Piktori dhe restauratori i njohur Mustafa Arapi është infektuar me COVID-19.

Vajza e tij, studiuesja Dorina Arapi bën me dije se i ati është i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Përmes një postimi në Facebook, ajo i bën thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministres Ogerta Manastirliu që t’i japin vëmendjen e duhur të atit.

Ajo thotë se Mustafa Arabi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm prej 40 vitesh në fushën e restaurimit.

“Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit '90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira! Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare. Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare. Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen! Shpërndajeni këtë mesazh,... kush dëshiron” – shkruan ajo.