Industria moderne, ‘minë me sahat’ e sëmundjeve profesionale! Mjekët specializantë: Punojnësit nuk kujdesen për vete

Ishte viti 1984, kur nevoja për punë e detyroi Iljaz Bardhin nga Librazhdi të futej në tunelet e errëta të minierës së hekur-nikelit në Përrenjas, e më pas në atë të kromit në Bulqizë. Por ai nuk e kishte menduar kurrë se pas një dekade pune, shëndeti i tij do të dëmtohej rëndë nga pluhurat dhe përbërësit e kromit e nikelit.              

Në atë kohë ai shtrohet në spital dhe pas shumë vitesh trajtimi e ekzaminimi, rezultoi me astmë bronkiale, një nga sëmundjet më të shpeshta dhe më të rënda të shkaktuara për shkak të profesionit, ose e njohur ndryshe si sëmundje profesionale.

“Jam Iljaz Bardhi. Kam filluar në 84 punë në minierën e Përrenjasit. Pastaj përfundova në Bulqizë në minierën e kromit. Në nivelin e 16. Në 95 u detyrova ta lë punë për shkak të arsyeve shëndetësore. Vuaj nga mushkëritë. Aktualisht sot jam prej 17 vitesh me astmë bronkiale si pasojë e pluhurave të tepërta dhe kushteve mizerabël. Jam i operuar për hernie diskale. Jam aksidentuar në këmbë në minierë nga vagoni dhe jam me hekura. Kam 17 që jam me kujdes mjekësor. Të paktëm 3 herë në vit shtrohem në spital. Ky është dokumenti. Nuk kam sëmundje që nuk kam në trup. Jam tepër i pa kënaqur për jetën që po bëj sot. Në 95 e kam lënë punën vetëm nga shëndeti. Në 94 u shtrova në sanatorium”, tha ai.

Pasojat i vuan dhe sot, pasi ai thotë se nuk është në gjendje të punojë, sepse frymëmarrja i vështirësohet edhe kur i duhet të ecë në këmbë apo të udhëtoje me autobus.

“Dëmtim të mushkërive të dy krahëve nga pluhurat. E shtyva dhe një vit dhe e lash. Jam i pazoti. Eci dhe nuk jam i zoti se më merret fryma. Hyj në autobus dhe me zor e shty sepse më merret fryma. Si unë ka me mijëra minator”, tregoi ai.

63-vjecari mbijeton me pensionin prej 15 mijë e 400 lekësh që përfiton nga kempi si invalid pune, dhe nga prej punës së bashkëshortes. Këto të ardhura nuk i mundësojnë asgjë më tepër se sa bukën e përditshme...

“Sot ndodhem në gjendje jot ë mirë ekonomike, pasi marr një pension qesharak invaliditeti dhe nuk trajtohemi me pompat që kishim dikur. Ne jemi të braktisur. Për kaq vite sa kam punuar nën tokë unë punova për shtetin shqiptar. Aktualisht unë marr 154 mijë lekë në muaj. Mua më punon nusja se nuk ja dalim dot. Kam problem se nuk trajtohemi as me mjekimin e duhur. Kam një arkivë me dokumente për shëndetin tim”, përfundoi Iljazi.

Një mëngjes të zakonshme, teksa punonte për ndërtimin e një solete në Greqi, Naim Kukeli pësoi aksident, duke rënë në koma për 36 ditë. Dëmtimet që ka pësuar, i vuan sot e kësaj dite, pasi nuk është i aftë për punë.  Ato pak të ardhura që merr si pagesë paaftësie, i shpenzon për ilaçe.

“Quhem Naim Kukeli. Jam invalid dhe anëtar i këshillit të rrethit të invalidëve të Tiranës. Unë kamë rënë nga soleta në Greqi. Tani në 2019 dola në komision. Asnjëlloj ilaçi nuk ka rimbursim. 160 mijë marr pension, 100 u marr ilaçe. Kam rënë nga soleta në Greqi. Mbi 8 netra. 36 ditë kam qen në gjendje kome. Mbrapa gjatë mjekimit u shërova, por prape kam problem. Nuk mbahet familja. Gruja punon dhe nëpërmjet asaj mbijetoj unë. Prej 11 vitesh nuk po marrim asnjë shtese”, tha Kukeli.

Xhevit Domi është një tjetër person që jetën ia ka kushtuar punës në minierë. Prej vitit 2015, ai është ekzaminuar me stenozë, një sëmundje e bllokimit të arterieve. Ai është invalid i plotë, dhe medikamentet që merr janë të parimbursueshme....

“Quhem Xhevit Domi. Sëmundja ime është stenoza. E veçantë. Mua personalisht kur më ka kap kjo sëmundje isha në punë. U diagnostikova me 50% stenozë. U mjekova, por u bllokuan arteriet. Me 170 mijë a të marrim ilaçe a çfarë. Pensionet e ultra, ilaçet cilësore nuk rimbusohen. Me këtë pagë nuk përballojmë dot. Kam marrje fryme, Nuk jam i aftë të bëj asnjë lloj pune. Nuk jemi të aftë. Më Është bllokuar arteria kryesore. Invalid i plotë kam dalë në 2015. Shumë e vështirë është jetesa nëse nuk ke ndihmë”, tha Domi 

Por Iljazi, Naimi e Xheviti, janë vetëm disa nga personat që vuajnë nga sëmundjet profesionale. Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës Abdulla Omuri na tregon se sot në vendin tonë regjistrohen mbi 17 mijë persona me sëmundje profesionale. Dikur numrin më të lartë të punëtoreve me sëmundje profesionale e mbanin minierat, por sot ky numër është përqendruar edhe tek fasoneritë, call centerat,, fabrikat e ndryshme, ndërtimi e  të tjera.

“Me sëmundje profesionale në Shqipëri sot ndodhen mbi 17376 individë. Do ti ndajmë në dy kategori. Me sëmundje profesionale që kanë punuar në miniera që kanë silikozë. Pas viteve 1995 janë shtuar dhe janë mjaft shqetësuese janë rrobaqepësitë. Këto trajtohen tek sëmundjet profesionale. Të gjitha fasoneritë nuk respektojnë rregullat. Që nga viti 2016 dhe sot kemi 1213, më shumë femra që janë dëmtuar nga pluhurat. Është një krim njerëzor nga punëdhënësit e tyre. Ka një pasojë tjetër për moshën e re të zonjushave që ndikon edhe në riprodhimin e familjes. Faktorët janë të shumtë. Punëtoret nuk trajtohen në bazë të rregullave të sigurimit teknik. Një punëtor kur futet nëntokë duhet të ketë përparësi në pastrimin e trupit. Trajtimi me qumësht qoftë kur futet nëntokë ashtu edhe kur del. Pastaj kur dëmtohet është trajtimi me pension apo mbrojtje social. Puna ka dhe rreziqet e veta”, tregoi kryetari i shoqatës së invalidëve të punës.

Shkakun e këtyre sëmundjeve, Omuri e kërkon tek mungesa e rregullave të sigurimit teknik të punëtoreve. Ndërsa thotë se mungojnë edhe mundësitë e rikuperimit të të dëmtuarve, ndryshe nga sa ndodhte para viteve ‘90. Në atë kohë thotë ai njerëzit që punonin nëpër fronte të ndryshme, trajtoheshin në mënyrë të veçantë, qoftë në spitalin apo pavijonin e sëmundjeve profesionale, i cili nga viti 2013 nuk ekziston më.  Për të kjo është një mangësi e qeverisë shqiptare.

“Në momentin që kapin diagnozën sëmundje profesionale shtohet problem se si është trajtimi i tyre social. Para viteve 90 të gjithë këto njerëz që punonin nëpër fronte të ndryshme, trajtoheshin në mënyrë të veçantë, qoftë në spotalin apo pavionin e sëmundjeve profesionale i cili nga viti 2013 nuk ekziston më, që është një mangësi e qeverisë shqiptare dhe nuk gjen trajtimin shëndetësor. Së dyti janë disa element të tjerë që të paktëm qumështin duhet ta ketë të garantuar dhe ilaçet duhet ti marrin normalisht falas. Asnjëra nuk realizohet. E para ana financiare janë shumë të ulta. Mundësitë e rikuperimit nuk ekzistojnë. Më para ka pasur kape pushimi malore për të regjeneruar shëndetin e tyre”, tha Omuri.

Omuri bën apel që të shikohet edhe dinjiteti i punëtoreve, mbrojtja e tyre dhe të trajtohen mirë financiarisht, pasi pensioni mujor që marrin është shumë i ulët, krahasuar me rajonin dhe jo më gjerë. 

|Apeli im është që duhet të kemi parasysh dinjitetin e këtyre njerëzve, mbrojtjen, zbatimin e legjislacionit, e para nga trajtimi financiar. Një koleg në Maqedoni merr mbi 400 euro, ndërsa këtu deri në 180 mijë lekë. Kolegët e mi nuk mund të ngjisin shkallet pasi sëmundjet si silikoza, profesionale janë shumë të dëmshme. Një statistikë tjetër që ne kemi është se të gjithë ato me sëmundje profesionale jetojnë deri në 52 vjeç”, përfundoi ai.

‘Sëmundjet profesionale’ të cilat manifestohen në punë, janë shpallur si problematike kudo në botë. Ato nisin nga problemet me aparatin respirator, me sytë, dëgjimin, dëmtim të lëkurës, shtyllës kurrizore, edhe jo vetëm.

Mjeku okulist, Rubin Topi, thotë për Report Tv, se nga përvoja e tij ka parë jo rrallëherë persona që vuajnë nga problemet në sy për shkak të profesionit. Pacientë më të shpeshtë që shfaqin shqetësime janë ato që punë e kanë të lidhur me kompjuterin dhe celularin.              

“Dëmtimi i shikimit, ka raste edhe humbja e shikimit mund të jetë edhe sëmundje profesionale. Ka shumë zanate që shumë persona punojnë me kompjuter, tablet, celular që tani është e provuar që rrezatimi jo natyral i dëmton shikimin. Një pjesë e mirë e vizitave që ne zhvillojmë gjatë një dite e zënë pacientët që kanë këto shqetësime. E shprehin qartë që thonë doktor unë rri para kompjuterit. Ka dhe raste ekstreme që rrinë mbi 8 orë para kompjuterit. Nëse bëjmë një statistikë shumica e pacientëve që kanë shqetësime të tilla fillojnë nga mosha, fëmijë të vegjël që fëmijët fatkeqësisht i kanë mësuar me tableta e deri në moshat që janë aktivë në punë përpara kompjuterit. Këto janë pacientë që na ankohen për lodhjen. Rritja e miopisë, dhimbje koke, e qafës dh e shpatullave, dhe dëmtime të qelizave të retinës. Ka efekt edhe në shtresën e korteksit, shtresa sipërfaqësore e trurit që është përgjegjëse për shqisat. Ndoshta personi nuk e dallon këtë gjë, por është e provuar. Kompjuteri kthehet në droge digjitale. Pa e kuptuar ti ngrihesh e merr tabletin”, tha mjeku okulist.

Nga përvoja e tij profesionale, Topi thotë se ka parë jo rrallëherë persona që vuanin nga sindroma e syrit të thatë, sforcimi i syrit, apo dëmtimit të shtresës së sipërme të trurit nga qëndrimi për një kohë të gjatë para kompjuterit, që lidhet drejtpërdrejt me shqisat.                 

“Sëmundja e syrit të thatë. Kushdo që rrinë në pajisje digjitale bëhet me sondomë e syrit të thatë. Truri i jep komandë kapakëve të syrit që mua më intereson informacioni tek ekrani dhe rrallohet mbyllja  kapakëve ajo reflektoj. Në këto raste këshillojmë lot artificial i  cilësisë lartë dhe shpesh herë i japim dhe qetësues. Profesione të tjera që ndikojnë janë industritë që kanë punë me pluhura, që presin me gurë fleksibël, nuk përdorin rregullat. Na paraqiten shumë shpesh sepse xixat që kanë hekur ju ngjiten në sy. Shpesh herë ka pasur raste që ju janë dëmtuar edhe kuplet syri. U është hequr. Janë zanate që kanë pluhura dhe lëndë kimike. Këtu fusim dhe saldatoret. Nga drita shumë e fortë vuajnë shumë nga sytë”, tregoi okulisti.

Për Report Tv, mjeku okulist na jep disa këshilla në mënyrë që në të ardhmen mos të vuajmë nga sëmundjet profesionale të syrit.

Për shkak të marrëdhënieve të punës e kanë të pa mundur të shkëputen nga kompjuter. Për këto persona ka një rregull. Rregulli më i thjeshtë është që çdo 20 minuta nëse është e mundur ne këshillojmë të shkëputet nga ekrani i kompjuterit dhe të çlodhë veten ,të çlodhë sytë duke parë në distancë. Është tamam sikur shtyp butonin restart tek syri”, përfundoi mjeku okulist

Në mesin e sëmundjeve profesionale, futet edhe dëmtimi apo humbja e dëgjimit. Mjeku otorino-laringolog  Klevis Thomai pohon se humbja e dëgjimit është një nga sëmundjet më të shpeshta profesionale, sidomos në kohët e sotme, pasi numri i atyre që kanë probleme, dhe sidomos moshat e reja, po rritet çdo ditë e më shumë. Problemi sipas tij e ka burimin tek neglizhenca e punëtorëve pasi në ambientet e punëve me zhurmë ata nuk përdorin mjete mbrojtëse, ndërsa në momentin që kanë kufjet si mjet pune, ato nuk ruajnë normat e zërit.

“Humbja e dëgjimit është një nga sëmundjet më të shpeshta profesionale sidomos në kohët e sotshme. Ka qenë dhe më përpara por nga ana e humbjes së jetës është me shumë pak rrezikshmëri. Por ndikon shumë në cilësinë e jetës sepse një person që nuk dëgjon do ta ketë më të vështirë në jetën e tij të përditshme. Me kalimin e kohës kemi parë rritje të numrit të personave që kanë këto probleme, të çdo lloj moshe. Sigurisht që kanë qenë dhe më përpara sepse pot ë llogarisim minierat, fabrikat që kanë qenë dikur që pothuajse mbrojtjeve ndaj zhurmave ka qenë inegzistente në rastet e shpërthimeve. Sot këto profesione janë zëvendësuar me fasonët, call center, me disa fabrika të tjera siç janë përdorimi i makinerive të rënda. Sigurisht që moshat e reja kanë trend rritje të problemeve me dëgjimin, por jo vetëm nga puna. Flasim që nga kufjet që përdorin për celular e kompjuter. Kemi pasur nga të gjitha rastet. Ka të bëje me neglizhencën e ruajtjes së vetes dhe nëpunësit nga punëdhënësi. Nëse shkojmë e marrim një palë kufje. Po marr rastin e ndërtimet. Blej një palë kufje mbrojtëse, një kapele mbrojtëse, një helmet, syze dhe nuk shkojnë më shumë se 1 mijë lekë të reja. Por rrallë kam parë punëtor të përdorin kufje mbrojtëse. Çdo zhurmë mbi 80 decibel nuk është zhurmë e madhe, por mund të jetë dëmtuese për dëgjimin. Atëherë sigurisht si punëdhënësi edhe punonjësi nuk duhet të neglizhohen dhe sigurisht që kemi raste tjera të përdorimit të kufjeve. Rasti i Call Center mbi 80 decibel të njofton që kjo mund të jetë e dëmshme për dëgjimin. Këtu hyjmë në neglizhencën personale”, tha mjeku ORL, Klevis Thomai.

Mjeku bën thirrje që të ruhemi sot dhe të përfitojmë nesër, pasi kur je i ri nuk e vëren problemin, por kur je në moshë të madhe, trauma rritet.

