Tensione të forta kanë përfshirë prej disa ditësh rajonin e Kashmirit, i administruar nga India dhe i pretenduar nga Pakistani.
Prej përplasjeve mes forcave qeveritare dhe protestuesve që kërkojnë liri nga kontrolli i Indisë, ka patur të vrarë dhe qindra të arrestuar.
Militantët pro pavarësisë së Kashmirit janë zotuar se do të vazhdojnë të protestojnë dhe kanë kërcënuar se do të nisin luftën e armatosur.
Protesta të forta jane zhvilluar edhe në rrugët e Londrës, ku qindra mbështetës pro-pakistanezë kanë kërkuar që New Delhi të heq dorë nga planet e saj.
Tubimet vijnë në një kohë kur tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë eskaluar, pasi qeveria indiane vendosi në 5 gusht ti heqë Kashmirit statusin e krahinës autonome, I cili garantohej nga neni 370 i kushtetutës indiane.
Veprimet e Indisë kanë provokuar reagime të forta edhe në Pakistan, duke bërë që autoritetet e Islamabadit të njoftojnë se do të ndërpresin tregtinë bilaterale me Indinë dhe do të dëbojnë ambasadorin Indian.
Qeveria indiane nga ana e saj ka dërguar mijëra trupa shtesë në rajonin e diskutueshëm, ka vendosur gjëndjen e shtetrrethimit, ka mbyllur linjat e telekomunikacionit dhe ka arrestuar disa udhëheqës politikë.
Gjatë një takimi me kryeministrin pakistanez, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kryeministri indian, Narendra Modi i ka kërkuar atij që jetë ndërmjetësues për Kashmirin, një pretendim i hedhur poshtë nga Nju Delhi.
Ndërkohë, me kërkesë të Kinës dhe Pakistanit, Këshilli i Sigurimit i OKB ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar situatën në Kashmir për herë të parë në disa dekada.
Maleeha Lodhi, përfaqësuesja pakistaneze në OKB, tha se “situata është e frikshme për sa i përket të drejtave të njeriut, me shkelje të kryera dhe të pa ndëshkuara nga ana e Indisë” ndërsa ambasadori kinez Zhang Jun u shpreh se “palët e interesuara duhet të përmbahen nga ndërmarrja e ndonjë veprimi të njëanshëm që mund të përkeqësojë tensionin tashmë jashtëzakonisht të rrezikshëm" .
Sipas analistëve ushtarakë dhe politikë, përfshirja e Pakistanit në dinamikën e ngjarjeve, shton ka frikën e një përplasje bërthamore, pasi Pakistani, shteti i gjashtë me numrin më të madh të popullsisë në botë, është shteti i vetëm me shumicë të popullsisë myslimane që ka armë bërthamore.