Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, do të duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur edhe 6 muaj burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Vendimi u mor këtë të enjte nga Apeli i Posaçëm, i cili ndryshoi vendimin e GJKKO-së.

Për impiatin e Tiranës, Lefter Koka u gjykua në masë arresti me burg, dhe u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për “shpërdorim detyre”, me gjykim të shkurtuar. Gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurisë, duke pasur me lirimin  e ish-ministrit nga qelia, pasi vlerësoi se dënimi ishte shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim. Megjithatë, Apeli e rrëzoi këtë pjesë të vendimit, vetëm në lidhje me shuarjen e masës së sigurisë, duke bërë që Koka të rikthehet në burg për të vuajtur edhe 6 muaj të tjerë.

Apeli i GJKKO-së ndryshoi vendimin edhe për Jetmir Llapaj, ish-punonjës në Qendrën Kombëtare të Biznesit, i cili në shkallën e parë, ishte shpallur i pafajshëm. Apeli e dënoi me 8 muaj burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar.

Për të pandehurit e tjerë, Apeli la në fuqi të pandryshuara vendimet e shkallës së parë.

Në prill të vitit të kaluar, GJKKO dënoi në aplikim të gjykimit të shkurtuar, me 10 vite burg në total 7 të pandehur. Të gjithëve, iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.

Me nga 2 vite burg u dënuan 4 ish-anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, por përveç Fatjon Muratajt, i cili vijon në arrati, tre të tjerët, Bledar Karoli, Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu kanë dalë nga burgu, pasi e kanë shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.

Ndërsa ish anëtarja e komisionit, Sidita Kopliku, u dënua me punë në interes publik.

Drejtoresha juridike Valbona Ballgjini u dënua me shërbim prove.

Sipas SPAK, zyrtarët në bashkëpunim me ministrin e Mjedisit të kohës, Lefter Koka, kanë shpërdoruar detyrën gjatë lidhjes së kontratës së koncesionit të gushtit 2017, për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në Sharrë, me një kosto investimi të parashikuar prej 128.2 milionë euro pa TVSH. Zyrtarët propozuan dhënien e bonusit per shoqerinë pa një raport të kostove të projektit. Sipas SPAK, shoqëria e biznesmenit Klodian Zoto, u ndihmua në të gjitha procedurat, nga zyrtarët e Ministrissë së Mjedisit, duke u vënë në dijeni paraprakisht për rrethanat e konkurrimit, që të shpallej fituese.

Lefter Koka u arrestua në dhjetor 2021, fillimisht për inceneratorin e Elbasanit, por gjatë hetimeve u gjet përgjegjës edhe për impiantet e Fierit dhe Tiranës,

Ai u lirua nga qelia në dhjetor të vitit 2025, pasi për Elbasanin fitoi lirinë me kusht, për Fierin kishte kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit, ndërsa për Tiranën GjKKO e vlerësoi dënimin të shlyer gjatë kohës së paraburgimit

Dy inceneratorët, i Elbasanit dhe i Tiranës janë vulosur me vendim të formës së prerë, ndërsa të Fierit, Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në Apelin e GJKKO-së.

Vendimet e Apelit të GJKKO
Lefter Koka –2 vite burg, 5 vite ndalim nga funksionet publike
Jetmir Llapaj –8 muaj burg,  5 vite ndalim nga funksionet publike
Bledar Karoli –2 vite burg, shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike.
Taulant Tushe –2 vite burg, shuhet masa e sigurisë, 5 vite ndalim nga funksionet publike,
Namik Simixhiu –2 vite burg, shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike.
Fatjon Murataj –2 vite burg, 5 vite ndalim nga funksionet publike.
Valbona Ballgjini –Shërbim prove
Sidita Kopliku – Punë në interes publik, 5 vite ndalim nga funksionet publike

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)