështetje institucionale, ndërsa kritikoi qeverinë e Edi Ramës për mungesë prioriteti ndaj kulturës, duke nënvizuar edhe faktin se prej 13 vitesh vendi nuk ka një festival kombëtar të filmit. Sipas saj, industria e filmit ka potencial të madh për të ndikuar në promovimin e Shqipërisë, zhvillimin e turizmit dhe rritjen ekonomike, nëse mbështetet siç duhet.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë diskutuam nga afër problematikat që vazhdon të përballet industria e filmit në vend.
Një ndër shqetësimet kryesore mbetet buxheti i ulët në dispozicion për financimin e projekteve, i cili e bën shumë të vështirë zhvillimin e një industrie konkurruese dhe të qëndrueshme. Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e prodhimeve dhe në mundësitë për të mbështetur talentet e rinj. Përtej financimit, industria përballet edhe me mungesë infrastrukture moderne, mungesë të tregut të organizuar për shpërndarjen e filmave, mungesë të incentivave në ligjin e sponsorizimeve, si dhe me largimin e profesionistëve drejt tregjeve të huaja për shkak të mungesës së mundësive.
U theksua gjithashtu nevoja urgjente për një ligj të ri të kinematografisë, që t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të krijojë më shumë hapësira mbështetjeje, përfshirë edhe nevojën për konsultim të gjerë paraprak.
Është shqetësuese që prej 13 vitesh mungon një festival i mirëfilltë i filmit shqiptar, një lloj “Oscar” kombëtar, për të motivuar gjithë profesionistët e fushës por edhe për të krijuar një atmosferë promovimi dhe vlerësimi. Kjo tregon qartë se kultura dhe kinematografia nuk kanë qenë prioritet i qeverisjes së Edi Ramës.
Industria e filmit mund të kthehet në një aset i rëndësishëm për vendin, nëse investohet. Ajo luan rol kyç në promovimin ndërkombëtar, në rritjen e turizmit dhe në zhvillimin ekonomik. Investimi në këtë sektor nuk është luks, por domosdoshmëri për identitetin dhe të ardhmen tonë kulturore dhe ekonomike.
Komente











Ideja eshte e mire,por cfare filmash te konkurojne?! U.S vertet ka /Oscar/,por e keni pare origjinen e fituesve? Shumica bazuar ne librat /best sellers/,te fituesit /Pulitzer/,te autoret me te famshem ne bote,te ngjarjet me te njohura.Dikur kinematografia jone ka jetezuar ne film disa nga romanet e autoret me te famshem dhe ngjarjet me te njohura.Po sot cili fitues i panairit te librit eshte kthyer ne film? Cili autor,apo cili liber nga letersia klasike shqiptare eshte kthyer ne film? Sot prodhojme filma,por cilesia e tyre eshte shume e dobet,jane filma qe harrohen pas nje jave,ose filma qe nese ke durim t'i shohesh per here te pare deri ne fund,nuk do qe t'i rishikosh me,prandaj perpara se te kerkoni festival filmi,me mire kerkoni cilesi filmi.
Përgjigju