Shfrytëzimi pa kriter dhe i paligjshëm i baseneve dhe lumenjve në Shqipëri duhet të marrë fund një herë e mirë.
 
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti e ka përkufizuar këtë fenomen, si një prej shkaqeve kryesore të shkatërrimit të ekosistemit, të zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe të përmbytjeve të përsëritura vit pas viti.
 
Ai tha se ka ardhur momenti që të vendoset një moratorium për bllokimin e çdo shpërdorimi të këtyre pasurive kombëtare.

''Kam firmosur urdhrin dhe ndalimin për shfrytëzimin pa kriter të lumenjëve të cilët janë edhe shkaku kryesor i problemeve që kemi pasur me përmbytjet, prandaj forcimi i kritereve të ruajtjeve së baseneve të pellgjeve ujore të lumenjëve do të jetë një prioritet absolut. Hapi i pari dhe i vendosur do të ketë të bëjë me një moratorium që ne duhet ta shpallim për shfrytëzimin e pa kriter dhe marrjen e inerteve nga basenet ujore dhe nga të gjitha pellgjet ujore të vendit'',-u shpreh Panariti.

Deklaratat e Ministrit Panariti u bënë gjatë prezantimit të kartave të njehsuara të inspektorateve në varësi të këtij institucioni. Pajisja me kartat moderne i hapi udhë edhe sistemit të raportimit online nga ana e inspektorëve, por dhe të qytetarëve.


dy.b/shqiptarja.com