Skema e inspektorateve në vendin tonë do të ndryshojë totalisht përmes një pakete ligjore dhe funksionale që Inspektorati Qendror po përgatit.

Kreu i këtij institucioni, Shkëlqim Hajdari tha në një tryezë konsultuese me juristë dhe përfaqësues të biznesit se inspektimet do të jenë me planifikim dhe nuk do të synojnë dënimin e bizneseve por ndihmën e tyre përmes detyrave të lëna me shkrim.

“Historia e blloqeve do të jetë histori muzeumi, blloqet kanë shkatërruar konkurrencën e ndershme të biznesit, blloqet e gjobave janë tmerr, kjo histori do të ndryshojë me këto ndryshime që bëjmë. Inspektimet do të jenë të planifikuara në masën mbi 75 %” , tha Shkëlqim Hajdari Kreu i Inspektoratit Qendror.

Juristët e pranishëm në tryezë thanë se për tu vënë në jetë kjo skemë e re, do të duhet të ndryshohen të paktën 50 ligje.

“ Ajo çfarë unë shof në bashkimin e mundshëm si dhe në skenarin e riorganizimit, përfshirja e fushave në inspektimin financiar dhe disa fusha të tjera në radhë të parë do të kërkojë se s’bën ndryshime në legjislacionin sektorial për të ardhur në përputhje me ligjin për inspektimin qoftë për garantin ekzistues qoftë atë të ndryshimit”, u shpreh juristi Jordan Daci.

Këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare, Sandër Lleshi u shpreh se reforma synon rritjen e eficencës së institucioneve dhe forcimin e sigurisë ndaj konsumatorëve.

“Shqipëria ka një numër të konsiderueshëm institucionesh me funksionin e inspektoratit, me një fjalë inspektojnë të gjithë. Inspektoriatët duhet të shndërrohen në aleatë të konsumatorëve dhe të bizneseve”, tha Sandër Lleshi, Këshilltar i kryeministrit.

Në përfundim të reformës synohet që një ministri të mos ketë më shumë se një inspektorat dhe që i gjithë procesi i inspektimit të jetë online për të mos lejuar abuzimet.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com