TIRANE - Nata e ndërrimit të viteve është shënuar relativisht e qetë dhe pa probleme në kryeqytet. Pavarësisht kësaj në Spitalin e Traumës kanë mbërritur 6 raste të plagosjes nga fishekzjarrët dhe 7 persona të intoksikuar nga alkooli. Rastet e aksidenteve rrugore në kryeqytet, apo të traumave sipas mjekëve nuk kanë qenë serioze.
Mjekët thonë se fluksi ka qenë nën normalen, tepër i ulët krahasuar me vitet e kaluara.
Madje sipas bluzave të bardha krahasuar edhe me ditët e zakonshme fluksi ka qenë poshtë normales.
Rastet e vërejtura me fishekzjarrë, apo me konsumim të alkoolit, kanë qenë në momentin e ndërrimit të viteve kur sipas mjekëve kanë mbërritur njëri pas tjetrit të plagosurit nga fishekzjarrët.
Tre persona mbetën të plagosur rëndë me thikë pasditen e të enjtes më 31 dhjetor në Bathore, pas një konflikti për motive banale. Ndërkaq policia arrestoi personin e dyshuar për krimin, si dhe i bllokoi atij armën e krimit. Emiljan Delia 19 vjeç, banues në Bathore, u arrestua nga policia e komisariatit numër 5 në Kamëz dhe Sektori Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Delija në konflikt e sipër për motive banale sipas burimeve të policisë ka goditur me thikë Pëllumb Kurtin 34 vjeç, B.N dhe Fatjon Pashkaj. Të tre personat u dërguan në Spitalin e Traumës në kryeqytet. B.N dhe Kurti, sipas burimeve të policisë kanë qenë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën, ndërsa Pashkaj ka marrë plagë të lehta. Pas krimit policia identifikoi autorin dhe ndaloi atë bashkë me armën e krimit.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

5000 policë në gatishmëri në të gjithë vendin









