Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me presidentin e bordit të organizatës gjermane ASB, njëherësh eurodeputet, Knut Fleckenstein kanë organizuar gjatë ditës së sotme konferencën “Iniciativa e Dimensionit Social” për vendet e Ballkanit Perendimor, për të mos lënë askënd pas në procesin e integrimit europian.
Zv/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri theksoi se integrimi është mbi të gjitha një proces shoqëror që duhet mbështetur me politikat e duhura sociale.
“Integrimi europian duhet të jetë gjithëpërfshirës, jo vetëm i elitave politike apo ekonomike, prandaj 'Iniciativa e Dimensionit Social' vjen në kohën e duhur për t’i mëshuar faktit se nuk mund të ketë integrim të pjesshëm europian, por nuk duhet të lihet askush pas”, – u shpreh zv/ ministrja Kospiri.
I pranishëm në takim eurodeputeti Knut Fleckenstein inkurajoi shoqërinë civile për të aplikuar në projekte konkrete.
“Inkurajoj të rinjtë, shoqërinë civile, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e rajonit, të rrisin kapacitetet për të aplikuar për projekte konkrete zhvillimi. Përfshirja e shoqërisë civile është mënyra më e mirë për të përshpejtuar hapat drejt integrimit europian” – tha Fleckenstein
Iniciativa e Dimensionit Social u prezantua në publik vitin e kaluar si një nismë e organizatës joqeveritare Arbeiter-Samariter-Bund (ASB) në bashkëpunim me organizata të ndryshme të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor. Konferenca e parë mblodhi rreth 150 pjesmarrës, 64 organizata dhe u përzgjodhën 65 bashki në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për tu mbështetur me projekte konkrete. Asistenca e Arbeiter-Samariter-Bund (ASB) me projekte ka filluar të zbatohet me përzgjedhjen e 11 bashkive në Shqipëri, duke ofruar mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të bashkive për çështje me interes të përbashkët për thellimin e reformave në sistemin e mbrojtjes shoqërore.
Komente











