TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka liruar nga qelia ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka pasi ka shlyer dënimin për dosjen ‘Toyota Yaris’. Vendimi u dha nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës të Zarkës dhe prokurorit të çështjes, për lirimin e tij.
Zarka mbahej në qeli nga qershor 2024 dhe është dënuar nga GJKKO me 4 vite burg për “korrupsion” dhe “ndikim të paligjshëm” në çështjen e njohur si Toyota Yaris, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për Zarkën ende nuk ka një vendim të formës së prerë nga Apeli. Kjo pasi treshja e gjyqtarëve Miliana Muça, Dhimitër Lara e Saida Dollani prishën vendimin e GJKKO-së, duke argumentuar se Zarka duhej të ishte akuzuar për grup të strukturuar kriminal.
Sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm Zarka, por edhe tre të pandehurit e tjerë të çështjes kanë bashkëpunuar si një grup i strukturuar kriminal – ndryshe nga vlerësimi i prokurorëve të çështjes, si dhe i gjyqtarëve të Shkallës së Parë, Erjon Çela, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca, të cilët e cilësuan si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese.
Menjëherë pas vendimit të Apelit, Zarka bëri rekurs. Gjykata e Lartë e zhbëri vendimin e Apelit dhe e ktheu për rishqyrtim me një tjetër trupë gjykuese.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










