Inceneratori i Elbasanit, GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 7 të pandehurit e tjerë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e ish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish sekretarit të kësaj ministrie Alqi Bllakos dhe 7 të pandehurve të tjerë për gjykim të shkurtuar për çështjen e Inceneratorit të Elbasanit.

Në rast se këta të fundit shpallen fajtorë atëherë do të përfitojnë ulje të një të tretës të dënimit që do t’u caktohet. Ndërsa për Etleva Kondin procesi do të vijojë me gjykim të zakonshëm dhe ӓështja e saj është veçuar. Seanca e rradhës ku SPAK do të lexojë pretencën do të zhvillohet në orën 09:00 të datës 18 maj.

Sipas SPAK, Koka në cilësinë e ish ministrit ka përfituar rreth 3.7 milionë euro rryshfet nga tre administratorët e kompanisë ‘Albtech Energy’, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja për dhënien me koncesion dhe ndërtimin e Inceneratorit të Elbasanit.

Të pandehur për inceneratorin e Elbasanit janë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo , Bardhyl Çabiri, Serafin Papa. Nga këta persona, të arrestuar aktualisht janë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Byrdhyl Çabiri. Ndërsa në arrest shtëpie qëndrojnë Etleva Kondi dhe Serafin Papa. Në kërkim janë tre administratorët e inceneratorit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja dhe së fundmi Jonida Zeqo, anëtare e Komisionit të vlerësimit të Ofertave e cila ishte lënë në arrest shtëpie por pasi nuk u paraqit në seancë dhe më pas nuk u gjet në banesën e saj, u shpall në kërkim nga GJKKO.

Përfundimet nga hetimet e SPAK dhe akuzat ndaj të pandehurve

Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka provuar se procedurën e dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, duke shkelur kështu ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike.

Gjithashtu SPAK bën me dije se nga hetimet është provuar fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncensionit, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncensionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

“Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) proçedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, njofton Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Sipas prokurorëve veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.

“Lidhur me këto dy momente, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, i pandehuri Alqi Bllako në cilësinë e ish Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, si dhe të pandehurit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.

SPAK ka dalë në përfundim se ka mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se nga shoqëritë tregtare“Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar konçensionin)dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.

Sipas SPAK Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka përfituar rreth mbi 308 mln lekë nga shuma monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Kjo përbën një përfitim material të parregullt, që është marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Prokuroria e Posaçme thotë se Stela Gugalla, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Sipas SPAK Lefter Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ermond: 05/05/2023 22:42

    Gjykim të shkurtuar Kur të gjithe thonë se janë të pafajshëm! Mos valle kjo është në vetvete e paligjshme!

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 05/05/2023 22:30

    SPAK eshte i paafte per te hetuar inceneratoret. Prokuroret as e kane idene cfare ka ndodhur me to.

    Përgjigju
  • Tiku: 05/05/2023 20:28

    Bravooo gjykimi i shkurtuar, ka lezet. SPAK mbush statistikat, keta gjykohen e denohen me ulje 1/3, te gjithe te lumtur e te gezuar.

    Përgjigju
  • Mario: 05/05/2023 19:47

    Dmth moren miljona euro dhe tani dalin pa probleme???? Dua edhe une te bej aq burg sa keta mer 10% te shumes.

    Përgjigju
  • Grupi: 05/05/2023 17:47

    Sa bukur! SPAK e ka provuar vepren penale por perton ta vertetoje ne gjykate keshtu qe ja keput me gjykim te shkurtuar. Bravo SPAK dhe GJKKO prandaj paguheni miliarda nga taksat e popullit me te varfer te europes qe ti bini shkurt dhe ti ulni 1/3 e denimit atyre qe e katadnisen kete popull ne kete gjendje. Lirojini fare se askush nuk ka besim me tek ju.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë