Një tjetër rrugë është rikonstruktuar në Tiranë duke i dhënë fund një problematike të kahershme për banorët e zonës së Shkozës.

Bëhet fjalë për rrugën “Ramazan Shushku”, e cila tashmë është kthyer në një aks të standardeve urbane dhe lidhet drejtpërdrejt me Unazën e Madhe.

Gjatë inspektimit në terren, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, tha se ndërhyrja është realizuar në kohë rekord dhe ka transformuar një zonë që më parë ishte pa asnjë infrastrukturë.

““Kjo është një ndër ato rrugë në të cilat për shkak të shmangies së shpronësimit ka ecur me të vërtetë shumë shpejt. Bëhet fjalë për një zonë e cila nuk ka pasur asnjë lloj infrastrukture urbane apo publike dhe jo vetëm që tani e ka, por është e lidhur edhe me Unazën e Madhe dhe do të vijojë të lidhet me rrugën “Pjetër Arbnori” të cilën ne do të vazhdojmë ta investojmë. Më në fund kanë të njëjtën infrastrukturë që ka çdo banor i qytetit të Tiranës edhe pse është goxha distancë nga qendra.  Mirëpresim bashkëpunimin e banorëve për sa i përket të gjithë investimit, mirëmbajtjes së tij, por edhe të jetës në komunitet e cila e bën edhe investimin edhe më me kuptim”, deklaroi Anuela Ristani.

Ajo apeloi edhe për bashkëpunim nga komuniteti për mirëmbajtjen e investimit dhe forcimin e jetës në komunitet.

Nga ana tjetër, administratorja e Njësisë Administrative nr. 1, Trëndelina Jaku, tha se banorët janë shprehur të kënaqur me ndërhyrjen, pasi janë zgjidhur problemet bazë që kishin prej vitesh.

““Banorët kanë qenë të gjithë shumë të kënaqur sepse normalisht s’ka patur problematika. Domethënë normalisht ndriçimi është bërë, ujërat e zeza dhe kanalizimi është bërë, kështu që shumë faleminderit”,  u shpreh ajo.

Rruga dytësore nis nga Unaza e Madhe dhe vijon deri në kryqëzimin me rrugët “Pjetër Budi” dhe “Agush Gjergjevica”, duke shërbyer si akses për banesat e zonës, kryesisht ndërtesa 1 deri në 3 kate. Segmenti lidhet në fund edhe me lagjen Çollak.

Investimi përfshin ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza, kanalizimet e ujërave të shiut, shtresat rrugore, trotuaret, ndriçimin modern dhe sinjalistikën, duke i dhënë zonës një standard të ri infrastrukture.