Shtyhet për herë të dytë seanca paraprake për ish-zëvëndëskryeministrin Arben Ahmetaj për fraksionin e dosjes së inceneratorit të Elbasanit.

Shkak u bë moskthimi i përgjigjes nga të akuzuarit në mungesë për marrjen dijeni për procesin gjyqësor.

Gjykata urdhëroi edhe njëherë njoftimin e të pandehurve në adresat përkatëse, duke caktuar datën 15 qershor për seancën e radhës. 

SPAK e akuzon ish-zv.kryeministrin Ahmetaj, në arrati që prej verës 2023, për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash në 5 raste në bashkëpunim dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie në 15 raste. Mes pasurive te padeklaruara nga Ahmetaj, SPAK ka renditur edhe shumën prej 93 500 euro të shpenzuara në një kazino në Maltë në vitin 2019, shpenzim ky i padeklaruar në ILDKPI atë vit.

Ai akuzohet si propozuesi i inceneratorëve në qeveri dhe për lidhje të veçanta me sipërmarrësit e tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Dy biznesmenët gjithashtu akuzohen se kanë korruptuar Ahmetajn dhe bashkë me të kanë pastruar paratë e paligjshme. Sipas SPAK-ut në 5 raste të verifikuara, Ahmetaj ka marrë prej tyre në formë ryshfeti afro 700 mijë euro.

Përveç Ahmetajt, SPAK ka dërguar për gjykim edhe 10 persona të tjerë përfshirë këtu ish-bashkëshorten Albina Mançka dhe bashkëjetuesen aktuale, Erjola Hoxha, të dyja të akuzuara për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Dosja hetimore ndaj Ahmetajt doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceneratorit të Elbasanit. Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.