TIRANE - Afrimi i ditës së zgjedhjeve të 21 qershorit, ka rritur dhe tensionin mes partive politike por dhe vetë mbështetësve. Një incident elektoral është shënuar gjatë mesditës së djeshme në Paskuqan. Një person ka qëlluar me armë zjarri pas një konflikti fizik me pjesëtarë dhe militant të Partisë Demokratike. Dega e PD-së në Paskuqan në një deklaratë për mediat shprehet personi i cili ka qëlluar me armë zjarri është një militant i Partisë Socialiste.

Menjëherë pas këtij incidenti në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e policisë të cilët kanë identifikuar edhe autorin e ngjarjes. Sipas policisë, autori është 37 vjeçari Liman Lita i cili tashmë është i shpallur në kërkim. Po ashtu, policia tha se Lita ka qëlluar me armë në tokë, ku militantët e PD i kanë marrë armën nga dora dhe më pas e kanë dorëzuar në polici. Situata e krijuar ka sjellë jo pak tension në familjen e Litës.

Bashkëshortja e tij, shprehet se nuk beson në variantin e dhënë nga opozita, duke nënvizuar se Limani është i qetë.
 
Cili ishte reagimi i familjarëve të Liman Litas?

Sabrie Lita, bashkëshortja e Liman Litas tha për Shqiptarja.com se nuk ka qenë në dijeni për ngjarjen. Ajo u shpreh në lidhje me incidentin, se gjithçka e mori vesh nga policia të cilët kishin shkuar në banesë për kontroll. “Nuk isha në dijeni të ngjarjes. Mora vesh gjithçka kishte ndodhur në momentin që policia ka ardhur në shtëpi dhe filloi kontrollin. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe as unë nuk di se çfarë të them në lidhje me këtë. Limani doli nga shpia si zakonisht dhe nuk më tha se ku do të shkonte.

Ne nuk kemi armë tjetër në shtëpi përveç një çifte, por edhe këtë e kemi me leje. Nuk e di se ku e gjeti burri pistoletën dhe përse ai ka qëlluar me të. Por këto gjëra janë punë partish”. Kështu u shpreh Sabria në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme në Paskuqan. Ndërsa më tej, e frikësuar ajo tha: “Nuk mendoj se burri im ka hapur sherr i pari. Ai mund të jetë provokuar nga dikush, pasi Limani nuk është i tillë. Uroj që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejtë dhe burri im të dali i pa fajshëm”.

Por a i besonte Sabria personat të cilët shkonin në banesën e saj për t’u interesuar për ngjarjen?
Që në fillim të bisedës, në sytë dhe në fytyrën e Sabries vërehej ankth dhe frikë. Fillimisht ishte e vështirë të bisedoje me të, pasi herë pas here ajo shprehej se mos personi që kishte shkuar të bisedonte me të kishte të bënte me ndonjë parti politike, e konkretisht me PD-në. “Jeni me të vërtetë gazetare, apo ju ka dërguar dikush nga PD-ja për të ardhur e për të biseduar me mua”? Është kjo pyetja që zonja Sabrie bënte në mes të çdo bisede të zhvilluar me të.

Po dëshmitarët të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes çfarë thanë?
Ruzhdi Gjici, i afërmi i kandidatit të majtë Safet Gjci, tha se militant dhe simpatizantë të PD-së provokuan Liman Litën dhe ushtruan dhunë ndaj tij, dhe pikërisht për këtë ai ka qëlluar me armë. “Erdhi Xhelal Mziu me shokët e vet dhe më thirrën në shtëpi. Unë zbrita poshtë dhe ata më thanë se kishin diçka për të më thënë. Direkt u thashë të fitojë më i miri dhe ai që bën punën. Më pas erdhi Liman Lita dhe u tha që të sqarohej me ta duke u thënë se nuk duhej të shkonin e tu bënin shantazhe nëpër dyert e shtëpive. Pas kësaj, shokët e tij ngritën dorë mbi Limanin, dhe ky si çdo njeri reagoi”, tha Ruzhdi Gjici.

Po policia çfarë tha?
Policia tha se paraditen e djeshme ishte duke u zhvilluar një takim elektoral nga kandidati i majtë Xhelal Mziu, ndërsa Liman Lita ka shkuar atje dhe është konfliktuar me disa simpantizantë të PD-së. Limani i gjendur para shumë personave të cilët kanë filluar ta godasin, ai ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në tokë në shenjë paralajmërimi. Më pas Limanit i është marrë arma nga dora teksa është larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë. Burime nga policia thanë se 37 vjeçari Liman Lita, në vitin 2012 ishte person i shpallur në kërkim, pasi akuzohej për plagosje të lehtë me dashje, e ndodhur në bashkëpunim.

*Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)