Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa denoncoi të mërkurën mënyrën se si Shqipëria sipas saj është trajtuar për vite me radhë si pronë private, ku territori është ndarë për interesa të ngushta dhe qytetarët janë lënë jashtë vendimmarrjes.

Një shembull të kësaj akuze ajo e sheh në librin “Albanian Files” një botim prej afro 800 faqesh, i prezantuar në kuadër të festivalit “Bread & Heart”, ku 60 studio ndërkombëtare arkitekture paraqitën mbi 500 projekte të zhvilluara ose të planifikuara në Shqipëri.

Gjatë një konference për shtyp, Zhupa tha se në këtë botim janë të dokumentuara akuzat e opozitës për modelin zhvillimor të vendit të ndërtuar sipas saj mbi mungesën e transparencës, privilegjet për disa dhe përjashtimin e qytetarëve nga procesi i vendimmarrjes.

“Në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me zhvillim normal urban, por me një model të ngritur mbi mungesën e transparencës, mbi privilegjet, mbi përjashtimin e qytetarëve nga vendimmarrja dhe mbi betonizimin e territorit. Vetë arkitektët e përfshirë në këto projekte e pranojnë atë që qytetarët kanë kuptuar prej kohësh. Ata flasin për ftesa të drejtpërdrejta nga Kryeministri. Flasin për projekte që nuk kanë kaluar përmes konkurseve. Flasin për një proces ku vizioni i një njeriu zëvendëson konsultimin publik, institucionet dhe interesin e komuniteteve lokale. Në çdo demokraci normale, transformimi i territorit bëhet përmes debatit publik, planifikimit afatgjatë dhe respektimit të interesit të qytetarëve dhe mos prekjes së zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.  Në Shqipërinë e Edi Ramës, territori është trajtuar si një plaçkë për t’u ndarë” tha ajo.

Deputetja demokrate u ndal edhe te fakti që, sipas të dhënave të publikuara në libër, në 41 për qind të projekteve nuk identifikohet porositësi apo zhvilluesi. Për Zhupën, kjo tregon një kulturë qeverisëse ku qytetarët nuk konsiderohen pronarë të territorit, por spektatorë të vendimeve që merren për të.

Ajo përmendi një sërë projektesh duke pretenduar se në të gjitha rastet shfaqet e njëjta logjikë e zgjerimit të betonit drejt zonave më të ndjeshme dhe më të vlefshme të territorit shqiptar.

“Po ta lexoni këtë libër do vini duart në kokë,  Narta dhe Zvërneci, te Divjaka, Himara, Orikumi, Vlora, Palasa, Gjipeja, Rana e Hedhun, Kune-Vaini, Lukova dhe Saranda, Tirame me kullat te garda e republikës, te Stadiumin Selman Stermasi, Pallatin e Kongreseve, Jetimoren Zyber Hallulli, Pallatin e Sportit, vila qeveritare në Velipojë dhe Vlorë, kudo shfaqet e njëjta logjikë: zgjerimi i vazhdueshëm i betonit drejt zonave më të ndjeshme dhe më të vlefshme të territorit shqiptar dhe shkatërrimi i çdo trashëgimie kulturore apo natyrore.  Po flasim për qindra mijëra dhe në disa raste miliona metra katrorë zhvillim të planifikuar në brigje, laguna, parqe kombëtare dhe zona me rëndësi të jashtëzakonshme natyrore. Po flasim për territore që u përkasin brezave të shqiptarëve dhe jo qeverive të përkohshme” tha Zhupa.,

Duke iu referuar edhe hetimeve të SPAK-ut, deputetja e PD-së tha se indiciet që po dalin mbi burimin e kapitaleve në sektorin e ndërtimeve e bëjnë edhe më të nevojshme transparencën për çdo projekt, procedurë dhe përfitues.

“Shqipëria nuk është ekspozita personale e Edi Ramës. Shqipëria është atdheu i shqiptarëve dhe askush nuk ka të drejtë ta projektojë, ta ndajë apo ta betonizojë pa pyetur qytetarët e saj”, deklaroi Zhupa.