Prodhimet e para të industrisë ushtarake ‘Made in Albania’ nisin në muajin prill ku janë nënshkruar 6 kontrata për 326 vende pune.  

“Në prill kemi dronët në ish-uzinën e auto-traktorëve nga kompania KAYO. Në maj përfundon puna për fabrikën e tekstileve në zonën e Babrrusë, për prodhimin e uniformave me produktet e para të porositura, janë bërë porositë e parë, katër kompani prodhuese. Në korrik nisim prodhimin e municioneve të para”, tha Vengu.

Duke bërë një pasqyrë për kapacitetet e mbrojtjes, ministri u ndal tek rekrutimi i ushtarëve. Berati, Elbasani dhe Korça kryesojnë me më shumë ushtarë të rinj.

“Faza e parë e rekrutimeve, 252 ushtarë dhe që kanë filluar që sot stërvitjen. Praktikisht u janë shtuar FA 1000 personel aktiv. Synojmë të rekrutojmë 363 rezervisteve këtë vit. Kontratën e rezervistëve e shoqërojmë me bursa. Fillojnë këtë vit rekrutimet për akademinë e aviacionit. Në maj vijnë helikopterët stërvitorë”, tha Vengu.

Përpos misioneve të NATO-s, Shqipëria së fundi ka marrë angazhim edhe në Bordin e Paqes për Gazën ku do të kontribuojë me trupa ushtarake.

“Kanë qarkulluar shumë harta në media. Nuk janë harta zyrtare, do të jenë bisedimet e shtabit që do t’i përcaktojnë. Forcat tona janë brenda një ombrelle të një aleati më të madh”, tha Vengu.

“Nuk ka asgjë konkretë për hartën nuk ka ndarje operacionale. Është faza fillestare e planëzimit”, tha Arben Kingji, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Emergjencat civile të menaxhimit të situatave të përmbytjeve dhe zjarreve në vend merr një pjesë jo të vogël të buxhetit të ministrisë së Mbrojtjes. Për përmbytjet e fundit, Vengu tha se e ka gati paketën e kompensimit të dëmeve sidomos në bujqësi dhe blegtori. Ndërsa për zjarret, dha garancinë se në dispozicion këtë verë do të jenë 4 helikopterë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
Vengu: Gjyqi për 4 ish-krerët e UÇK në Hagë, shembull i luftës hibride! Akuza të fabrikuara nga influenca ruse në Këshillin e Evropës

 

Ministri Vengu foli për gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës për 4 ish-krerët e UÇK-së. Vengu tha se akuzat janë të fabrikuara nga influenca ruse në Këshillin e Evropës.

“Është evidente që kjo përpjekje është mbështetur në akuza të fabrikuara me influencë ruse në Këshillin e Evropës. Nga ana tjetër janë vetë hetimet që po bëhen ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës që dëshmojnë këtë afinitet toksik mes këtyre agjendave të fabrikuara në Rusi. Ky është shembull se çfarë është lufta hibride. Një vend që ka një pozicion armiqësor ndaj Kosovës dhe përdorur influenca të organizatave ndërkombëtare deri diku duke përdorur dhe keqpërdorur drejtësinë ndërkombëtare për të delegjitimuar të drejtën ndërkombëtare për drejtësinë e Kosovës”, tha Vengu.

Ora 11:25
Stërvitja e përbashkët Shqipëri-Kosovë-Kroaci/ Ministri Vengu: Panik i pajustifikuar nga Beogradi

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e ka cilësuar një panik të pajustifikuar nga Beogradi, reagimin e institucioneve atje, pas stërvitjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë-Kroaci.

Vengu u shpreh se bashkëpunimi trilateral është në zbatim e sipër, teksa shtoi se të tre vendet kanë nevoja të ngjashme, ndaj dhe fuqizohen duke u bërë bashkë.

"I ndjekim reagimet, një lloj paniku i pajustifikuar nga institucionet në Beograd. Ne vijojmë punën tonë. Bashkëpunimi trilateral është në zbatim e sipër. Bëmë një takim me homologët e mbrojtjes në Mynih, për të përcaktuar hapat e tjerë për prokurimet në fushën e mbrojtjes, të tre vendet kanë nevoja të ngjashme fuqizohemi duke u bërë bashkë, për kontrata më të mira më të lira. Bashkëpunimi në fushën e industrisë, kemi një përfshirje edhe në panairet që po organizojnë kolegët kroatë", theksoi ai.

Ora 11:16
Ministri Vengu: 4 helikopterë për çdo emergjencë, synojmë që këtë vit të kemi avionin zjarrfikës

 

Ministri Vengu foli dhe për paketën e re të masave për për forcimin e kapaciteteve të vendit në përballimin e emergjencave civile. Vengu tha se Shqipëria është në negociata për për blerjen e dy avionëve zjarrfikës, ku synohet që të paktën një prej tyre të jetë operacional brenda këtij viti.

“Kemi një kontratë në zbatim e sipër përmes KAYO dhe Timac Defence, për prodhimin e mjeteve të  emergjencave civile dhe të specializuara për terrenet malore dhe pyjore. Këto mjete do t’i transferohen bashkive që kanë më shumë nevojë. Është në negociatë e sipër blerja e dy avionëve zjarrfikës. Një element është që mundësojmë që ky element të vijë sa më parë, nuk e dimë nëse do të vijë për sezon. Synimi që në vitin 2027 t’i kemi të dy, por dhe pak më përpara. Të kemi minimalisht në çdo element katër helikopterë, për çdo emergjencë.”, tha Vengu.

Ora 11:08
Bordi i Paqes/ Gjenerali Kingji: Ende nuk dihet sa trupa do dërgojmë në Gaza! Vengu: Hartat e publikuara në media për pozicionimin e ushtarëve, jo zyrtare

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji thotë se ende nuk ka një numër zyrtar, se sa trupa do dërgojë Shqipëria në Gaza.

"Shqipëria ka shprehur dakordësinë për marrjen pjesë në forcën ndërkombëtare të stabilitetit. Aktualisht, kemi deklaruar në fazën e parë në shtabin që do krijohet për këtë qëllim. Jemi duke diskutuar me aleatët për detajet e tjera. Nuk kemi përcaktuar akoma numrin e saktë të pjesëmarrësve, nuk ka asgjë konkrete për këtë gjë. Në diskutim me aleatët, ne do të vazhdojmë detajet tona. Në lidhje me shifmin e forcave në KFOR, kemi marrë miratimin e ministrit të Mbrojtjes. Do përfshihemi me helikopter Kugar, pilotë teknikë", u shpreh gjenerali.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se hartat e publikuara në media për vendosjen e trupave shqiptare në Gaza, nuk janë të vërteta.

“Sa i përket, Bordit të Paqes kanë qarkulluar harta në media, nuk përbëjnë dokument zyrtar, po presim përcaktimin e vendeve aleate, që ne të përfshihemi brenda tyre në operacion. Për KFOR, informacioni u sqarua. Absolutisht e konfirmuara, nuk janë harta zyrtare. Do jenë bisedimet e shtabeve që do përcaktojnë në vijimsi. Forcat tona veprojnë brenda ombrellës së një aleati më të madh.", tha Vengu.