“Vetë punonjësi duke qenë se i jepet një paralajmërim ai nuk e zbaton. Gjithmonë neglizhenca ka të bëje me to. Për shkak të zhurmave dëmtohet dëgjimi. Zhurma bën që të të bie dëgjimi. Kat ë bëje me vitet por ka të bëje me episode. Sa më pak zhurmë aq më mirë është si për veshin edhe për trurin. Sigurisht kur je i ri humbja e dëgjimit nuk është problem, por kur je në moshë të madhe trauma rritet. Ruajuni sot që të përfitoni nesër”, tregoi mjeku ORL.

Në numrin e patologjive që futen tek sëmundjet profesionale futen edhe problemet me lëkurës, si dermatiti dhe ekzema. Këto probleme, sipas dermatologes Monika Fida, vijnë nga shumë profesione që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve të ndryshme kimike.

“Këtu do të përmend dermatitin dhe eksemën që hasen kryesisht dhe në një numër të shtuar tek parukierët, estetistët si dhe dermatiti dhe ekzema tek punëtoret e ndërtimit si rezultat i kontaktit me lëndët argjelizuese dhe irrituese. Pra është një patologji që haset tek këto grupe individësh. Kryesisht vendoset në duar."

Gjatë kohës së pandemisë, probleme me lëkurën, janë vërejtur edhe tek mjekët, të cilëve u është dashur që gjatë gjithë kohës të mbajnë maska dhe doreza si dhe të përdorin lëndë të ndryshme dezinfektuese.

“Nga ana tjetër ajo që është vërejtur shumë gjatë pandemisë është që një pjesë e kolegëve tanë, mjekë infermierë  dhe sanitarë që kanë qenë në front të punës dhe kanë qenë të detyruar që të jenë gjatë gjithë ditës së veshur me doreza e maska edhe tek ky grup është vërejtur sëmundja profesionale, siç është në këtë grup dermatitët, ekzemat, lëkura e thatë , pra një alergjizim i lëkurës së tyre. Kjo vjen si rezultat o kontaktit të lëkurës së tyre me doreza, maska. Trajtimi i këtyre patologjive është një trajtim kompleks”, tha dermatologja.

Ajo tregon mënyrën se si të veprohet në raste dëmtimi. Ndërsa në raste ku sëmundja nuk shërohet, Fida thotë se pacientëve u është këshilluar edhe lënia e punës, pasi këto patologji dëmtojnë rëndë edhe cilësinë e jetës.

“Ajo që u këshillohet së pari këtyre pacientëve është që të eliminojnë lëndën metë cilën ata bien në kontakt. Nëpërmjet eliminimit të lëndës , eliminohet rishfaqja e patologjive në muajt në vazhdim. Në rastin e pacientëve që nuk eliminohen lëndët, rekomandohen masa mbrojtëse. Nëse alegjizimi vjen nga dorezat e lateksit, rekomandohet që poshtë dorezave të vishen doreza pambukut dhe sipër ato të lateksit. Rekomandohet përdorimi i kremrave barrierë. Arrihet që ti rekomandohet pacientit edhe të braktiset profesioni nëse situata klinike është shumë e rënduar. Siguron kuadrin klinik, cilësinë e jetës. Ne sot flasim për cilësi jete. Sepse për një nënë, punëtor nëse do ketë gjatë gjithë kohës dermatitin e formën e rëndë automatikisht cilësia e jetës së tij është dëmtuar ndjeshëm”, përfundoi mjekja.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lexues: 17/09/2021 07:25

    Po punedhenesi nuk paska pergjegjesi fare o doktor? Veshjet mbrojtese, ndricimin, ajrimin, oraret e punes nuk i percakton punedhenesi?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Banesa përfshihet nga zjarri, shkak një defekt në bombulnë e gazit! Shpëtojnë mrekullisht familjarët 

Gjirokastër/ Banesa përfshihet nga zjarri, shkak një defekt në bombulnë e gazit! Shpëtojnë mrekullisht familjarët