Inspektorja e BSH shmang deputetët
përgjigje vetëm me korrespondencë

TIRANE - Ndonëse ekziston mundësia për shkarkimin e saj, Inspektorja e Përgjithshme në Bankën e Shqipërisë, Elivar Golemi, ka sfiduar sërish Kuvendin. Përmes një deklarate të dytë ajo këmbëngul se do të vihet përballë deputetëve vetëm përmes korrespondecave (përgjigjeve me shkrim).
 
Pas refuzimit që i bëri me shkrim kërkesës të Komisionit të Ekonomisë për të raportuar në Kuvend në lidhje me përgjegjësitë administrative në vjedhjen e thesarit të shtetit, Golemi përmes një deklarate hedh poshtë pretendimet e kreut të Komisionit të Ekonomisë Erjon Brace, duke sqaruar se nuk ka refuzuar të përgjigjet para deputetëve. Por pavarësisht se në letër, argument kryesor të mungesës së saj jep faktin se: “Nuk përfaqëson Bankën e Shqipërisë”, Golemi rithekson edhe në deklaratë se do të informonte komisionin vetëm me shkrim duke mos pranuar të vihet përballë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

“Në përgjigjen që i kam dërguar Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, unë nuk kam refuzuar të përgjigjem përpara Komisionit, përkundrazi kam shprehur gatishmërinë e plotë për të informuar me shkrim Komisionin, për çdo çështje që është brenda kompetencave të Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, në respektim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Golemi i përgjigjet gjithashtu akuzave të Braces për mosfunksionimit të Inspektorit, thotë se:
“Garantoj në përgjegjësinë time të plotë, se kemi përmbushur me korrektësi, me përgjegjshmëri maksimale dhe me profesionalizëm të gjitha detyrat e Inspektorit të Përgjithshëm dhe të Departamentit të Kontrollit, të përcaktuara në Ligjin e Bankës së Shqipërisë dhe në aktet nënligjore të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Në zbatim të plotë dhe në përputhje me dispozitat ligjore, në cilësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, kam raportuar periodikisht në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mbi përmbushjen e detyrave nga Inspektori i Përgjithshëm dhe Departamenti i Kontrollit”.

Brace lexoi pergjigjen e Inspektores Live ne mbledhjen e Komisionit
 Ishte kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe i cili gjatë mbledhjes së transmetuar Live në A1Report, lexoi arsyet që inspektorja Golemi i paraqiti me shkrim Kuvendit për mungesën e saj në këtë seancë.

“Inspektori i përgjithshëm u përgjigj se nuk përfaqëson Bankën e Shqipërisë”, -tha Brace, “dhe  për këtë arsye nuk paraqitet në seancën dëgjimore. Por tha se është i gatshëm t’i përgjigjet me shkrim çdo pyetje të deputetëve dhe ky është absurdi. Zonja në fjalë e njeh ligjin? Ky është problemi që ne kemi me të. Ky është një akt i rëndë i paprecedentë i pandodhur në 23 vite, cënon atributet kushtetuese të Parlamentit në raport me Bankën e Shqipërisë”, -tha kreu i Komisionit të Ekonomisë.

Prokuroria: Pyetja e Inspektorit nuk cënon hetimet e akuzes
Sakaq, interesit të Shqiptarja.com për të mësuar nëse raportimi i Inspektorit të Përgjithshëm apo edhe i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës në Kuvend, do të ndikonte hetimet, zyra e shtypit e Prokurorise përgjigjet duke saktësuar se: hetimet e organit të akuzës nxjerrin përgjegjësitë penale, çka sipas tyre nuk kanë të bëjnë me përgjegjësitë administrative që kërkon të evidentojë Kuvendi.

Zyra e shtypit te Prokurorise e kontaktuar nga Shqiptarja.com, thote se seancat dëgjimore të parashikuara për t’u zhvilluar në Komisionin e Ekonomisë nuk cënojnë hetimet për vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit.

Ftesa e kreut të Komisionit të Ekonomisë Erjon Brace drejtuar Inspektores se BSH Elivar Golemi



Përgjigja e Inspektores Elivar Golemi ndaj Komisionit të Ekonomisë



Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë