Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar pas incidentit në uzinën e Gramshit, ku dy rusët dhe ukrainasi tentuan të futeshin brenda, madje sulmuan edhe dy ushtarët shqiptarë. Bardhi sjell në vëmendje ligjin e miratuar nga qeveria që i ka hequr policisë ushtarake nga mbrojtja objektet ushtarake. Bardhi thotë se maxhoranca as në këtë rast nuk e dëgjoi kundërshtinë e opozitës, por sipas tij dy ngjarjet e ndodhura në Gramsh dhe Poliçan, rikthejnë edhe njëherë vëmendjen tek ky ligj i cili nga ana e PS nuk është argumentuar. Ai ka publikuar edhe fotot e ligjit të miratuar në Kuvend më 21 korrik.
“Më 21 Korrik 2022 Edi Rama vendosi që Policia Ushtarake të mos mbrojë më objektet ushtarake, por duhet të mbrojë Ministrin e Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë civil të Ministrisë së Mbrojtjes. Kundërshtimi i opozitës edhe në këtë rast nuk u dëgjua dhe ligji u miratua me forcën e kartonit në Parlament. Ngjarjet identike brenda 24 orëve, ku shtetas të huaj (rus, ukranias dhe çekë) janë futur brenda objekteve ushtarake, duke cenuar sigurinë dhe në një rast duke rrezikuar edhe jetën e ushtarakëve shqiptarë, e bëjnë të domosdoshëm rikthimin e vëmendjes tek ky ndryshim ligjor i paargumentuar dhe i beftë", shkruan Bardhi.
Ndërsa u bën thirrje autoriteteve që ta zbardhin të plotë këtë ngjarje, Bardhi i kërkon Presidentit Bajram Begaj që të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të bërë një vlerësim të sigurisë në objektet ushtarake të shtetit shqiptar. Bardhi shkruan se cenimi i sigurisë në objektet ushtarake rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar në NATO, prandaj duhen marrë masa urgjente deri në rishikim të ligjit.
“E ndërsa autoritetet përgjegjëse kanë detyrimin të sqarojnë dhe bëjnë transparencë të plotë për rrethanat e ngjarjes në Gramsh dhe Poliçan, duke përfshirë edhe performancën e institucioneve shqiptare të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, Presidenti i Republikës ka detyrimin institucional të thërras me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të vlerësuar nivelin e sigurisë në objektet ushtarake të shtetit shqiptar. Cenimi i sigurisë në objektet ushtarake vendos seriozisht në rrezik sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s. Nëse ky rrezik vjen edhe nga vendimmarrjet e gabuara politike, siç është ulja e nivelit të ruajtjes në këto objekte, padyshim që duhet të ketë përgjegjësi politike. Objektet ushtarake të shtetit shqiptar nuk mund të trajtohen si “han pa porta”, siç në fakt Edi Rama ka kthyer shtetin dhe institucionet publike”, shkruan Bardhi.
Ligji për Policinë Ushtarake, që e zhveshi këtë institucion nga detyra për të mbrojtur zonat ushtarake dhe mori në mbrojtje Ministrin e Mbrojtjes u miratua në Kuvend më 21 korrik vetëm me votat e maxhorancës. Opozita e kundërshtoi fort këtë ligj edhe në debatet në Komisionin e Sigurisë.
Sipas ndryshimeve ligjore, Policisë Ushtarake i hiqet nga kompetenca e mbrojtjes së drejtpërdrejtë të pronave të Forcave të Armatosura. Fjalia ‘mbrojtjes e pronës’ është zëvendësuar me ‘mbështetje për mbrojtjen e pronës’. Ndryshimi është i rëndësishëm, pasi Policia Ushtarake do të vihet në lëvizje për mbështetjen dhe mbrojtjen e pronës vetëm për të kryer veprime procedurale dhe vetëm kur të njoftohet nga strukturat e tjera që e kanë në administrim atë pronë të ushtrisë. Pronat e ushtrisë do të ruhen në kuptimin fizik nga roje fizike, grupe kontrolli, siguri fizike, rrethim të jashtëm etj., ndërsa Policia Ushtarake do të veprojnë vetëm nëse një gjë të tillë do t’ia kërkojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ish ministri i Mbrojtjes në kohën kur shpërtheu Gërdeci, që la pas dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur Fatmir Mediu, ka reaguar për ngjarjen në uzinën e Gramshit. Ai u bën thirrje autoriteteve që ta zbardhin ngjarjen, ndërsa kërkon ngritjen e një Agjencie të Sigurisë Kombëtare, që të ndjekë me hollësi çështjet e sigurisë kombëtare.
"Partia Republikane dënon ashpër sulmin ndaj ushtarakëve shqiptarë në Uzinën Ushtarake të Gramshit nga shtetas rusë. Duke vlerësuar ushtarakët për qëndresën dhe zbatimin e detyrës njëkohësisht i urojmë shërim sa më të shpejtë. Kërkohet që Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ Kombëtar në mbështetje të Prokurorisë të hetojnë me seriozitet këtë sulm, agresion të paprecedent në territorin shqiptar, për më tepër ndaj ushtarakëve tanë, në një territor ushtarak nga shtetas rusë.
Rusia dhe Putin ka për qëllim krijimin e vatrave të tjera të konfliktit dhe tensionit në rajonin e Ballkanit mbas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia. Shqipëria është përcaktuar qartë nga Putin dhe Moska si kundërshtar i Rusisë. Nuk është hera e parë që shërbimet ruse veprojnë në territorin tonë dhe në Ballkan. Kujtoj shpërthimet në Rumani dhe Bullgari të organizuara prej rusëve.
Shërbimet ruse nën petkun diplomatik kanë tentuar prej kohësh të korruptojnë ushtarakë dhe civilë shqiptarë për qëllimet e tyre subversive. Shërbimi Ushtarak Shqiptar ka pasur informacione nga burime të ndryshme për koordinim të shërbimeve ruse, serbe dhe maqedonas kundër Shqipërisë para marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Për fatin e keq, asnjëherë nuk kemi analizuar siç duhet çdo informacion apo ngjarje. Dua të kujtoj që Rusia dhe Serbia tentuan të organizonin një grusht shteti kundër Malit Zi për eliminimin e President Gjukanovic para anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Provokimet në Kosovë janë një politikë e koordinuar ndërmjet Rusisë dhe Serbisë. Është nevojë urgjente ndërtimi i një Agjencie të Sigurisë Kombëtare e cila t’i shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare. Jemi i vetmi vend në botë që ka një Këshill të Sigurisë Kombëtare aspak funksional dhe fatkeqësisht çështjet e sigurisë i trajtojmë në mënyrë diletante”, shkruan Mediu.