Inida Gjata : Si e la Dakar
Gjermaninë për mua

Inida Gjata : Si e la Dakar <br />Gjermaninë për mua
Inida Gjata ose siç njihet ndryshe Zhaku është një nga personazhet më karizmatik të ekranit shqiptar.Ajo është bërë e njohur për publikun shqiptar në sajë të karakterit të saj të veçantë dhe mënyrës ndryshe të të konceptuarit të artit dhe ngjarjeve të ndryshme të aktualitetit. Së fundmi Zhaku ka marrë pjesë në kompeticionin “Dancing With The Stars” ku ka qenë një prej finalisteve. E intervistuar për THASH&THEM, Zhaku ka rrëfyer përvojën në Dancing, pritshmëritë e saj etj. Por risia që Zhaku ndau me ne, është lançimi i albumit të saj të parë “Shakull”, që ajo e sjell në bashkëpunim me kolegun dhe partnerin në jetë Dakar.

Sapo përfunduat sfidën në DWTS, dhe tani i jeni përveshur punës për projektin tuaj. Na tregoni diçka më shumë? Pse do ta quani “Shakull”, çfarë kuptimi ka?

Edhe pse ka kaluar vetëm një javë nga DWTS më duket aq e largët finalja e tij. Sikur ka kaluar një jetë. Pasi menjëherë u zhyta në frenetizmin e punëve për realizimin e kësaj ngjarje të madhe të 30 Gushtit , tek Piramida e cila jo vetëm promovon albumin muzikor të parë për mua dhe të katërt për partnerin tim dhe producentin gjerman Dakar, i cili u zhvendos ne Tiranë meqë unë nuk doja të zhvendosesha në Berlin, por përmban dhe një ankand veshjesh të përdorura të yjeve dhe artistëve shqiptarë më të suksesshëm dhe të dashur për të gjithë. Do të përmbajë edhe ushqime, pije, panair ku institucione apo biznese të lidhura me interesa publike të mund të komunikojnë drejtpërdrejtë me qytetarët. Do të përmbajë një backstage prive për personat e rëndësishëm të ftuar në këtë ngjarje si dhe shumë komunikim me publikun. Por mbi të gjitha , do të bëhet e mundur , që me përkrahjen e Bashkisë së Tiranës, menjëherë pas përfundimit të 30 GUSHTIT , si dhe me fondin e shitjes së veshjeve të Vipave , do të krijohet një studio video dhe fotoreporterësh e cila do të jetë në shërbim të komunitetit të personave që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë , për një vit. Aty , profesionistë të video dhe fotoreportazheve do të zhvillojnë një kurs me pjesëtarët e këtij komuniteti në mënyrë që përvoja e tyre të jetë aq profesionale sa të mund të punësohen nëpër gazeta apo televizione si reporterë . Detyra e tyre do të jetë që të mësojnë duke dokumentuar realitetin e komuniteteve të papërkrahura dhe të përjashtuara nga shoqëria. E kemi titulluar " SHAKULL" pasi vjen befas , papritur, porsi një goditje që të le " shakull" në vend (qesh). Vetëm projekti muzikor mes meje dhe Dakar titullohet " Shakull". 30 GUSHTI tek Piramida titullohet "INTERESHOW".

Producenti i albumit tuaj do të jetë i dashuri juaj, Dakar, ?Si është në fakt Dakar si i dashur dhe si koleg?

Unë dhe Dakar jemi ndër ato çifte që mund të kihen zili për harmoninë tonë. Ne jemi partnerë në plot kuptimin e fjalës. Ndihem me shumë fat që jetët tona u ndeshën befas dhe që muzika dhe ajo çfarë ne krijojmë, për ne është pjesë e jetës sonë të përditshme kaq natyrshëm ndodhemi sot , pas 6 muajsh me mbi 20 këngë shqip të cilat janë vërtetë të veçanta. Nuk dua ta marr veten m´sysh kështu që s’po e zgjas me këtë muhabet.(qesh)

Keni kohë që bashkëjetoni bashkë, kur do ta kurorëzoni lidhjen tuaj me një dasëm shqiptare ?

Neve lidhjen tonë e festojmë në çdo dasëm shqiptare ku shkojmë. Sidomos këtë muaj kemi disa dasma që na presin të shkojmë e të festojmë.

Kur do të nisi turi juaj muzikor nëpër Shqipëri?

Gjatë vjeshtës. Do të shkojmë në Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Prishtinë.

Si do ta kujtoni eksperiencën tuaj në DWTS?

Si një përvojë shumë të bukur , fantastike.

Do donit të ishit ju fituesja e këtij kompetcioni?

Natyrisht që doja.

Në këndëvështrimin tuaj e meritonte Elvana fitoren?

Mendoj se Elvana i ka të gjitha cilësitë artistike dhe personale që të jetë fituese . Të njëjta cilësi që gëzoj dhe vetë(qesh) Kështu e kemi ne Gjatat (qesh). Por , mendoj se fituesja e Dancing With the Stars 3 , ishte vërtetë më e pëlqyera, votuara , klikuara dhe komentuara. Unë Elvanën e dua shumë se është vërtetë një vajzë e mrekullueshme dhe jam lumturuar që e fitoi sikur besoj edhe Elvana do lumturohej nëse do fitoja unë. Ne aty u ndjemë fitues pak të gjithë. E rëndësishme është që e mori një nga ne .

Si vazhdon marrëdhënia juaj me Simonen tani që Dancing ka përfunduar?

Me Simonen jemi shumë shpesh në kontakt, sidomos tani që ai inauguron shkollën e kërcimit , të shtunën do shkojmë të gjithë të kërcejmë te Stela. Simone është një kënaqësi më vete e pjesëmarrjes sime në DWTS si nga ana profesionale, pasi vërtetë më bëri të kërcej por u bë dhe si vëllai im i vogël. Është fantastik. Jam shumë e lumtur që do të jetë në Tiranë tani.

Gjatë këtij spektakli, keni dhëne edhe shumë mesazhe drejtuar politikanëve shqiptarë, pse?

Unë gjithmonë përpiqem të përcjell mesazhe jo vetëm për politikanët por edhe për shoqërinë. Sepse e meritojnë . E kanë bërë veten legena përpara Kombit dhe Pasqyrës.

Zhaku keni bërë shumë gjëra në jetë, ku ndiheni më komode dhe e plotësuar?

Në gjithçka që bëj. Unë mund të jetoj vetëm duke realizuar atë që përfytyroj dhe dëshiroj.

E keni pasur si shembull nënën tuaj në aktrim por dhe në jetë ?

Është pak e vështirë t’i përgjigjem shkurt kësaj pyetje pasi nëna ime është shtylla ime kurrizore. Por nëna imë më ka edukuar që unë të jem aq e lirë sa të krijoj shembujt e mi. Unë atë e adhuroj si aktore dhe si femër dhe si nënë. Por unë dhe mami im jemi dy persona të ndryshëm si në skenë edhe në jetë. Pavarësisht se zërat na ngjajnë shumë, imazhi, mënyra kur unë interpretoj poezitë natyrisht është e ngjashme me të mamit, por në përgjithësi unë kam krijuar një personalitet origjinal  edhe si arstiste edhe si individ që s´ka shumë ngjashmëri me të mamit. Megjithatë kohët e fundit kam vënë re që i ngjaj shumë si grua dhe e shoh atë tek vetja ime shpesh herë në marrëdhënie me jetën e përditshme. Pra, ka dhe shembuj të pavetëdijshëm që ndikojnë.

“Çmenduria” më e madhe që keni bërë në jetë?

Nuk besoj se kam bërë apo do të bëj ndonjëherë një çmenduri. Nëse e bëj, do të jem e çmendur dhe nuk do të mund t’i përgjigjem dot pyetjes pasi nuk do të më duket çmenduri, çmenduria ime por normalitet.

Sa e realizuar ndiheni profesionalisht?

Unë ndihem e realizuar në përgjithësi.

Çfarë projektesh të tjera presim nga Zhaku?

Projekte televizive natyrisht si dhe qendra e video dhe fotoreportazheve.

Po pushime nuk do të ketë këtë vit, nëse po ku?

Shpresoj që turneu të më vlejë edhe si pak pushim.

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Dudaev fiton pa u ndeshur, në drekë përballet për medaljen e bronztë

Paris 2024/ Mundësi Dudaev fiton pa u ndeshur, në drekë përballet për medaljen e bronztë